Strategjia e re e Trump, i kërkon evropianëve të ndalojnë blerjen e naftës nga Rusia
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i kërkoi të enjten udhëheqësve evropianë që të ndalojnë blerjen e naftës nga Rusia dhe të rrisin presionin ekonomik ndaj Kinës, në përpjekje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha për CNN se Trump e bëri këtë thirrje gjatë një takimi virtual me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe disa udhëheqës evropianë, në kuadër të takimit të “Koalicionit të të Gatshmëve” – një grup aleatësh që mbështesin Ukrainën dhe synojnë përfundimin e konfliktit.
Pas telefonatës, presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se 26 vende janë zotuar të kontribuojnë në një forcë të mundshme paqeruajtëse, në rast se arrihet një marrëveshje armëpushimi.
Ai theksoi se përkrahja e SHBA-së në këtë proces është kyçe për legjitimitetin e nismës evropiane. Sipas Macron, krahas forcimit të ushtrisë ukrainase dhe vendosjes së trupave evropiane në terren, është i domosdoshëm një “rrjet sigurie amerikan”, duke shtuar se në ditët në vijim pritet të finalizohet mbështetja e SHBA-së për këto garanci sigurie.
Këto zhvillime pasqyrojnë kompleksitetin e situatës në Ukrainë dhe presionin në rritje ndaj Trump për të marrë hapa më konkretë kundër Rusisë.
Thuajse tre javë pas takimit të tij të diskutueshëm në Alaskë me presidentin rus Vladimir Putin, Trump po tregohet gjithnjë e më i shqetësuar për mungesën e përparimit në negociatat për paqe. Zyrtarë të administratës konfirmuan për CNN se ai po shqyrton nivelin e përfshirjes personale në ndërmjetësimin e një takimi midis Kremlinit dhe udhëheqjes ukrainase.
Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se ende ka shumë punë për të bërë përpara se të mund të zhvillohet një takim në nivel të lartë mes Moskës dhe Kievit, sipas agjencisë shtetërore ruse RIA.
Zyrtari i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi se gjatë takimit, Trump theksoi se Evropa duhet të ndalojë blerjen e naftës ruse, duke përmendur se Rusia ka përfituar 1.1 miliardë euro nga shitja e karburanteve në BE brenda një viti.
Ai kërkoi gjithashtu që udhëheqësit evropianë të rrisin presionin ekonomik ndaj Kinës, për shkak të mbështetjes së saj indirekte ndaj përpjekjeve ruse në luftë.
Zyrtari nuk dha detaje rreth garancive të mundshme të sigurisë që SHBA mund të ofrojë për Kievin në rast të një marrëveshjeje paqeje me Moskën.
Trump ishte zotuar më parë të mbështesë garancitë e sigurisë për Ukrainën pas luftës, pas një takimi me Zelenskyn dhe disa liderë evropianë në Shtëpinë e Bardhë.
Megjithatë, zyrtarë të lartë të administratës, përfshirë Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, kanë theksuar se Evropa duhet të marrë drejtimin.
Trump ka paralajmëruar më herët për “pasoja të rënda” nëse Putin nuk e ndal luftën, por është treguar i kujdesshëm në publik për të mos rrezikuar procesin e negociatave.
Ai është fokusuar në presionin ndaj vendeve që vazhdojnë të bëjnë tregti me Rusinë, për të ndikuar tek qëndrimi i Kremlinit.
I pyetur nëse do të vendosë sanksione ndaj vendeve që bashkëpunojnë ekonomikisht me Rusinë, Trump tha se ka ndërmarrë tashmë hapa në këtë drejtim, duke përmendur rritjen e tarifave ndaj Indisë për importin e naftës ruse.
LEXONI GJITHASHTU:
Sulm ndaj një ekipi shëndetësor në Kongo, autoritetet të shqetësuara për përhapjen e Ebolës
Ishte nisur nga Gjermania, rrëzohet një aeroplan i vogël në Kroaci! Humbin jetën 4 persona
Mojtaba Khamenei shpall fitoren ndaj SHBA: Armiku u poshtërua në fushën e betejës
- 15:39 I biri vrau një polic dhe plagosi një tjetër, merret në pyetje nga autoritetet nëna e Violand Braçellarit
- 15:32 “Braçellari, emër shumë i njohur në Korçë”, Artan Hoxha: Dhjetëra operacione për ta arrestuar
- 15:32 Sulm ndaj një ekipi shëndetësor në Kongo, autoritetet të shqetësuara për përhapjen e Ebolës
- 15:23 Grabitën 15 tonë kokainë, Artan Hoxha: Karteli jep 30 milionë dollarë për t’i gjetur
- 15:04 U plagos në Maliq, efektivi i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale
- 14:50 Ishte nisur nga Gjermania, rrëzohet një aeroplan i vogël në Kroaci! Humbin jetën 4 persona