Merz: Aleatët e Kievit s’do ta kufizojnë rrezen e përdorimit të armëve për Ukrainën

26 Maj 2025 | 17:39

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, tha të hënën se Gjermania, së bashku me aleatët e tjerë kyç perëndimorë të Ukrainës, kanë hequr kufizimet në rrezen e lejuar për përdorim të armëve që ia dërgojnë Kievit për t’u mbrojtur kundër Rusisë.

Merz, i cili mori detyrën në fillim të këtij muaji, gjithashtu premtoi se “do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për të vazhduar mbështetjen për Ukrainën, përfshirë edhe ushtarakisht”, në koordinim të ngushtë me aleatët e tjerë.

“Nuk ka më kufizime në rreze për armët që i dorëzohen Ukrainës – as nga britanikët, as nga francezët, as nga ne dhe as nga amerikanët”, tha ai.

“Kjo do të thotë se Ukraina tani mund të mbrohet, për shembull, duke sulmuar pozicione ushtarake në Rusi… Me përjashtime të pakta, nuk e ka bërë këtë deri tani. Tani mund ta bëjë”, shtoi ai.

Qeveria e mëparshme gjermane e kancelarit të qendrës së majtë, Olaf Scholz, mbështeti fuqishëm Kievin, por shmangu dërgimin e raketave me rreze të gjatë Taurus, nga frika se kjo mund të përshkallëzonte tensionet me fuqinë bërthamore, Rusinë.

Merz ka thënë më parë se ai është pro dërgimit të raketave Taurus, të cilat mund të godasin objektiva thellë në territorin rus.

Qeveria e tij që nga atëherë ka theksuar se nuk do të zbulojë më detaje mbi armatimin që po i dërgon Ukrainës, duke preferuar një qëndrim të paqartësisë strategjike.

Duke folur në një intervistë të gjatë për transmetuesin publik WDR, Merz nuk tha nëse Gjermania do të dërgojë tani raketat Taurus në Kiev.

Megjithatë, kancelari i sapoemëruar e shfrytëzoi rastin për të kritikuar mungesën e gatishmërisë së presidentit rus, Vladimir Putin, për t’u angazhuar në bisedime për t’i dhënë fund luftimeve në Ukrainë.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Humbje diplomatike për Gjermaninë në OKB, Berlini ngre dyshime për ndikimin rus

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, ka deklaruar se mbështetja e fortë e Berlinit për Ukrainën dhe Izraelin mund t’i ketë kushtuar vendit vota...
07:40 | 04/06/2026

Macron: Fitorja e Magyar shënon fillimin e një epoke të re në Hungari

Presidenti francez, Emmanuel Macron vlerësoi sot fillimin e një “epoke të re” për Hungarinë dhe Evropën, gjatë pritjes në Pallatin Elysee, të kryeministrit të ri...
22:21 | 03/06/2026

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së voton 5 anëtarët e rinj jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit

Pas tre orësh, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara përfundoi votimin për të zgjedhur pesë anëtarët e rinj jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit për mandatin 2027-2028....
20:43 | 03/06/2026