Mbi 65 të vrarë në Gazë pasi forcat izraelite godasin turmën që po kërkonte ushqim

30 Qershor 2025 | 21:07

Forcat izraelite kanë vrarë të paktën 67 njerëz në Rripin e Gazës të hënën, duke kryer sulme ajrore në pjesë të ndryshme të territorit palestinez, thanë dëshmitarët, spitalet dhe zyrtarët shëndetësorë.

Një sulm ajror goditi kafenenë Al-Baqa në qytetin e Gazës, kur ajo ishte e mbushur me gra dhe fëmijë, tha Ali Abu Ateila, i cili ndodhej brenda.

“Pa paralajmërim, papritmas një avion luftarak goditi vendin, duke e shkundur sikur të ishte tërmet”, tha ai.

Të paktën 30 njerëz u vranë dhe dhjetëra u plagosën në kafene, tha Fares Awad, kreu i shërbimit të urgjencës dhe ambulancës së Ministrisë së Shëndetësisë në veri të Gazës.

Awad tha se shumë prej të plagosurve janë në gjendje të rëndë. Dy sulme të tjera në një rrugë të qytetit të Gazës vranë 15 njerëz, sipas Spitalit Shifa, i cili mori viktimat.

Kafeneja, një nga bizneset e pakta që kanë vazhduar punën gjatë luftës 20-mujore, ishte një vend takimi për banorët që kërkonin qasje në internet dhe për t’i mbushur bateritë e telefonave të tyre.

Video në rrjetet sociale shfaqin trupa të gjakosur dhe të deformuar në tokë dhe të plagosurit që barteshin me batanije.

Ndërkohë, forcat izraelite vranë 11 njerëz që po kërkonin ushqim në jug të Gazës, sipas dëshmitarëve, spitaleve dhe Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë.

Spitali Nasser në qytetin jugor Han Junis tha se i pranoi trupat e njerëzve të qëlluar ndërsa po ktheheshin nga një pikë e shpërndarjes së ndihmave ushqimore, e lidhur me Fondin Humanitar të Gazës (GHF), i mbështetur nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara.

Në këtë mënyrë janë vrarë mbi 500 palestinezë gjatë muajit të fundit në këtë program kaotik dhe kontrovers të shpërndarjes së ndihmave.

Të shtënat ndodhën rreth 3 kilometra larg vendit të GHF në Han Junis, ndërsa palestinezët po ktheheshin nga vendi përmes rrugës së vetme të qasshme. Palestinezët shpesh detyrohen të udhëtojnë distanca të gjata për të arritur në qendrat e GHF në shpresë për të marrë ndihma.

Spitali Nasser tha se një person tjetër u vra pranë një qendre të GHF në qytetin jugor Rafah.

Dhjetë të tjerë u vranë në një depo ndihmash të Kombeve të Bashkuara në veri të Gazës, sipas shërbimit të ambulancës dhe urgjencës të Ministrisë së Shëndetësisë.

Ushtria izraelite tha se po i rishikon informacionet rreth sulmeve.

 

 

 

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Dosja Epstein, autoritetet britanike vlerësojnë se hetimi ndaj Andrew dhe Mandelson do të përfundojë brenda një viti

Autoriteteve britanike ka të ngjarë tu duhet një vit për të përfunduar hetimet e tyre ndaj vëllait të vogël të Mbretit Charles, Andrew Mountbatten-Windsor, dhe...
19:58 | 04/06/2026

Hezbollahu sulmon trupat izraelite në Libanin jugor

Hezbollahu nisi sulme ndaj trupave izraelite që operojnë në Libanin jugor në ditën e parë të një armëpushimi të brishtë të ndërmjetësuar nga Shtetet e...
19:56 | 04/06/2026

Spanja zbulon 111 raste me kancer që lidhet me implantet e gjirit

Mbi 100 gra në Spanjë janë diagnostikuar me një formë të rrallë kanceri që është lidhur me implantet e gjirit. Autoritetet shëndetësore kanë konfirmuar 111...
19:28 | 04/06/2026