Kryetarët serbë: Në takim me ministrin Krasniqi nuk u diskutua për integrimin

13 Shkurt 2026 | 13:06

Kryetarët e dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë u takuan të premten në Prishtinë me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Elbert Krasniçi, por thanë se “nuk është diskutuar për integrimin e institucioneve serbe të shëndetësisë dhe arsimit në sistemin e Kosovës”.

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviç, tha se ata nuk janë kompetentë për çështjen e integrimit dhe se ajo duhet të negociohet brenda kornizës së dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne, si kryetarë komunash, besojmë se kjo nuk është diçka me të cilën duhet të merremi; është ekskluzivisht një temë për negociata dhe negociatorët kryesorë”, tha ai.

Takimi i kryetarëve të dhjetë komunave me shumicë serbe dhe ministrit Krasniqi u paralajmërua më herët nga ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili tha se pesë-gjashtë javët e ardhshme janë shumë të rëndësishme për integrimin e institucioneve serbe të shëndetësisë dhe arsimit dhe se të gjithë duhet të jenë konstruktivë për këtë çështje.

“Do të ishte mirë që kryetarët e komunave të tregonin sa më shumë përgjegjësi që të jetë e mundur në këtë fazë, sepse mirëqenia e qytetarëve të tyre varet kryesisht nga qasja që do të ndjekin në javët e ardhshme”, tha Bislimi.

Megjithatë, Radojeviç tha se ky takim kishte të bënte me problemet komunale, administrative ose teknike, me të cilat po përballen komunat.

“Kemi edhe probleme me personelin dhe institucionale, ndryshimin e kufijve të komunave…”, tha ai.

Radojeviç shtoi se nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga ministri Krasniqi për problemet e ngritura, por se e pret në të ardhmen.

Një ditë më herët, kryetarët e komunave me shumicë serbe në Kosovë miratuan një deklaratë, me të cilën hodhën poshtë dhe dënuan çdo veprim ose aktivitet që mund të rrezikojë punën dhe shërbimet e institucioneve shëndetësore dhe arsimore, që veprojnë në mjediset me shumicë serbe, brenda sistemit të Serbisë.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rubio: Anëtarësimi i Kosovës në NATO tani nuk është në krye të agjendës së aleatëve

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se zgjerimi i NATO-s për të përfshirë Kosovën aktualisht nuk është në krye të agjendës së aleatëve, por...
08:17 | 04/06/2026

Rreth 90 serbë dëbohen nga aeroporti i Tivatit, policia malazeze i cilëson rrezik për sigurinë

Rreth 90 shtetas të Serbisë janë dëbuar nga aeroporti i Tivatit dhe u është ndaluar hyrja në Mal të Zi, pasi konsiderohen “rrezik për sigurinë”,...
19:15 | 03/06/2026

Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani këtë të mërkurë është takuar me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa në kuadër të vizitës së tij në Prishtinë....
16:28 | 03/06/2026