Pas dënimit të Marine Le Pen, bastisen zyrat e ekstremistëve në Francë
Autoritetet franceze kanë bastisur selinë e partisë së të djathtës ekstreme, Bashkimi Kombëtar, në kuadër të një hetimi të lidhur me shkeljen e rregullave financiare të fushatës elektorale.
Kryetari i partisë, Jordan Bardella, në reagimin e tij e ka quajtur bastisjen një “fushatë të re ngacmimi”.
Zyra e prokurorit në Paris deklaroi se hetimi synon të zbardhë nëse Bashkimi Kombëtar e ka financuar një pjesë të fushatave të tij përmes borxheve të paligjshme mes viteve 2020-2024.
Hetimi lidhet me mundësinë e pastrimit të parave dhe përdorimit të dokumenteve të falsifikuara gjatë fushatës presidenciale të vitit 2022, asaj të zgjedhjeve legjislative të të njëjtit vit dhe të zgjedhjeve evropiane në vitin 2024.
Për momentin nuk është ngritur asnjë akuzë dhe hetimi është në vazhdim, ka bërë të ditur zyra e prokurorit për mediat franceze.
Në një postim në rrjetin “X”, Bardella ka deklaruar se oficerë të armatosur dhe nga radhët e policisë gjyqësore kishin bastisur zyrat e partisë në Paris, duke konfiskuar dokumente dhe servera kompjuterësh që përmbanin email-e dhe të dhëna të tjera.
“Të gjitha dosjet që përmbajnë të dhënat mbi fushatat elektorale rajonale, presidenciale, parlamentare dhe euro-parlamentare nga sot ndodhen në duart e gjyqësorit”, ka shkruar Bardella, duke shtuar se nuk ishte vënë në dijeni të motiveve të kontrollit.
Sipas tij, ky operacion “spektakolar dhe i paprecedent” përbën një sulm serioz ndaj pluralizmit dhe tranzicionit demokratik.
Bashkimi Kombëtar ka regjistruar një rritje të popullaritetit në vitet e fundit dhe është kthyer në partinë më të madhe parlamentare të Francës, por është mbajtur jashtë qeverisjes nga koalicioni i forcave politike tradicionale, pas zgjedhjeve të parakohshme të thirrura vitin e kaluar nga presidenti Emmanuel Macron.
LEXONI GJITHASHTU:
Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West
SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh
Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran
- 11:49 Mes tensionesh dhe sharjesh transportohet drejt Traumës autori i vrasjes së policit në Maliq (VIDEO)
- 11:38 Pëllumb Gjoka flet për herë të parë për akuzat në “Metamorfoza”: Po gjykohem mbi thashetheme
- 11:36 Balla-Berishës: Kemi ne antimitig, ne kemi një ditëlindje, projekti i Zvërnecit do të bëhet
- 11:30 Detaje nga vrasja e efektivit në Maliq, autori gjakftohtë, nuk shfaqi asnjë pendesë pas arrestimit
- 11:22 Efektivi tek Trauma, niset dhe autori me ambulancë, si paraqitet gjendja e dy të plagosurve
- 11:15 Vrasja e efektivit në Maliq, Hita: Ditë e trishtë për Policinë e Shtetit, nuk do doja të isha para jush