Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, është vënë në qendër të kritikave pas deklaratës së tij se përdor rregullisht inteligjencën artificiale, përfshirë ChatGPT dhe LeChat, për të marrë “një mendim të dytë” mbi çështjet që lidhen me drejtimin e vendit.
Në një intervistë për gazetën suedeze Dagens Industri, kreu i qeverisë së qendrës së djathtë u shpreh: “E përdor vetë mjaft shpesh. Nëse jo për asgjë tjetër, atëherë thjesht për një mendim të dytë. Çfarë kanë bërë të tjerët? Dhe a duhet të mendojmë krejt ndryshe?”
Këto komente kanë ndezur debat të gjerë publik dhe kanë ngritur shqetësime për varësinë e mundshme të liderëve politikë nga mjetet e AI-së. Gazeta Aftonbladet, në një editorial të ashpër, e akuzoi Kristersson-in se “ka rënë pre e psikozës oligarkike të inteligjencës artificiale”.
Ekspertët e teknologjisë kanë reaguar me kujdes. Simone Fischer-Hübner, kërkuese në Universitetin Karlstad, paralajmëroi se përdorimi i AI-së për çështje qeveritare mund të përbëjë rrezik, veçanërisht nëse përpunohen të dhëna të ndjeshme. “Duhet të jesh shumë i kujdesshëm,” u shpreh ajo.
Zëdhënësi i kryeministrit, Tom Samuelsson, ka mohuar që të jenë përfshirë të dhëna sensitive.
“Natyrisht, nuk është informacion i ndjeshëm ndaj sigurisë ai që përfundon atje. Përdoret më shumë si një platformë,” tha ai, duke cituar burime nga The Guardian.
Por kritikat vazhdojnë. Virginia Dignum, profesoreshë e inteligjencës artificiale të përgjegjshme në Universitetin Umea, e cilësoi të rrezikshëm varësinë e politikanëve nga AI. “AI nuk është në gjendje të japë një opinion të kuptueshëm mbi idetë politike dhe thjesht pasqyron mendimet e atyre që e kanë ndërtuar,” tha ajo për Dagens Nyheter.
“Sa më shumë të mbështetemi tek AI për gjëra të thjeshta, aq më i madh është rreziku i besimit të tepruar në sistem. Është një shpat i rrëshqitshëm. Duhet të garantojmë besueshmëri. Ne nuk kemi votuar për ChatGPT,” theksoi ajo.
Në Suedi dhe më gjerë, kjo çështje pritet të nxisë diskutime të reja mbi vendin e AI-së në politikë dhe kufijtë e pranueshëm të përdorimit të saj nga udhëheqësit.