SHBA sulmon Nigerinë, Trump: Një goditje vdekjeprurëse ndaj një “llumi terrorist”

Dëgjoni lajmin
0:00 / 0:00
26 Dhjetor 2025 | 07:35

Presidenti Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer një “sulm të fuqishëm dhe vdekjeprurës” kundër grupit Shteti Islamik të quajtur shkurtimisht IS, në veriperëndim të Nigerisë.

Udhëheqësi amerikan e përshkroi IS-in si “llum terrorist”, duke e akuzuar grupin se “ka në shënjestër dhe vret në mënyrë barbare, kryesisht, të krishterë të pafajshëm”.

Trump tha se ushtria amerikane “ekzekutoi disa sulme të përsosura”, ndërsa Komanda Amerikane për Afrikën raportoi më vonë se sulmi i së enjtes u krye në bashkëpunim me Nigerinë, në shtetin Sokoto.

Ministri i Jashtëm i Nigerisë, Yusuf Maitama Tuggar, i tha BBC-së se bëhej fjalë për një “operacion të përbashkët” që kishte në shënjestër “terroristët” dhe se “nuk ka asgjë të bëjë me një fe të caktuar”.

Pa e përmendur konkretisht IS-in, Tuggar tha se operacioni ishte planifikuar “prej mjaft kohësh” dhe ishte mbështetur në informacione të inteligjencës të siguruara nga pala nigeriane.

Ministri nuk e përjashtoi mundësinë e sulmeve të tjera, duke shtuar se kjo varet nga “vendimet që do të merren nga udhëheqja e të dy vendeve”.

Në një postim në Truth Social, vonë të enjten, Trump tha se “nën udhëheqjen time, vendi ynë nuk do të lejojë që Terrorizmi Radikal Islamik të lulëzojë”.

Në nëntor, Trump urdhëroi ushtrinë amerikane të përgatitej për veprime në Nigeri për të luftuar grupet militante islamiste.

Ai nuk sqaroi në atë kohë se për cilat vrasje po fliste por muajt e fundit, në disa qarqe të djathta në SHBA, kanë qarkulluar pretendime për një gjenocid kundër të krishterëve në Nigeri.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha të enjten se ishte “mirënjohës për mbështetjen dhe bashkëpunimin e qeverisë nigeriane”.

“Gëzuar Krishtlindjet!” shtoi ai në një postim në X.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes publikoi më pas një video të shkurtër jo të klasifikuar, që duket se tregon lëshimin e një rakete nga një anije ushtarake.

Të premten në mëngjes, Ministria e Jashtme e Nigerisë deklaroi se autoritetet e vendit “vazhdojnë të jenë të angazhuara në bashkëpunim të strukturuar të sigurisë me partnerë ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për t’u përballur me kërcënimin e vazhdueshëm të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”.

Grupet xhihadiste si Boko Haram dhe Provinca e Afrikës Perëndimore e Shtetit Islamik kanë shkaktuar kaos në verilindje të Nigerisë për më shumë se një dekadë, duke vrarë mijëra njerëz – megjithatë, sipas Acled, një organizatë që analizon dhunën politike në mbarë botën, shumica e viktimave kanë qenë myslimanë.

Në Nigerinë qendrore, ka gjithashtu përplasje të shpeshta midis barinjve kryesisht myslimanë dhe grupeve bujqësore, shpesh të krishtera, për qasje në ujë dhe kullota.

Cikle vdekjeprurëse sulmesh hakmarrëse kanë sjellë gjithashtu mijëra viktima por mizori janë kryer nga të dyja palët.

Organizatat e të drejtave të njeriut thonë se nuk ka prova që të krishterët janë shënjestruar në mënyrë disproporcionale.

Javën e kaluar, SHBA-ja njoftoi se kishte kryer një “sulm masiv” kundër IS-it në Siri.

Komanda Qendrore Amerikane tha se avionë luftarakë, helikopterë sulmues dhe artileri “goditën më shumë se 70 objektiva në disa lokacione në Siri qendrore”. Në operacion morën pjesë edhe avionë nga Jordania./BBC

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Lituania me kryeministër të ri, Mindaugas Sinkevicius merr drejtimin e qeverisë

Sinkevicius, një politikan komunal me shërbim të gjatë nga qyteti Jonava i Lituanisë qendrore, është Socialdemokrati i tretë që shërben si kryeministër që kur partia...
14:20 | 30/06/2026

OKB: Epidemia e Ebolës mund t’i kushtojë Afrikës deri në 3.6 miliardë dollarë

Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se shpërthimi aktual i Ebolës mund t’i kushtojë ekonomisë afrikane deri në 3.6 miliardë dollarë dhe të shkatërrojë qindra mijëra...
13:22 | 30/06/2026

Plani i shpenzimeve të qeverisë, kryeministri britanik premton 15 miliardë paund shtesë për mbrojtjen

Kryeministri britanik Keir Starmer ka njoftuar një financim shtesë prej 15 miliardë paundësh për mbrojtjen, në prag të publikimit të planit shumëvjeçar të shpenzimeve të...
13:06 | 30/06/2026