Protesta e kamionistëve në Maqedoninë e Veriut në ditën e dytë, bllokohet Qafë Thana

27 Janar 2026 | 13:23

Protesta e kamionistëve në Maqedoninë e Veriut ka hyrë në ditën e dytë të saj. Prej më shumë se 24 orësh, në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës, kalimi i kamionëve nga të gjitha vendet është i ndaluar, duke krijuar radhë të gjata.

Mes kamionëve të bllokuar në këtë pikë kufitare ka edhe turq e bullgarë. Berat Demir është një kamionist i nisur nga Stambolli. Ai e ka kaluar natën në kufi me shpresën se do të kalonte në mëngjes, por nuk ia ka dalë dot, ndërsa as të kthehet pas nuk mundet.

“Mbrëmë, duke e ditur që kishte vend për të fjetur, fjeta këtu. Thashë ndoshta në mëngjes zgjidhet, por nuk u zgjidh. Meqë nuk u zgjidh, tani po pres.Këtu, shokët që janë në grevë thonë se do ta vazhdojnë grevën për shtatë ditë. Për shkak se nuk kemi dokumentacionin e nevojshëm, nuk mund të kthehemi mbrapsht. Nuk mund të hyjmë as nga një pikë tjetër kufitare. Jemi të detyruar të kalojmë vetëm nga këtu, me detyrim do të qëndroj këtu shtatë ditë. Nuk kemi asnjë alternativë tjetër rruge. Shpresojmë që të zgjidhet sa më shpejt.”

Ndërsa Nexhdet Xhanpolat thotë se është e pakuptimtë të lejohen ilaçet që kanë afat skadence deri në 6 vite dhe të ndalohen frigoriferët. Ai shton se rrezikon t’i prishet malli që po transporton në rast se nuk i jepet një rrugëzgjidhje e shpejtë. Sipas tij, janë të paktën katër kamionë frigoriferikë që janë bllokuar me mall brenda.

“Duke e ditur që këtu situata është kështu, nuk desha të vija në mbrëmje. Fjeta rrugës dhe erdha në mëngjes. Por tani, kur erdha në mëngjes dhe i numërova, ishin tetë makina para meje. Nga këto tetë makina, tre prej tyre, përfshirë edhe mua, janë frigoriferike. Ndërsa produkti që unë transportoj është domate, speca, patëllxhanë. Po presim, por ky mall prishet. Nuk mund të kthehem. Si të kthehem? Nuk mundem. Çfarë të bëj? Do të pres. Ai thotë minimumi shtatë ditë, maksimumi shtatë ditë. Deri atëherë nuk e di çfarë do të ndodhë. Ndërkohë, njerëzit më telefonojnë vazhdimisht: ‘Ku je? Pse po pret? Kur do të vish?’ Më bezdisin vazhdimisht në telefon duke thënë ‘shpejt, shpejt’. Por unë nuk kam çfarë të bëj. Nuk është në dorën time.”

Drejtuesit e protestës thonë se ende nuk ka një komunikim zyrtar mbi kërkesën e tyre për zgjatjen e afatit nga 90 ditë në 180 ditë, ndërsa shtojnë se në rast se nuk do të ketë një reagim nga Unioni i Shengenit, protesta nuk do të ndalet.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

“Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së

Pas tubimit përballë kryeministrisë qytetarë u mblodhën fillimisht para selisë së Partisë Socialiste dhe më pas u drejtuan edhe pranë selisë së Partisë Demokratike. Protestuesit...
23:07 | 03/06/2026

Rama për median ndërkombëtare: Shqipëria nën sulm nga armiqtë dhe në luftë hibride

Kryeministri Edi Rama këtë të mërkurë ka zhvilluar një intervistë për CNN ku ka folur lidhur me protestat që po zhvillohen kundër ndërtimit në Zvërnec....
21:35 | 03/06/2026

Dita e katër e protestës kundër projektit në Zvërnec, përplasje mes policisë dhe protestuesve

Dita e katërt e protestës kundër projektit në Zvërnec ka nisur këtë të mërkurë me tensione. Situata është përshkallëzuar kur protestuesit janë hasur me kordonin...
18:47 | 03/06/2026