Kishte ndërtuar bunker nëntokë, arrestohet bosi më i kërkuar i drogës në Ekuador

26 Qershor 2025 | 13:45

Krimineli më i kërkuar në Ekuador, Adolfo Macías Villamar, i njohur ndryshe me pseudonimin “Fito”, është arrestuar nga autoritetet ekuadoriane pas një operacioni të gjerë policor dhe ushtarak në qytetin bregdetar të Mantës. Ai konsiderohej personi më i kërkuar në vend pas arratisjes nga burgu në janar të këtij viti.

Macías, lider i bandës famëkeqe Los Choneros, u lokalizua në një bunker të ndërtuar nëntokë, nën një vilë luksoze në lagjen Monterrey. “Streha” e tij ishte e pajisur me krevat, ajër të kondicionuar, frigorifer dhe sistem ventilimi. Në katet e sipërme të banesës ndodheshin ambiente relaksi, si një palestër dhe një dhomë lojërash.

Operacioni zgjati rreth 10 orë dhe sipas autoriteteve u zhvillua pa shkëmbim zjarri. Menjëherë pas arrestimit, Fito u transferua në qytetin portual të Guayaquil, ku ndodhen burgjet e sigurisë së lartë të vendit. Ai u dërgua në burgun famëkeq La Roca, prej nga ishte arratisur më herët me ndihmën e rojeve të korruptuar.

Adolfo Macías po përballet me akuza të rënda për trafik ndërkombëtar droge, vrasje dhe organizatë kriminale. Ai është gjithashtu i dyshuar për urdhërimin e vrasjes së kandidatit presidencial Fernando Villavicencio në vitin 2023.

Presidenti i Ekuadorit, Daniel Noboa, përgëzoi forcat e rendit për operacionin dhe konfirmoi se Macías do të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara, ku përballet me akuza për trafik kokaine.

“Më shumë bosë droge do të bien. Ne do ta rimarrim kontrollin e vendit,” shkroi Noboa në rrjetin X.

Arratisja e Fitos ishte një nga ngjarjet më të rënda të sigurisë së brendshme në Ekuador vitet e fundit, duke nxitur trazira të dhunshme në burgje dhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme nga autoritetet. Arrestimi i tij shënon një zhvillim të rëndësishëm në përpjekjet e shtetit për të rikthyer rendin dhe për të frenuar ndikimin e bandave kriminale.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West

Reperi amerikan Kanye West do të lejohet të mbajë dy koncerte në Holandë, pasi një gjykatë në Amsterdam vendosi se performancat e planifikuara mund të...
09:24 | 04/06/2026

SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh

SpaceX, kompania e teknologjisë hapësinore dhe komunikimeve satelitore e drejtuar nga Elon Musk, po planifikon të mbledhë rreth 75 miliardë dollarë përmes një oferte publike...
09:11 | 04/06/2026

Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar rezolutën për kompetencat e luftës që synon të frenojë fushatën ushtarake të presidentit amerikan, Donald Trump,...
08:43 | 04/06/2026