Stringa: Pa mbështetjen e parlamentit KLSH nuk mund të bëjë asgjë më shumë

5 Maj 2021 | 22:13

Rekomandimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit pothuajse nuk zbatohen dhe nga kallëzimet në prokurori që ka bërë ky insitucion shumë pak janë dënuar.

Kështu u shpreh në emisionin “Me Pak Fjalë” ekonomisti Azmi Stringa ndërsa foli mbi punën e KLSH-së dhe raportin e fundit të veprimtarisë në vitin 2020.

Në këtë raport KLSH ka propozuar 1107 masa organizative, 239 masa disiplinore, 55 masa administrative dhe 29 përmirësime ligjore.

Gjasat që këto propozime të zbatohen janë shumtë të ulëta sipas Z. Stringa i cili shtoi se kjo çështje “është një shqetësim edhe nga institucionet ndërkombëtare të cilat si pjesë të progres-raportit kanë jo vetëm rritjen e cilësisë së auditimeve të KLSH-së por dhe zbatueshmërinë, të paktën marrjen përsipër të rekomandimeve që janë dhënë.”

Moszbatimi i rekomandimeve të KLSH nga institucionet publike vjen për arsye të brendshme të KLSH, “por dhe për arsye të brendshme që ka sistemi në tërësi”, sqaroi Z. Stringa.

“E para është serioziteti që i jep Kuvendi raporteve të KLSH-së. E dyta është seriozitet që i japin institucionet raportit të KLSH-së dhe sa të mbrojtura ato janë në shtetin shqiptar, dhe e treta është cilësia e rekomandimeve të cilët shpesh herë nuk adresojnë problematikën në rrënjë.”, u shpreh ai.

Krahas propozimeve KLSH gjatë veprimtarisë së saj bën edhe kallëzime penale. Në raportin e fundit flitet për 5 raste që janë dërguar në prokurori nga KLSH si indicie penale, 1 kallëzim penal dhe 2 vlerësime të elementëve të mundshëm të veprës penale.

Ashtu si për rekomandimet, ekonomisti Stringa vuri në duke se shumë pak persona dënohen nga kallëzimet e bëra nga KLSH.

“Është çështje komplekse, është i gjithë zinxhiri.  Ajo që duhet bërë është që të kemi seriozitet në këtë çështje, që do të thotë se problemi vjen që nga dokumentimi i gjetjes”, tha ai.

Mosmarrja në konsideratë e rekomandimeve dhe kallëzimeve të KLSH-së është pasojë e mënyrës se si ky insitucion trajtohet dhe përdoret nga Kuvendi.

“Varet për çfarë e duam ne ta kemi KLSH. Është përdorur në të shkuarën dhe të tashmen për qëllime të ndryshme në varësi të shteteve. Në amerikë dhe perëndim e përdorin për t’i sjellë vlerë qeverisjes dhe eficencës. Në vendet lindore që kanë ende kulturën komuniste përdoret si mashë për t’i mbajtur të tjerët në kontroll. Ne aktualisht në mendimin tim jemi në mes të kësaj gjëje. Ajo që është themelore është pa një parlament që të kryejë rolin e sovranit ku raportojnë të gjithë, KLSH nuk mund të bëjë asnjë lloj gjëje më shumë ose të funksionojë ndryshe nga ç’funksionon sot.”, tha Z. Stringa.

Ai vuri në dukje gjithashtu edhe pamundësinë e KLSH-së për të kryer auditime sa më të plota.

Për Z. Stringa auditimi financiar në Shqipëri është në fazat fillestare pasi institucionet publike nuk kanë ende pasqyra financiare.

“Ne mund të bëjmë auditim përputhshmërie, sa kemi arkëtuar dhe sa kemi shpenzuar, por që të bëjmë sa asete ka shteti shqiptar, sa pasuri ka në bilanc, sa detyrime i ka qytetarëve, ne këtë nuk e kemi të mundur, bëhet formalisht”, tha ai.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Personat me aftësi të kufizuara marrin përkujdesje të papërfillshme nga shteti

Vetëm 4% e personave me aftësi të kufizuara fizike dhe intelektuale në Shqipëri marrin shërbime në qendrat shtetërore të përkujdesit. Personat me aftësi të kufizuar...
22:20 | 25/05/2021

Rreth €700 mln pastrohen çdo vit në Shqipëri përllogarit raporti i GIATOC

Nga 300 deri në 700 milionë euro para të paligjshme në një vit futen në Shqipëri, sipas një vlerësimi të raportit të Nismës Globale Kundër...
22:54 | 19/05/2021

Vetëm 25% e rasteve të dhunës ndaj grave përfundojnë në Gjykatë

Pjesa më e madhe e grave nuk e raportojnë dhunën e ushtruar ndaj tyre ndërsa edhe ato raste që raportohen pak herë përfundojnë me dënime....
22:52 | 18/05/2021