Rënia e të ardhurave të Tesla, Elon Musk do të reduktojë angazhimin politik

23 Prill 2025 | 09:03

Shefi ekzekutiv i Tesla-s, Elon Musk, ka paralajmëruar se do të reduktojë përfshirjen e tij në administratën e presidentit Donald Trump, pas rënies së ndjeshme të të ardhurave dhe fitimeve për kompaninë e tij në tremujorin e parë të vitit 2025.

Elon Musk njoftoi se do të reduktojë ndjeshëm kohën që i kushton angazhimit të tij në administratë duke filluar nga muaji i ardhshëm.

Ai tha se do të merret me çështjet qeveritare vetëm një deri në dy ditë në javë, duke theksuar se kjo do të ndodhë për aq kohë sa presidenti e sheh të arsyeshme dhe sa kohë që angazhimi i tij mbetet i dobishëm.

Musk është aktualisht i përfshirë në iniciativën qeveritare për uljen e shpenzimeve dhe reduktimin e fuqisë punëtore federale, të njohur si “Doge”.

Musk konfirmoi se do të reduktojë ndjeshëm kohën e tij të angazhimit në këtë projekt, duke theksuar se do të përqendrohet më shumë në drejtimin e Tesla-s.

Sipas raportit financiar të publikuar të martën, Tesla shënoi një rënie prej 20% në të ardhurat nga shitja e veturave, ndërsa fitimet u tkurrën me mbi 70% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Përballë rezultateve zhgënjyese, kompania nuk ofroi ndonjë parashikim për rritjen e ardhshme, ndërsa paralajmëroi se “ndryshimi i ndjenjës politike” mund të ndikojë negativisht në kërkesën për produktet e saj.

Përfshirja e tij në politikë ka nxitur protesta dhe bojkotime ndaj Tesla-s në disa tregje, ndërsa vetë Musk pranoi se angazhimi i tij në administratën Trump ka larguar vëmendjen nga përgjegjësitë brenda kompanisë.

Ai ka kontribuar financiarisht në fushatën për rizgjedhjen e Trump, si dhe ka udhëhequr një nismë për reduktimin e stafit dhe shpenzimeve të qeverisë federale.

Sakaq, kompania është përballur edhe me sfida të tjera, si tarifat tregtare të vendosura nga SHBA ndaj Kinës, që kanë ndikuar në zinxhirin e furnizimit.

Tesla varet nga shumë komponentë të prodhuar në Kinë, çka ka rritur koston e prodhimit dhe ka thelluar presionin mbi fitimet.

Në përditësimin tremujor, Tesla raportoi 19.3 miliardë dollarë të ardhura, më pak se pritshmëritë e analistëve prej 21.1 miliardë dollarësh.

Rënia e shitjeve, e cila arriti në 13% në tremujorin e parë, përbën nivelin më të ulët në tre vitet e fundit.

Musk ka deklaruar se synon të fokusohet më shumë tek inovacioni dhe zhvillimi i inteligjencës artificiale brenda Tesla-s, ndonëse investitorët kanë shfaqur skepticizëm për këtë drejtim.

Deri më tani, aksionet e kompanisë kanë humbur rreth 37% të vlerës së tyre gjatë vitit 2025.

Zhvillimet e fundit e vendosin Musk përpara një sfide të rëndësishme: balancimin mes rolit të tij si udhëheqës i një prej kompanive më të mëdha të teknologjisë dhe përfshirjes së tij në skenën politike amerikane.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Alarm në SHBA, paraziti mishngrënës gjendet te një viç në Teksas! Ishte zhdukur prej vitesh

Një parazit mishngrënës, i rrallë në SHBA në gjashtë dekada, është gjetur te një viç në Teksas, në një zhvillim alarmues për industrinë e bagëtive në...
15:48 | 04/06/2026

Sulm ndaj një ekipi shëndetësor në Kongo, autoritetet të shqetësuara për përhapjen e Ebolës

Banorët sulmuan këtë javë një ekip i cili merret me varrimin e viktimave që kanë humbur jetën nga infektimet me Ebola në provincën Kivu Jugore...
15:32 | 04/06/2026

Ishte nisur nga Gjermania, rrëzohet një aeroplan i vogël në Kroaci! Humbin jetën 4 persona

Katër persona humbën jetën të enjten pas një aksidenti të një aeroplani të vogël pranë qytetit Medulin në Istria, në bregdetin e Kroacisë. “Sipas informacionit që...
14:50 | 04/06/2026