Mali i Zi i dërgon notë verbale ambasadës së Kosovës për të shtënat në kufi

29 Shtator 2025 | 14:30

Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi i ka dërguar të hënën notë verbale Ambasadës së Kosovës në Podgoricë, lidhur me të shtënat me armë zjarri që dyshohet se u erdhën nga pjesa e Kosovës në zonën pranë qendrës malazeze të skijimit, Hajlla-Shtedim, afër kufirin mes dy shteteve.

“Nga organet kompetente të Republikës së Kosovës është kërkuar që t’i identifikojnë dhe t’i procedojnë autorët e këtyre incidenteve, si dhe të njoftojnë Malin e Zi për të gjitha masat dhe veprimet e ndërmarra”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Malit të Zi, për Radion Evropa e Lirë (REL).

Nga dikasteri i udhëhequr nga Ervin Ibrahimoviq vlerësojnë se bëhet fjalë për incidente të izoluara.

Të paktën në dy raste janë regjistruar dëmtime në infrastrukturën e qendrës së skijimit Hajlla-Shtedim në Mal të Zi, e cila ndodhet rreth një kilometër e gjysmë nga kufiri me Kosovën.

Në të dyja rastet, organet kompetente malazeze dyshojnë se të shtënat janë shkrepur nga territori i Kosovës.

Incidenti i parë ndodhi në korrik të vitit të kaluar, kur u vërejtën dëmtime në kabinën e qendrës së skijimit. Prokuroria e Rozhajës ka hapur lëndë për këtë rast.

Ndërsa, incidenti i dytë ndodhi më 24 gusht të këtij viti, kur pati të shtëna në drejtim të një objekti të qendrës së skijimit. Prokuroria pritet të hapë lëndë pas përfundimit të hetimeve të Policisë.

Notë verbale është dërguar pas incidenteve të përsëritura që janë regjistruar nga Policia në Rozhajë, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi, e cila shton se për incidentet u njoftua më 22 shtator edhe ambasadorja e Kosovës.

“Besojmë se rastet e izoluara nuk e reflektojnë përkushtimin e qartë të dy shteteve tona për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe përmirësimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë për REL.

Po ashtu, theksohet se palës kosovare i është tërhequr veçanërisht vëmendja për rëndësinë e zbatimit të tri marrëveshjeve ndërmjet shtetesh – për kufirin shtetëror ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës, hapjen e pikës së përbashkët kufitare Kotlovi–Kuqishtë dhe rregullimin e regjimit të qarkullimit kufitar.

Fadil Gashi nga Policia e Kosovës për rajonin e Pejës i tha Radios Evropa e Lirë se nuk ka asnjë informacion për incidente të sigurisë në kufirin me Malin e Zi, duke theksuar se policia rajonale është më shumë e angazhuar “për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike”, e jo për incidente ndërkombëtare.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar edhe drejtorisë qendrore të Policisë së Kosovës me pyetjen nëse kanë ndonjë informacion lidhur me rastin dhe është në pritje të përgjigjes. Për të njëjtën çështje, përgjigje pritet edhe nga Qeveria e Kosovës.

Mali i Zi dhe Kosova në vitin 2015 e nënshkruan Marrëveshjen për demarkacionin. Mali i Zi e ratifikoi atë në të njëjtin vit, ndërsa Kuvendi i Kosovës tre vjet më vonë./REL

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West

Reperi amerikan Kanye West do të lejohet të mbajë dy koncerte në Holandë, pasi një gjykatë në Amsterdam vendosi se performancat e planifikuara mund të...
09:24 | 04/06/2026

SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh

SpaceX, kompania e teknologjisë hapësinore dhe komunikimeve satelitore e drejtuar nga Elon Musk, po planifikon të mbledhë rreth 75 miliardë dollarë përmes një oferte publike...
09:11 | 04/06/2026

Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar rezolutën për kompetencat e luftës që synon të frenojë fushatën ushtarake të presidentit amerikan, Donald Trump,...
08:43 | 04/06/2026