Vrasja e gjyqtarit Kalaja, KLGJ publikon planin e masave emergjente për gjykatat

13 Tetor 2025 | 09:27

Një javë pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka reaguar zyrtarisht këtë të hënë, duke miratuar një plan masash për rritjen e sigurisë në të gjitha gjykatat e vendit. Në mbledhjen e datës 10 tetor, KLGJ bëri të ditur se do të ndërmerren hapa konkretë në disa drejtime, duke nisur me analizimin e informacionit të mbledhur nga vetë gjykatat për periudhën 2023–2025, lidhur me administrimin dhe menaxhimin e sigurisë.

Sipas njoftimit, Këshilli do të vlerësojë gjendjen aktuale të pajisjeve të sigurisë në gjykata përfshirë skanerë, detektorë metalesh, kamera dhe mjete të tjera për të standardizuar procedurat dhe për të trajnuar personelin në menaxhimin e situatave të rrezikshme.

Pas analizës së të dhënave, pritet të ngrihet një grup pune ndërinstitucional që do të adresojë nevojën për ndryshime ligjore dhe nënligjore për garantimin e sigurisë fizike të gjyqtarëve, personelit mbështetës dhe qytetarëve që frekuentojnë ambientet gjyqësore.

Një tjetër masë e parashikuar është sigurimi i pranisë së efektivëve të specializuar të sigurisë apo të Policisë së Shtetit në gjykata, si dhe miratimi i protokolleve të reja të sigurisë të përshtatura për secilën njësi gjyqësore. Plani përfshin gjithashtu ngritjen e një tjetër grupi pune me pjesëmarrjen e institucioneve të tjera të drejtësisë dhe të rendit, për të hartuar një qasje të përbashkët mbi sigurinë në të gjithë sistemin gjyqësor.

Në fokus të Këshillit është edhe përmirësimi i infrastrukturës. KLGJ njoftoi se do të kërkojë bashkëpunimin e pushtetit vendor për ndërtimin e tetë godinave të reja për gjykatat e shkallës së parë, si dhe për Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë. Po ashtu, do të kërkohet që godinat ekzistuese dhe ato që do të ndërtohen t’i kalojnë në pronësi KLGJ-së, si pjesë e garantimit të pavarësisë institucionale.

Në fushën ligjore, Këshilli synon të nisë punën për hartimin e propozimeve për ndryshime në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” dhe ligjin “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”. Këto propozime do të hartohen nga grupe pune me përfaqësues nga të gjitha nivelet e gjyqësorit.

Një tjetër aspekt që është vënë në vëmendje është mbrojtja e figurës së gjyqtarëve në hapësirat publike dhe mediatike. KLGJ do të kërkojë bashkëpunimin e AKEP-it dhe AMA-s për të ndaluar gjuhën e papërshtatshme ndaj gjyqtarëve në rrjetet sociale dhe mediat online, si dhe për të marrë masa konkrete brenda kompetencave të tyre ligjore.

Në nder të gjyqtarit të vrarë në detyrë, Astrit Kalaja, Këshilli njoftoi se ka nisur procedurat për të emërtuar sallën e amfiteatrit në godinën “Poli i Drejtësisë” me emrin e tij. Gjithashtu, është dërguar një propozim pranë institucioneve përkatëse për dhënien e titullit “Dëshmor i Atdheut”.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Prokuroria Gjirokastër kërkon 30 vite burgim për autorin e vrasjes së çiftit të të moshuarve në Dropull

Prokuroria Gjirokastër këtë të premte ka mbyllur hetimet dhe kërkon 30 vite burgim për 69-vjeçarin, Thoma Masora i cili është autori i vrasjes së çiftit...
10:48 | 24/07/2026

Vrasja në Roskovec, flet i afërmi i viktimës: Ngjarje e paralajmëruar disa herë. Autori kërcënonte shpesh vajzën

Një ngjarje e rëndë me pasojë një të vdekur, një të plagosur dhe një rrëmbim ka tronditur sot orët e para të mëngjesit fshatin Velojesh...
10:40 | 24/07/2026

Vrau ish-vjehrrin, ky është autori 35-vjeçar i ngjarjes së rëndë në Roskovec (FOTO)

Personi në foto është autori i ngjarjes së rëndë të regjistruar në orët e para të mëngjesit të kësaj të premte në Roskovec ku ka...
10:27 | 24/07/2026