Ministri gjerman i Mbrojtjes: Rusia, kërcënim gjithnjë e më i madh për NATO-n

29 Shtator 2025 | 15:07

Rusia po bëhet “kërcënim gjithnjë e më i madh” për NATO-n, tha të hënën ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius.

Pistorius e tha këtë gjatë një vizite në Poloni dhe Lituani, në një kohë kur tensionet janë të larta në krahun lindor të aleancës ushtarake, për shkak të shkeljeve ajrore nga dronët rusë.

Duke folur në Forumin e Sigurisë në Varshavë, Pistorius tha se Moska po “teston aleatët e NATO-s me një shpeshtësi dhe intensitet në rritje”.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, po “përpiqet me qëllim ta minojë sigurinë evropiane dhe integritetin territorial të kombeve evropiane”, theksoi Pistorius.

“Ai kërkon t’i provokojë shtetet anëtare të NATO-s. Ai dëshiron t’i ekspozojë dobësitë brenda aleancës sonë”, nënvizoi ai.

Por, NATO-ja ka “reaguar ndaj provokimeve të Rusisë me qartësi, unitet, vendosmëri dhe maturi”, shtoi ministri gjerman.

“Ne nuk do të biem në kurthin e Putinit të përshkallëzimit të vazhdueshëm. Po ruajmë gjakftohtësinë duke qëndruar të palëkundur dhe të vendosur”, theksoi ai.

Përkrah Pistoriusit, në forum ishin të pranishëm edhe ministri holandez i Mbrojtjes, Ruben Brekelmans, dhe homologu i tij estonez, Hanno Pevkur, si dhe komisionari Evropian për Mbrojtje dhe Hapësirë, Andrius Kubilius.

Pistorius pritet gjithashtu të bisedojë për të ardhmen e marrëdhënieve të Ukrainës me Evropën në bisedime të nivelit të lartë në kryeqytetin polak.

Bisedimet vijnë disa javë pasi dronë rusë u rrëzuan mbi Poloni.

Incidenti u pasua nga shkelje të hapësirës ajrore të NATO-s në Rumani dhe Estoni.

“Kur është e nevojshme, forcat e NATO-s janë të gatshme, ashtu si avionët e aleatëve tanë në Baltik që u ngritën dhe shoqëruan avionët rusë jashtë hapësirës ajrore të Estonisë”, tha Pistorius.

Duke folur në këtë konferencë, kryeministri polak, Donald Tusk, tha se lufta e Rusisë në Ukrainë është pjesë e një projekti politik për nënshtrimin e popujve të tjerë.

“Kjo luftë është edhe lufta jonë”, deklaroi Tusk.

“Nëse e humbim këtë luftë, pasojat do të ndikojnë jo vetëm mbi gjeneratën tonë, por edhe mbi brezat e ardhshëm në Poloni, Evropë, Shtetet e Bashkuara dhe kudo tjetër në botë”, shtoi ai.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rrëzohet një avion në Francë, humbin jetën 11 persona

Njëmbëdhjetë persona kanë humbur jetën si pasojë e rrëzimit të një avioni në qytetin Tomblaine, në verilindje të Francës. Sipas prefekturës lokale, avioni i përkiste...
14:45 | 28/06/2026

Rusia pretendon se ka pushtuar dy vendbanime të tjera në Ukrainë

Rusia pretendoi të dielën se forcat e saj kanë pushtuar dy vendbanime në Ukrainën juglindore dhe kanë shkatërruar dy avionë luftarakë ukrainas MiG-29 gjatë 24...
13:02 | 28/06/2026

SHBA-Iran shkëmbejnë sulme, Trump: Teherani nuk do ekzistojë më

Shtetet e Bashkuara kanë kryer sulme të reja ndaj Iranit, pas sulmit me dron që Republika Islamike kreu ndaj një anijeje me flamur panamez në...
12:19 | 28/06/2026