Përleshje të dhunshme me policinë gjatë protestave kundër emigracionit në Holandë

21 Shtator 2025 | 14:20

Protestues të së djathtës ekstreme u përplasën me policinë e rendit në Hagë të shtunën, ndërsa një demonstratë kundër emigracionit, e ndjekur nga qindra njerëz, degradoi  në dhunë.

Shumë nga protestuesit, të veshur me të zeza dhe me flamuj holandezë apo simbole të grupeve të ekstremit të djathtë, hodhën gurë dhe shishe ndaj policisë dhe dogjën një nga automjetet patrulluese.

Policia, nga ana e saj, përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën. Protestuesit gjithashtu bllokuan për pak kohë autostradën dhe vandalizuan zyrën e partisë politike të qendrës së majtë, D66, duke thyer disa dritare, raportuan mediat lokale.

“Këto janë pamje tronditëse dhe absurde të një dhune të paturpshme në Hagë,” shkroi në X kryeministri në detyrë i Holandës, Dick Schoof, duke e quajtur të papranueshme sulmin ndaj policisë.

Ai shprehu besimin se policia dhe prokuroria do të ndalojnë dhe ndjekin penalisht autorët.

Qindra persona ishin mbledhur në Hagë, pas një thirrjeje në rrjetet sociale nga një e re e njohur si “Els e Djathta”, për të protestuar kundër emigracionit dhe për të kërkuar ligje më të ashpra për azilin. Pas përplasjeve, “Els e Djathta” u distancua shpejt nga dhuna që shpërtheu.

“Unë supozova se njerëzit erdhën për të protestuar paqësisht, por fatkeqësisht, për çfarëdo arsye, ndodhi krejt ndryshe”, shkroi ajo në X, duke shtuar se nuk do ta kishte organizuar demonstratën nëse do ta dinte rezultatin.

Protesta zhvillohet vetëm pak javë para se Holanda të mbajë zgjedhjet e parakohshme më 29 tetor, pasi qeveria u rrëzua kur kreu i Partisë së Lirisë (PVV) të ekstremit të djathtë, Geert Wilders, tërhoqi ministrat e tij për shkak të mosmarrëveshjeve mbi politikën e migracionit.

Wilders, i cili kishte refuzuar një ftesë për të folur në protestë, e dënoi dhunën si “të papranueshme”.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Eurostat publikon shifrat, sa ishte numri i shqiptarëve të kthyer nga vendet e BE-së në tremujorin e parë të vitit

Mbi 2 mijë shtetas shqiptarë u kthyen nga vendet e Bashkimit Evropian gjatë tre muajve të parë të vitit 2026. Të dhënat e publikuara nga...
21:04 | 30/06/2026

Shembet ndërtesa 4-katëshe në Athinë, dyshohet për disa persona të bllokuar

Katër persona mbetën të bllokuar pasi një pallat katërkatësh u shemb sot në zonën e Petralona të Athinës, njoftoi brigada e zjarrfikësve. Sipas informacioneve të...
14:51 | 30/06/2026

BE-ja nis përgatitjet financiare për anëtarësimin e Malit të Zi

Komisioni Evropian miratoi një paketë financiare për Malin e Zi, me vlerë prej gati 3.2 miliardë eurosh. Së bashku me vendimin për nisjen e hartimit...
14:11 | 30/06/2026