Witkoff dhe Kushner marrin pjesë në bisedimet izraelito-palestineze në Egjipt

8 Tetor 2025 | 07:27

I dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe dhëndri i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Jared Kushner, do të marrin pjesë në bisedimet për planin e paqes në Gaza, midis negociatorëve izraelitë dhe Hamasit, që do të zhvillohen në Egjipt të mërkurën.

Mbërritja e tyre vjen ndërsa dita e dytë e bisedimeve indirekte, e mbajtur të martën, përfundoi pa rezultate të prekshme, tha për BBC-në një zyrtar i lartë palestinez, i njohur me negociatat.

Trump mbajti një ton pozitiv të martën, në përvjetorin e dytë të sulmeve të Hamasit më 7 tetor, duke thënë: “Ekziston mundësia që të kemi paqe në Lindjen e Mesme”.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, nuk komentoi mbi statusin e bisedimeve, por u tha izraelitëve se ndodhen në “ditë vendimtare”. Në një postim në X, ai shtoi se Izraeli do të vazhdojë të veprojë për të arritur qëllimet e tij të luftës: “Kthimi i të gjithë të rrëmbyerve, eliminimi i regjimit të Hamasit dhe garantimi se Gaza nuk do të përbëjë më kërcënim për Izraelin”.

Witkoff dhe Kushner pritej të largoheshin nga SHBA të martën në mbrëmje dhe të mbërrinin në Egjipt të mërkurën, tha për BBC-në një burim i njohur me bisedimet. Kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdul Rahman Al Thani, i cili shihet si një ndërmjetës kyç, do t’u bashkohet gjithashtu bisedimeve, tha një zyrtar për agjencinë e lajmeve Reuters.

Pjesëmarrja e Al Thanit ka për qëllim “të shtyjë përpara planin e armëpushimit në Gaza dhe marrëveshjen për lirimin e pengjeve”, sipas të njëjtit zyrtar.

Edhe kreu i inteligjencës turke pritet t’i bashkohet takimeve. Një zyrtar i lartë palestinez i njohur me negociatat i tha BBC-së se një raund i mbrëmjes i bisedimeve indirekte nisi të martën në orën 19:00 sipas kohës lokale (16:00 GMT).

Sipas tij, seanca e mëngjesit përfundoi pa rezultate të prekshme, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi hartat e propozuara të tërheqjes izraelite nga Gaza dhe mbi garancitë që Hamasi kërkon për të siguruar se Izraeli nuk do të rifillojë luftimet pas fazës së parë të marrëveshjes.

Ai shtoi se bisedimet ishin “të vështira dhe ende nuk kanë prodhuar ndonjë përparim të vërtetë”, por theksoi se ndërmjetësit po punojnë shumë për të ngushtuar hendekun mes dy palëve.

Trump iu referua shqetësimeve të ngritura të martën, duke u thënë gazetarëve se “ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur për t’u siguruar që të gjithë t’i përmbahen marrëveshjes”.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Shakira “vjedh” vëmendjen në Botëror, kamerat harrojnë ndeshjen dhe fokusohen te këngëtarja

Një moment i pazakontë ndodhi gjatë gjysmëfinales së Kupës së Botës mes Francës dhe Marokut, kur regjisorët e transmetimit ndërkombëtar u përqendruan aq shumë te...
21:53 | 10/07/2026

Zbulohet destinacioni luksoz ku Taylor Swift dhe Travis Kelce po shijojnë ditët si të sapomartuar

Taylor Swift dhe Travis Kelce kanë zgjedhur të largohen nga vëmendja e publikut për të shijuar në privatësi ditët e para si bashkëshortë. Sipas mediave...
21:51 | 10/07/2026

Misteri i vdekjes së aktores turke merr fund, autopsia zbulon të vërtetën

Pas javësh spekulimesh dhe dyshimesh rreth vdekjes së aktores turke Ece Irtem, autoritetet kanë zbardhur shkakun zyrtar të ndarjes së saj nga jeta. Aktorja 35-vjeçare, e...
21:50 | 10/07/2026