“Jam i zhgënjyer nga Putini”, çfarë dimë nga shkurtimi i afatit të Trump për Rusinë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi të hënën se do të shkurtojë afatin prej 50 ditësh që i kishte caktuar më parë Rusisë për të rënë dakord për një marrëveshje paqeje në Ukrainë.
Ai shprehu zhgënjimin e tij në rritje për vazhdimin e luftës gjithëpërfshirëse, e cila ka hyrë tashmë në vitin e saj të katërt.
Trump bëri të ditur se afati i ri që presidenti rus Vladimir Putin ka në dispozicion për të pranuar një marrëveshje do të jetë vetëm “10 ose 12 ditë”.
“Jam i zhgënjyer nga Presidenti Putin,” tha Trump gjatë një deklarate për mediat në Skoci, krah Kryeministrit britanik Keir Starmer.
“Do të shkurtoj afatin 50-ditor në një periudhë më të shkurtër, sepse mendoj se tashmë e di çfarë do të ndodhë,” shtoi ai.
Trump kujtoi marrëdhëniet e mëparshme me presidentin rus, duke thënë se ka komunikuar shpesh me të dhe se janë kuptuar mirë. Megjithatë, ai kritikoi Putinin për sulmet ajrore ndaj qyteteve ukrainase, përfshirë kryeqytetin Kiev.
“Del dhe lëshon raketa mbi ndonjë qytet, si Kievi, duke vrarë njerëz në një azil pleqsh apo diku tjetër. Trupa të pajetë shihen të shtrirë nëpër rrugë,” deklaroi Trump.
Nga premtimi për paqe te zhgënjimi diplomatik
Gjatë fushatës zgjedhore, Trump është shprehur disa herë se mund ta përfundonte luftën Rusi-Ukrainë “brenda një dite”, por deri tani, një marrëveshje konkrete ka mbetur jashtë arritjes.
Sipas tij, ai dhe Putini kanë qenë pranë arritjes së një armëpushimi pesë herë, por asnjëherë nuk kanë arritur një marrëveshje përfundimtare.
Më herët këtë muaj, Trump pati njoftuar se i kishte dhënë Rusisë 50 ditë kohë për të rënë dakord për një marrëveshje paqeje, përndryshe do të përballej me sanksione ekonomike “shumë të ashpra”.
Ai e bëri këtë paralajmërim gjatë një vizite në Uashington të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Ndërkohë që disa analistë mendojnë se këto tarifa të rrepta mund të ndryshojnë rrjedhën e konfliktit, të tjerë kanë vlerësuar se afati deri në shtator ishte shumë i gjatë.
Aktualisht, Rusia po ndërmerr një ofensivë të zgjeruar verore për të thyer vijën e frontit prej 1,000 kilometrash, ndërsa sulmet me dronë dhe raketa ndaj qyteteve ukrainase janë intensifikuar më shumë se në çdo moment tjetër të tre viteve të fundit.
Zelensky falënderon për mbështetjen me raketa Patriot
Nga ana tjetër, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, bëri të ditur se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Trump të hënën.
Ai u shpreh mirënjohës për vendimin e SHBA-së për të dërguar më shumë raketa mbrojtëse ajrore të tipit Patriot, të cilat konsiderohen jetike për mbrojtjen e qyteteve nga sulmet ruse.
“Diskutuam për masat dhe vendimet e nevojshme për të siguruar një mbrojtje më të fortë të popullatës ndaj sulmeve ruse, si dhe për forcimin e pozicioneve tona,” shkroi Zelensky në Telegram.
“Ramë dakord të komunikojmë më shpesh dhe të koordinojmë hapat tanë në të ardhmen.”
LEXONI GJITHASHTU:
Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West
SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh
Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran
- 10:30 Kuvendi mban një minutë heshtje për efektin e policisë të vrarë në krye të detyrës në Maliq (VIDEO)
- 10:27 LIVE- Efektivi i policisë vritet në krye të detyrës në Maliq, plagoset kolegu. Reagimet e politikës
- 09:59 Presidenti Begaj reagon për vrasjen e efektivit në Korçë: Policia nuk do të zbrapset
- 09:53 Vrasja e policit në Maliq, reagon ministri i Brendshëm: Dënoj me forcën më të madhe këtë akt kriminal
- 09:44 U plagos në Lozhan të Maliqit, efektivi i ‘Shqiponjave’ niset me helikopter drejt Traumës
- 09:33 Vrasja e policit në Korçë, reagon Rama: Nderim përjetë Dëshmorit të Atdheut