Dy ministra ukrainas japin dorëheqje pas skandalit të korrupsionit

12 Nëntor 2025 | 21:54

Ministrja e Energjisë dhe ministri i Drejtësisë në Ukrainë kanë dhënë dorëheqje të mërkurën, njoftoi Qeveria, pas akuzave për përfshirje në një skandal të gjerë korrupsioni në sektorin e energjisë së vendit.

Hetuesit dyshojnë se një aleat kyç i presidentit Volodymyr Zelensky e ka orkestruar një skemë ryshfeti prej 100 milionë dollarësh për të përvetësuar fonde, gjë që ka shkaktuar zemërim publik në një kohë kur vendi po përballet me ndërprerje të mëdha të rrymës, për shkak të sulmeve ruse.

Ukraina është përballur kamotshëm me korrupsion, dhe lufta kundër korrupsionit shihet si një kusht i rëndësishëm për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Zelensky më herët kishte kërkuar dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, German Galushchenko, i cili sipas hetuesve ka marrë “përfitime personale” nga skema, si dhe të ministres së Energjisë, Svitlana Grynchuk.

Asnjëri prej tyre nuk është akuzuar zyrtarisht, dhe Grynchuk nuk është përmendur si përfituese e drejtpërdrejtë e skemës.

“Ministri i Drejtësisë dhe ministrja e Energjisë nuk mund të qëndrojnë më në detyrë”, tha Zelensky në një video të publikuar në rrjete sociale.

Pak më vonë, të dy paraqitën letrat e dorëheqjes, bëri të ditur kryeministrja e Ukrainës, Yulia Svyrydenko.

Skandali ka shkaktuar reagime të forta mes qytetarëve ukrainas, të cilët po përballen me mungesa të shpeshta të ngrohjes dhe energjisë për shkak të bombardimeve ruse.

“Është neveritëse”, tha për AFP-në Davyd, i cili nuk dëshiroi ta tregonte mbiemrin.

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Humbje diplomatike për Gjermaninë në OKB, Berlini ngre dyshime për ndikimin rus

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, ka deklaruar se mbështetja e fortë e Berlinit për Ukrainën dhe Izraelin mund t’i ketë kushtuar vendit vota...
07:58 | 04/06/2026

SHBA njofton armëpushim të ri mes Izraelit dhe Libanit, kusht ndalimi i sulmeve të Hezbollahut

Izraeli dhe Libani kanë rënë dakord për zbatimin e një armëpushimi të ri, i cili kushtëzohet nga ndalimi i plotë i sulmeve të Hezbollahut, njoftoi...
07:18 | 04/06/2026

Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM

Ministri i Jashtëm i Italisë Antonio Tajani tha të martën se Shtetet e Bashkuara janë vendi i pozicionuar më së miri për të ushtruar presion...
22:35 | 03/06/2026