Kush po e heton ish-shefen e Politikës së Jashtme në BE, Federica Mogherinin?
Federica Mogherini, ish-përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, nuk është subjekt i një hetimi nga OLAF, ndonëse një sërë mediash e kanë raportuar të kundërtën. Institucioni që po drejton procedurat është Prokuroria Publike Evropiane (EPPO) organi i vetëm i Unionit me mandat për hetime dhe ndjekje penale që lidhen me dëmtimin e interesave financiare të BE-së.
Me kërkesë të EPPO-s, më 2 dhe 3 dhjetor u realizuan bastisje në College of Europe në Bruges dhe në zyrat e Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) në Bruksel. Gjatë operacionit u shoqëruan për t’u marrë në pyetje rektori i institucionit, një zyrtar i Komisionit Evropian, një administrator i lartë, si edhe vetë Mogherini, në cilësinë e ish-drejtores së programit të Akademisë Diplomatike të BE-së. Të gjithë u njohën me akuzat përkatëse dhe më pas u lanë të lirë, pasi nuk konsideroheshin rrezik arratisjeje.
Ky sqarim është i rëndësishëm sepse, ndryshe nga EPPO, OLAF kryen vetëm hetime administrative dhe nuk ka kompetencë për bastisje, ngritje akuzash apo kërkesë për masa sigurie. Prandaj të gjitha veprimet e deritanishme nga kontrollet në terren te njoftimet zyrtare të akuzave tregojnë qartësisht se bëhet fjalë për një hetim penal.
Sipas EPPO-s, hetimi lidhet me tenderin e programit “EU Diplomatic Academy” dhe përfshin dyshime për mashtrim në prokurim publik, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional. Qëllimi është të përcaktohet nëse kontratat janë dhënë në mënyrë të parregullt, me favorizime ose përdorim të informacionit të brendshëm.
Çështja po trajtohet sipas Kodit Penal belg, i cili parashikon gjoba të konsiderueshme dhe deri në 5 vjet burg për vepra si mashtrim dhe korrupsion. Në rrethana më të rënda dëm i madh financiar apo korrupsion i organizuar dënimet mund të shkojnë deri në 10–15 vjet, si edhe ndalim ushtrimi të funksioneve publike apo pjesëmarrjes në tenderët e BE-së.
EPPO nënvizon se hetimi vijon dhe se të gjithë personat e përfshirë gëzojnë presumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar.
Rasti Mogherini shihet si një provë e rëndësishme e rolit të zgjeruar të EPPO-s, që synon mbrojtjen e fondeve të BE-së përmes hetimeve të plota penale – një kompetencë që OLAF nuk e ka pasur kurrë.
LEXONI GJITHASHTU:
SHBA-Iran shkëmbejnë sulme, Trump: Teherani nuk do ekzistojë më
Vijojnë kërkimet për të mbijetuar nga tërmetet në Venezuelë, bilanci i viktimave 1.430
Venezuelë, familja e ish-lojtarit të Atromitos, Lucas Trejo, gjendet e vdekur në rrënoja
- 12:37 Vidovdani/ Policia e Kosovës, kontrolle të rrepta serbëve në hyrje të Gazimestanit (VIDEO)
- 12:26 I nxehti brutal/ Mbi 1 mijë të vdekur në Francë, OBSH: Impakt tek shëndeti dhe ekosistemet
- 12:19 SHBA-Iran shkëmbejnë sulme, Trump: Teherani nuk do ekzistojë më
- 12:17 Vijojnë kërkimet për të mbijetuar nga tërmetet në Venezuelë, bilanci i viktimave 1.430
- 12:14 Kroçiera “Nautica” mbërrin në Portin e Durrësit me 665 turistë në bord
- 12:01 Venezuelë, familja e ish-lojtarit të Atromitos, Lucas Trejo, gjendet e vdekur në rrënoja