Krisje Sllovaki-Bruksel, BE kritikon kryeministrin Fico për vizitën në Moskë
“Askush nuk më urdhëron se ku të shkoj apo ku të mos shkoj”. Me këto fjalë kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico i është përgjigjur paralajmërimit të shefes së Politikës së Jashtme të BE, që të mos udhëtojë në Moskë për paradën që përkujton fundin e Luftës së Dytë Botërore.
I njohur për qasjen miqësore ndaj Kremlinit, Fico ka përsëritur se do të marrë pjesë në ceremoninë që mbahet çdo vit në kryeqytetin rus më 9 maj, për të festuar fitoren ndaj Gjermanisë naziste.
“Çdo pjesëmarrje në paradën e 9 majit në Moskë nuk do të kalojë lehtë në BE, duke pasur parasysh faktin se Rusia i ka shpallur luftë totale Evropës”, deklaroi të hënën kryediplomatja Kaja Kallas.
Por në reagimin e tij, Fico e ka konsideruar deklaratën e Përfaqësueses së Lartë si “mungesë respekti”.
“Zonja Kallas, do të doja t’ju informoja se jam kryeministri legjitim i Sllovakisë, një vend sovran dhe askush nuk mund të më urdhërojë ku të shkoj e ku jo. Unë do të shkoj në Moskë më 9 maj”, ka thënë Fico.
Kryeministri sllovak ka shtuar se udhëtimi për në kryeqytetin rus do të shërbejë për të nderuar trupat e Ushtrisë së Kuqe, të cilët çliruan vendin e tij nga nazistët.
Kremlini e ka përdorur paradën vjetore të Ditës së Fitores për të treguar fuqinë e tij ushtarake dhe presidenti Vladimir Putin vitin e kaluar i quajti “heronj” ushtarët rusë që luftojnë në Ukrainë.
Kryeministri sllovak u kthye në pushtet vitin e kaluar pasi partia e tij e majtë, Smer, fitoi zgjedhjet me një platformë pro-ruse.
LEXONI GJITHASHTU:
Disa të plagosur nga shembja e ingranazhit të hundës së një avioni në Frankfurt (VIDEO)
Autorja e nominuar për çmimin Oscar, Marjane Satrapi ndërron jetë në moshën 56-vjeçare
Rubio: Groenlanda është pjesë e Danimarkës “për momentin”, bisedimet për ishullin vazhdojnë
- 16:41 Udhëheqësi i Hezbollahut: Negociatat me Izraelin janë të turpshme
- 16:28 Disa të plagosur nga shembja e ingranazhit të hundës së një avioni në Frankfurt (VIDEO)
- 16:22 Vrasja e policit në Maliq, Hita: Nuk kam pasur dijeni për operacionin, do kishim marrë masa më të forta
- 16:14 Autorja e nominuar për çmimin Oscar, Marjane Satrapi ndërron jetë në moshën 56-vjeçare
- 16:14 Rubio: Groenlanda është pjesë e Danimarkës “për momentin”, bisedimet për ishullin vazhdojnë
- 16:02 Starmer akuzon Musk se po përpiqet të shkaktojë përçarje në Mbretërinë e Bashkuar