Avokati tregon detajet nga seanca dhe nëse ka komunikuar me Altin Ndocin: Ja pse u shty gjyqi
Këtë të enjte u mbajt seanca e radhës për dosjen “Plumbi i Artë”, ndërsa në sallë u konstatua nga palët se i pandehuri Altin Ndoci nuk ishte njoftuar për këtë seancë. Në këtë mënyrë, pas shqyrtimit të rrethanave, gjykata vendosi që seanca të shtyhet.
Në sallë u lexua shkresa e Burgjeve, sipas së cilës Altin Ndoci nuk mund të shoqërohet, pasi është arratisur dhe është person i shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit.
Ndërsa seanca u shty për më datë 20 janar, GJKKO vendosi që në lidhje me Altin Ndocin të përsëritet njoftimi për paraqitje, dhe kjo shkresë t’i dërgohet Drejtorisë së Policisë së Shtetit, Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe komisariatit.
Ndërkohë, në përfundim të kësaj seance, avokati i Ndocit, Aldo Shkëmbi, dha një prononcim për mediat, ku sqaroi procedurën se si do të vijojënë më tej seancat pas arratisjes së klientit të tij.
Ai sqaroi se seanca nuk mund të zhvillohet deri në momentin kur të deklarohet fakti nëse klienti i tij i fshihet apo jo drejtësisë. Avokati tha se nuk ka pasur komunikim me Altin Ndocin, as para arratisjes së tij dhe as pas.
“I pandehuri duhet të njoftohet për procesin që po zhvillohet ndaj tij, duke qenë se edhe në seancat e mëparshme ai është njoftuar dhe ka shprehur vullnetin të përfaqësohet nga unë dhe nga kolegia, znj. Zotaj. Në kushtet e mungesës së një deklarate nga i pandehuri për seancën e sotme, për të respektuar parashikimet ligjore që lidhen me njoftimin e të pandehurit në rastet kur ai është në kushtet e kufizimit të lirisë, kur nuk gjendet apo kur është i lirë, dhe për të arritur në pikën ku duhet të deklarohet fakti nëse i pandehuri fshihet apo jo nga drejtësia, gjykata detyrimisht duhet të shtyjë seancën, në mënyrë që të kërkojë informacion më të detajuar nga Policia e Shtetit lidhur me kërkimet që po bëhen për shtetasin Altin Ndoci. Paraprakisht, ky është një proces i gjatë dhe ka vite që zhvillohet, prandaj nuk kam komunikuar me klientin. Pozicioni ynë është i konsoliduar, dhe klienti ka pasur besim se do të bëjmë mbrojtje efektive. Ne nuk kemi pasur dijeni përpara në lidhje me veprimet ose mosveprimet e tij, as pas. SPAK dhe institucionet ligjzbatuese po bëjnë verifikimet përkatëse për largimin e shtetasit Altin Ndoci nga spitali i Durrësit. Unë personalisht, si mbrojtës, kam shumë kohë që nuk e kam takuar, pasi nuk ka qenë e nevojshme. Kemi pasur marrëdhënie formale dhe profesionale me klientin, pa kontakte fizike ose telefonike”, tha avokati i Altin Ndocit.
Ndoci akuzohet nga SPAK për vrasje, pjesëmarrje në grup kriminal etj. Ai është në gjykim si pjesë e dosjes “Plumbi i Artë” për masakrën e Bradasheshit, ku mbetën të vrarë vëllai i Erion Alibejt, Endrit Alibejt, xhaxhai i tij, Arben Dylgjeri, dhe një shtetas turk.
Altin Ndoci konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë, ndërsa u arratis të martën nga spitali infektiv i Durrësit, ku kishte shkuar për një vizitë mjekësore, i shoqëruar nga punonjësit e policisë së Burgut të Durrësit.
Efektivi tek Trauma, niset dhe autori me ambulancë, si paraqitet gjendja e dy të plagosurve
Vrasja e efektivit në Maliq, Hita: Ditë e trishtë për Policinë e Shtetit, nuk do doja të isha para jush
Berisha, Ramës: Anulo mitingun e Vlorës
- 11:30 Detaje nga vrasja e efektivit në Maliq, autori gjakftohtë, nuk shfaqi asnjë pendesë pas arrestimit
- 11:22 Efektivi tek Trauma, niset dhe autori me ambulancë, si paraqitet gjendja e dy të plagosurve
- 11:15 Vrasja e efektivit në Maliq, Hita: Ditë e trishtë për Policinë e Shtetit, nuk do doja të isha para jush
- 11:10 Berisha, Ramës: Anulo mitingun e Vlorës
- 10:55 Mbërrin me helikopter te Trauma efektivi i plagosur gjatë operacionit në Maliq
- 10:53 Zbulohet një kompleks termal romak në Lushnje