Liderët evropianë reagojnë pas samitit Trump-Putin
Presidenti francez, Emmanuel Macron, foli në telefon me presidentin amerikan, Donald Trump, dhe partnerët e tjerë evropianë të shtunën në mëngjes, pas takimit mes Trumpit dhe presidentit rus, Vladimir Putin, në Alaskë.
Biseda telefonike zgjati rreth një orë dhe, sipas deklaratës të zyrës së Macronit, ishin të pranishëm edhe shtatë liderë të tjerë evropianë, përfshirë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, kancelarin gjerman Friedrich Merz, kryeministrin britanik, Keir Starmer, kryeministren italiane Giorgia Meloni, presidentin finlandez, Alexander Stubb, presidentin polak Karol Naërocki, si dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, raporton The Guardian.
Kryeministri britanik Keir Starmer reagoi përmes një deklarate në lidhje me samitin e Trump dhe Putin në Alaskë duke u shprehur se “përpjekjet e Presidentit Trump na kanë sjellë më afër se kurrë më parë përfundimit të luftës së paligjshme të Rusisë në Ukrainë”.
Zëvendëskryeministri italian, Matteo Salvini, tha se “çdo hap përpara drejt paqes, si ky, është lajm i mirë. Siç ka thënë Papa Leoni, le të flasë sërish diplomacia në vend të armëve”.
Ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Espen Barth Eide, deklaroi se “presidenti Putin i Rusisë ka përsëritur argumente të njohura, sikurse theksimi i të ashtuquajturave ‘shkaqe rrënjësore’ të luftës, që shërben si mënyrë për ta justifikuar pushtimin e paligjshëm të Ukrainës nga Rusia”.
Ai shtoi ndër të tjera se është tejet e rëndësishme që të vazhdohet presioni ndaj Rusisë dhe të dëgjohen dëshirat e nevojat e Ukrainës.
Kryediplomati i Republikës Çeke, Jan Lipavský, theksio se është “i kënaqur që presidenti Trump po përpiqet ta ndalë luftën”, ndonëse nga ana e Putinit, siç ka thënë ai, kishte pasur vetëm “absurditete propagandistike për ‘shkaqet rrënjësore të konfliktit’”, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp.
Ai vazhdoi duke thënë se “problemi është tek imperializmi rus, e jo te dëshira e Ukrainës për të qenë e lirë. Po të ishte Putini serioz në synimin për të negociuar paqen, ai nuk do ta kishte sulmuar Ukrainën gjatë gjithë ditës së sotme”.
Ministrja e mbrojtjes e Lituanisë, Dovilė Šakalienė, akuzoi Putinin për “më shumë manipulime psikologjike dhe kërcënime të fshehta” ndaj Ukrainës dhe Evropës gjatë konferencës për shtyp, në të cilën shefi i Kremlinit kishte nënvizuar se shpreson që vendet evropiane “të mos përpiqen të sabotojnë bisedimet”.
Nga ana tjetër, kryeministri hungarez, Viktor Orbán, shkroi në rrjetin social Facebook se “për vite me radhë kemi parë dy fuqitë më të mëdha bërthamore të eliminojnë kornizën e bashkëpunimit mes tyre dhe t’i dërgojnë mesazhe njëra-tjetrës”.
Sipas tij, “kjo tashmë ka përfunduar”, pasi “bota është një vend më i sigurt sot sesa ishte dje”.
LEXONI GJITHASHTU:
Humbje diplomatike për Gjermaninë në OKB, Berlini ngre dyshime për ndikimin rus
Macron: Fitorja e Magyar shënon fillimin e një epoke të re në Hungari
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së voton 5 anëtarët e rinj jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit
- 08:43 Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran
- 08:40 Partia Demokratike në pushtet fiton zgjedhjet lokale në Korenë e Jugut
- 08:35 Vrasja e policit në Korçë, kush është autori dhe si hapi zjarr ndaj efektivëve pasi i pikasi
- 08:30 Kina ndalon hyrjen e katër deputetëve të Zelandës së Re pas vizitës në Tajvan
- 08:27 Protesta e studentëve kundër masave shtrënguese në Kili, 25 të plagosur nga përleshjet
- 08:22 Kim Jong Un bëri thirrje për zgjerimin eksponencial të arsenalit bërthamor të Koresë së Veriut