Serbia arreston një veteran të UÇK-së

5 Shkurt 2026 | 19:45

Një ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shtetas i Kosovës, është arrestuar nga autoritetet në Serbi paraditen e 5 shkurtit, thanë nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) dhe avokati Arianti Koci.

Nënkryetari i OVL të UÇK-së, Gazmend Syla, tha për Radion Evropa e Lirë se Lozhani u arrestua në kufirin mes Serbisë dhe Kroacisë dhe gjatë kontrollit i është gjetur në xhep kartela e anëtarësisë së veteranit të UÇK-së.

Syla shtoi se ai ka marrë pjesë në disa stërvitje në Shqipëri dhe nuk ka informacione të ketë qenë në vijat e frontit në Kosovë.

Ndërkaq, Koci tha se arrestimi ndodhi rreth orës 11:00 të 5 shkurtit.

Sipas tij, ky rast nuk është i izoluar, pasi arrestime të shtetasve të Kosovës që kalojnë nëpër Serbi po përsëriten.

Koci kërkoi nga autoritetet e Kosovës që të reagojnë për këto arrestime, pa përjashtuar edhe masa politike, “përfshirë edhe mbylljen 24-orëshe të kufirit, nëse arrestimet vazhdojnë”.

“Nga ana ime në cilësinë e avokatit, po bëhet maksimumi i mundshëm. Megjithatë, mbrojtja efektive e qytetarëve të Kosovës nuk mund të mbetet vetëm në nivel individual. Kjo është përgjegjësi e shtetit, brenda dhe jashtë kufijve të tij”, shkroi ai.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ende nuk kanë reaguar për këtë rast.

Ende nuk dihet se nën çfarë pretendimesh është arrestuar Lozhani.

Por, Serbia ka arrestuar vazhdimisht shtetas të Kosovës nën pretendime për krime lufte në Kosovë më 1998-’99, dhe vetëm në vitin 2025 u regjistruan disa arrestime të tilla.

Serbia gjatë viteve ’90 e karakterizoi UÇK-në si organizatë terroriste, ndërsa për Kosovën, UÇK-ja është organizata që mbrojti popullsinë lokale nga represioni i forcave të armatosura jugosllave.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Prattipati i bën thirrje Kosovës t’i bashkohet projektit amerikan për gazin

E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, i ka bërë thirrje Kosovës të hyjë në partneritet afatgjatë energjetik me Shtetet e...
19:18 | 04/06/2026

“Këtë verë do të jem në Prishtinë”, publikohet biseda e Dua Lipës me Katy Perry-n, ylli botëror pjesë e Sunny Hill

Këngëtarja me famë botërore Katy Perry do të jetë njëra prej këngëtareve kryesore që do të përformojë në Festivalin “Sunny Hill” në Prishtinë. Lajmi është...
17:54 | 04/06/2026

Vjosa Osmani në Gjilan: Besojmë në punë, rezultate dhe aleancën me ShBA-në

Kandidatja për president nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani ndodhet në Gjilan nga ku ka falënderuar qytetarët për mbështetjen, duke e cilësuar atë si një...
13:54 | 04/06/2026