Autoritetet rumune evakuojnë fshatin Plauru pas një sulmi rus në lumin Danub
Autoritetet rumune kanë urdhëruar evakuimin e banorëve në fshatin Plauru, afër lumit Danub, që formon kufirin me Ukrainën, pasi një dron thuhet se ka goditur një anije që transportonte gaz të lëngshëm natyror në anën ukrainase të lumit.
Në një deklaratë të publikuar më 17 nëntor, Ministria e Mbrojtjes tha se sistemet e saj të monitorimit dhe mbikëqyrjes me radar gjithashtu kanë zbuluar dhe ndjekur objekte në hapësirën ajrore ukrainase pranë qarkut Tulkea, ku ndodhet Plauru.
Në deklaratë u tha po ashtu se Inspektorati i Përgjithshëm për Situata Emergjente ishte njoftuar në lidhje me zbatimin e masave për lajmërimin e popullsisë në pjesën veriore të qarkut.
Ndërkaq, Ministria tha se nuk ka pasur inkursione të paautorizuara të aeroplanëve në hapësirën ajrore rumune, por sulmet ruse ndaj porteve ukrainase në rajonin e Danubit kanë shkaktuar që të lëshohen disa alarme në shtetin anëtar të NATO-s.
Inkursionet e dronëve rusë në Rumani dhe Poloni, së bashku me hyrjen e avionëve ushtarakë rusë në hapësirën ajrore të Estonisë, kanë detyruar NATO-n të nisë iniciativën e saj “Roja Lindore” për të forcuar mbrojtjen ajrore.
Ndërkaq, Bashkimi Evropian miratoi muajin e kaluar një udhëzues pesëvjeçar të mbrojtjes, që përfshin planin për një “mburojë për dronët” që pritet të jetë funksional plotësisht deri në fund të vitit 2027.
Plani i Komisionit Evropian thekson se Rusia dhe Bjellorusia përbëjnë “kërcënimin më të madh”, duke u referuar shkeljeve të përsëritura të hapësirave ajrore të anëtare të BE-së nga dronët.
Me rrezikun e vazhdueshëm të shpërthimeve, Departamenti për Situata Emergjente tha se disa persona janë evakuuar.
George Maladoi, zëvendëskryetar i vendvanimit Keatolçioi, që përfshin fshatin Plauru, i tha Radios Evropa e Lirë se disa banorë janë zhvendosur në ndërtesën e komunës derisa të zgjidhet problemi.
Ai shtoi se ekipet lokale të emergjencës po ndihmojnë në evakuimin e njerëzve dhe kafshëve drejt zonave më të sigurta./REL
LEXONI GJITHASHTU:
1,354 të vdekur nga shpërthimi i Ebolës në Kongo, rritet edhe numri i personave të infektuar
Ish-presidenti Hernandez do të kthehet në Honduras pas faljes nga Trump
Qeveria iraniane paralajmëron për rritjen e çmimeve të naftës
- 15:49 U kthye në sensacion të Kupës së Botës, portieri i Kepit të Gjelbër i bashkohet klubit Colo Colo në Kili
- 15:40 1,354 të vdekur nga shpërthimi i Ebolës në Kongo, rritet edhe numri i personave të infektuar
- 15:31 Ish-presidenti Hernandez do të kthehet në Honduras pas faljes nga Trump
- 15:23 Qeveria iraniane paralajmëron për rritjen e çmimeve të naftës
- 15:14 Irani: Është bërë përparim në bisedimet me Omanin për Ngushticën e Hormuzit
- 15:05 Janjiç: Vuçiç ka frikë nga Radojçiç, ai mund të dëshmojë kundër presidentit serb