Britania s’i lejon izraelitët të marrin pjesë në panairin më të madh të mbrojtjes
Britania e Madhe ua ka ndaluar pjesëmarrjen zyrtarëve izraelitë në panairin e saj më të madh tregtar të mbrojtjes, për shkak të përshkallëzimit të luftës kundër Hamasit në Gazë, në përpjekje për të ushtruar trysni ndaj aleatit historikisht të ngushtë për shkak të konfliktit.
Qeveria e kryeministrit Keir Starmer tha në korrik se do ta njihte shtetin palestinez, nëse Izraeli nuk do të ndërmerrte hapa për t’i lehtësuar vuajtjet e palestinezëve në Gazë dhe nëse nuk do të përmbushte kushte të tjera, duke e zemëruar Qeverinë izraelite.
Ministria e Mbrojtjes e Izraelit tha se, si pasojë e këtij ndalimi, nuk do ta organizojë pavijonin e saj kombëtar si më parë në panairin Defence & Security Equipment International (DSEI), në Londër.
Megjithatë, kompanitë izraelite të mbrojtjes, si Elbit Systems, Rafael, IAI dhe Uvision, do të mundë të marrin pjesë.
Një zëdhënës i Qeverisë britanike tha të premten se vendimi i Qeverisë izraelite për ta përshkallëzuar më shumë luftën në Gazë ishte i gabuar.
“Si pasojë, ne konfirmojmë se asnjë delegacion qeveritar izraelit nuk do të ftohet të marrë pjesë në DSEI UK 2025”, tha ai.
“Duhet të ketë zgjidhje diplomatike për ta përfunduar këtë luftë tani, me armëpushim të menjëhershëm, kthimin e pengjeve dhe një rritje të ndihmës humanitare për popullin e Gazës”, shtoi ai.
Izraeli e cilësoi vendimin e Britanisë si “akt të pafat diskriminimi” dhe se “po fut konsiderata politike krejtësisht të papërshtatshme për një ekspozitë profesionale të industrisë së mbrojtjes”.
Panairi katërditor, i cili hapet më 9 shtator, mbledh delegacione shtetërore dhe kompani private që ekspozojnë pajisje dhe armë ushtarake në qendrën Excel të Londrës. Ky aktivitet zhvillohet çdo dy vjet.
DSEI organizohet nga një kompani private, Clarion Defence and Security, por me mbështetjen e Qeverisë dhe ushtrisë britanike.
Autorja e nominuar për çmimin Oscar, Marjane Satrapi ndërron jetë në moshën 56-vjeçare
Rubio: Groenlanda është pjesë e Danimarkës “për momentin”, bisedimet për ishullin vazhdojnë
Starmer akuzon Musk se po përpiqet të shkaktojë përçarje në Mbretërinë e Bashkuar
- 16:14 Autorja e nominuar për çmimin Oscar, Marjane Satrapi ndërron jetë në moshën 56-vjeçare
- 16:14 Rubio: Groenlanda është pjesë e Danimarkës “për momentin”, bisedimet për ishullin vazhdojnë
- 16:02 Starmer akuzon Musk se po përpiqet të shkaktojë përçarje në Mbretërinë e Bashkuar
- 15:55 Presidenti Aoun: Libani pret përgjigjen e Hezbollahut përpara se të hyjë në fuqi armëpushimi
- 15:50 Pa ujë e ushqim, udhërrëfyesi nepalez gjendet i gjallë pas gjashtë ditësh i zhdukur
- 15:48 Alarm në SHBA, paraziti mishngrënës gjendet te një viç në Teksas! Ishte zhdukur prej vitesh