Sulmi ajror rus në Ukrainë prek edhe Poloninë, si e kaluan dronët rusë kufirin
BBC ka publikuar detaje të tjera lidhur me dronët rusë që kanë shkelur hapësirën ajrore të Polonisë.
Kjo ndodhi gjatë sulmit të fundit ajror të Rusisë ndaj Ukrainës, i cili nisi para mesnatës, me paralajmërime për të paktën 100 dronë në ajër dhe për Rusinë që po përgatitej të lëshonte raketa.
Ndërkohë që ukrainasit u strehuan në bunkerë nëntokësorë, kanalet online që ata ndiqnin filluan të raportonin për disa nga dronët që po kalonin në territorin polak.
Në rrjetet sociale, qytetarë ukrainas nisën të shkruanin në gjuhën polake, duke paralajmëruar banorët për të kërkuar strehim: “Chelm – në strehimore!”, “Zamosc – në strehimore!”
Kjo situatë shihet si një përshkallëzim nga ana e Moskës, që duket se po teston reagimin e Perëndimit. Nuk bëhet fjalë më për incidente të izoluara, pasi dronët kanë depërtuar thellë në territorin polak.
Si pasojë, u mbyll edhe aeroporti i Varshavës, çka tregon seriozitetin e situatës.
Ngjarja vjen në një kohë kur sulmet ajrore ruse ndaj Ukrainës janë bërë më të shpeshta dhe më të fuqishme. Fundjavën e kaluar, një raketë ruse goditi ndërtesën kryesore qeveritare në Kiev, ndërsa më parë ishin dëmtuar ndërtesat e Bashkimit Evropian dhe Këshillit Britanik në kryeqytetin ukrainas.
Edhe më herët, dronë rusë kanë kaluar kufirin perëndimor të Ukrainës. Në një rast, një raketë ruse ra në një pyll por nuk shpërtheu.
Në vitin 2022, dy fshatarë u vranë pranë kufirit, pasi mbrojtja ajrore ukrainase rrëzoi një raketë që mendohet të ketë devijuar në drejtim të Polonisë.
Për këtë arsye, forcat ajrore polake janë në gatishmëri sa herë që një kërcënim afrohet. Megjithatë, deri më tani ato nuk kanë qëlluar asnjë objekt. Situata e fundit përbën një zhvillim të ri – jo vetëm për Poloninë, por edhe për NATO-n.
LEXONI GJITHASHTU:
Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West
SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh
Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran
- 10:45 Autori ish-ushtarak bënte qitje në pyll, pamje nga vendi ku u vra polici në Maliq (VIDEO)
- 10:30 Kuvendi mban një minutë heshtje për efektin e policisë të vrarë në krye të detyrës në Maliq (VIDEO)
- 10:27 LIVE- Efektivi i policisë vritet në krye të detyrës në Maliq, plagoset kolegu. Reagimet e politikës
- 09:59 Presidenti Begaj reagon për vrasjen e efektivit në Korçë: Policia nuk do të zbrapset
- 09:53 Vrasja e policit në Maliq, reagon ministri i Brendshëm: Dënoj me forcën më të madhe këtë akt kriminal
- 09:44 U plagos në Lozhan të Maliqit, efektivi i ‘Shqiponjave’ niset me helikopter drejt Traumës