Apneja e gjumit dhe gërhitja, mjeku tregon shkaqet, simptomat dhe trajtimet

1 Shkurt 2026 | 16:00

Në emisionin e fundit të Health O’Clock, mjeku i njohur doktor Edlir Dume, i vetmi ekspert në Shqipëri që diagnostikon dhe trajton apnenë e gjumit, foli për gërhitjen, apnenë e gjumit, shkaqet dhe mënyrat e trajtimit.

Doktor Dume, i cili ka punuar 11 vite në New York dhe prej një viti ka rikthyer përvojën e tij në Shqipëri, shpjegoi se apneja e gjumit është një problem shumë i përhapur dhe shpesh i nediagnostikuar:

“Në të gjithë botën, rreth një miliard njerëz vuajnë nga apneja e gjumit, por 80% e tyre nuk janë diagnostikuar.”

Ai sqaroi se apneja e gjumit është një çrregullim relativisht i ri në mjekësi, i diagnostikuar për herë të parë në vitet 1960, dhe që shkakton bllokimin e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes gjatë gjumit.

“Apnea, nga latinishtja, do të thotë mungesë e frymëmarrjes. Gjatë gjumit, rruga e frymëmarrjes bllokohet – kryesisht për shkak të rënies së gjuhës – dhe pacienti nuk mund të marrë frymë.”

Ai theksoi lidhjen mes gërhitjes dhe apnesë:

“Gërhitja e lehtë nuk është gjithmonë problem, por gërhitja e fortë, deri në nivelin që bezdis partnerin, është indikacioni i parë për apne. Gërhitja shpesh paraprin episodet e apnesë.”

Për simptomat që pacientët mund të vënë re, doktor Dume përmendi lodhjen dhe përgjumjen gjatë ditës, dhimbjet e kokës në mëngjes dhe tensionin e dhëmbëve:

“Shumica e episodeve të apnesë janë të vogla dhe pacienti nuk zgjohet plotësisht, por kjo krijon mikrozgjime që prishin gjumin dhe shkaktojnë lodhje ditore.”

Shkaqet kryesore të apnesë janë anatomike dhe lidhen me strukturën e nofullës dhe të rrugëve të frymëmarrjes, si dhe me evoluimin dhe zakonet e fëmijërisë:

“Fëmijët që marrin frymë nga goja kanë më shumë rrezik për të zhvilluar apne më vonë, dhe shkaqet tek të rriturit përfshijnë mbipeshën dhe ngushtimin e rrugëve të frymëmarrjes.”

Doktor Dume bëri të ditur se diagnostikimi mund të kryhet edhe në shtëpi përmes testeve të gjumit, që matin oksigjenimin dhe aktivitetin e zemrës gjatë natës. Trajtimet mund të jenë jo kirurgjikale, si maskat CPAP ose aparaturat për avancimin mandibolar, ndërsa ndërhyrjet kirurgjikale rekomandohen vetëm për rastet më të avancuara.

Ai dha edhe këshilla praktike për prindërit:

“Nëse fëmija gërhet në mënyrë të lartë ose ka episode ndalesash të frymëmarrjes, duhet të drejtohen tek ORL pediatri. Tek të rriturit, simptomat si lodhja ditore, përgjumja, dhimbjet e kokës ose problemet me zemrën janë sinjale për të kërkuar ndihmë.”

Doktor Dume nënvizoi rëndësinë e trajtimit të hershëm:

“Është më mirë të kapet apneja në fazën fillestare dhe të trajtohet me metoda jo kirurgjikale. Nëse nuk trajtohet, mund të çojë në sëmundje të zemrës, diabet dhe madje probleme kognitive si Alzheimer dhe demencë.”

Për qytetarët shqiptarë, shërbimet për diagnostikimin dhe trajtimin e apnesë së gjumit tashmë ofrohen edhe në Shqipëri, përfshirë testet e gjumit në spital ose në shtëpi, si dhe konsultat me specialistë të ORL-së, pulmonologë dhe stomatologë të specializuar në mjekësinë e gjumit.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

“Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së

Pas tubimit përballë kryeministrisë qytetarë u mblodhën fillimisht para selisë së Partisë Socialiste dhe më pas u drejtuan edhe pranë selisë së Partisë Demokratike. Protestuesit...
23:07 | 03/06/2026

Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet

Edhe pse protesta e qytetarëve u njoftua se është mbyllur pas disa orësh, dhjetëra të rinj kanë shkuar pranë ambienteve të selisë së PS-së. Ata...
22:28 | 03/06/2026

Rama për median ndërkombëtare: Shqipëria nën sulm nga armiqtë dhe në luftë hibride

Kryeministri Edi Rama këtë të mërkurë ka zhvilluar një intervistë për CNN ku ka folur lidhur me protestat që po zhvillohen kundër ndërtimit në Zvërnec....
21:35 | 03/06/2026