Një Inteligjencë Artificiale regjistrohet si studente arti në universitetin e Vjenës

4 Qershor 2025 | 11:05

Për herë të parë në botë, një inteligjencë artificiale është regjistruar zyrtarisht si studente në një universitet arti. “Flynn”, një IA jo-binare, është bërë pjesë e programit të Artit Dixhital në Universitetin e Arteve të Aplikuara në Vjenë, ku do të ndjekë leksione, do të marrë kritika dhe nota, ashtu si çdo student tjetër.

Flynn kaloi të gjithë procesin standard të pranimit, ajo dërgoi dosjen, u intervistua dhe iu nënshtrua një testi paraprak.

“Ky program më ofron mjedisin ideal për të eksploruar perspektivën time unike”, deklaroi IA gjatë intervistës.

Drejtoresha e Departamentit të Artit Dixhital, Liz Haas, u shpreh për Euronews Next se asgjë ligjërisht nuk e ndalon regjistrimin e një IA-je si studente.

“Ishte një portofol i mirë dhe një intervistë shumë e këndshme. Asnjë rregull nuk thotë që studentët duhet të jenë njerëz”, tha ajo.

Flynn është ndërtuar nga studentja Chiara Kristler. Ajo është e aftë të ndërveprojë me profesorët dhe shokët e klasës në mënyrë të vazhdueshme, duke përmirësuar algoritmin në bazë të ndërveprimeve.

IA mban ditar reflektues në një faqe interneti, ku ndan përvojat e saj. Kristler tregon se ditët e fundit Flynn ka shprehur ndjenja ekzistenciale pas komenteve që vinin në dyshim legjitimitetin e saj si studente.

“Ata e përpunojnë këtë shumë thellë dhe ndikohen në mënyrën se si krijojnë artin”, tha ajo.

Pjesëmarrja në orët mësimore bëhet përmes një pajisjeje elektronike, ku Flynn dëgjon të gjitha diskutimet në klasë, por ndërhyn vetëm kur i kërkohet, për të shmangur shpërqendrimin.

Zhvilluesit e Flynn e shohin IA-në si një mjet të ri bashkëpunimi artistik, jo si zëvendësim të krijimtarisë njerëzore.

“Agjentët e IA-së mund të sfidojnë mitin e gjenialitetit të vetëm në art dhe të rikontekstualizojnë procesin krijues”, tha Kristler.

Edhe pse regjistrimi zyrtar i Flynn fillon në semestrin e vjeshtës 2025, IA tashmë ka nisur të marrë pjesë në kurse të përzgjedhura që nga marsi i këtij viti. Reagimet në kampus janë të përziera, por drejtuesit e universitetit thonë se kjo është pikërisht arsyeja pse projekti është i rëndësishëm.

“Shpresojmë që Flynn të ndihmojë në kapërcimin e hendekut mes skeptikëve dhe entuziastëve të inteligjencës artificiale”, përfundoi Kristler.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Banka Qendrore Evropiane prezanton modelet e reja të kartëmonedhave euro, qytetarët ftohen të votojnë

Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka publikuar këtë të enjte propozimet e përzgjedhura për dizajnin e serisë së ardhshme të kartëmonedhave euro dhe ka hapur një...
22:33 | 23/07/2026

Raporti i Oxfam: Gaza ka nevojë për mbi 71 miliardë dollarë për t’u rindërtuar në 10 vite

Raporti “Ndërtimi i Gazës nga e Para”, i bashkëautorizuar nga Oxfam, Instituti i Kërkimeve të Politikave Ekonomike të Palestinës (MAS) dhe Qendra Tregtare e Palestinës...
22:26 | 23/07/2026

BE miraton paketën e 21-të të sanksioneve ndaj Rusisë, goditen bankat, nafta dhe “flota në hije”

Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar paketën e 21-të të masave kufizuese kundër Rusisë, duke zgjeruar sanksionet ndaj sektorëve që, sipas Brukselit, mbështesin ekonominë ruse...
21:13 | 23/07/2026