Vrasja e Artur Tushit në Kolumbi, arrestohen 9 anëtarë të “La Oficina Premium”

18 Shkurt 2026 | 13:19

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e shqiptarit Artur Tushi, 44 vjeç, i cili u qëllua me armë zjarri 11 herë pranë qendrës tregtare Santafé në Medellín, në tetor të vitit të kaluar.

Hetuesit kanë identifikuar autorët e dyshuar të sulmit, të cilët besohet se janë pjesë e grupit kriminal “La Oficina Premium”, një organizatë që, sipas mediave lokale, synon persona të huaj me profil të lartë në Medellín dhe qytete të tjera të Kolumbisë.

Autoritetet në Medellín konfirmuan arrestimin e nëntë anëtarëve të dyshuar të kësaj organizate, të akuzuar se qëndrojnë pas katër vrasjeve të shtetasve të huaj në kryeqytetin e departamentit të Antioquia-s, si dhe për lidhje të mundshme me vrasjen e kandidatit presidencial Miguel Uribe Turbay.

Sipas gazetës El Colombiano, grupi është i specializuar në vrasje me pagesë ndaj viktimave të huaja, si në Medellín ashtu edhe në qytete të tjera, madje edhe jashtë vendit. Operacioni policor u zhvillua në lagjen Kennedy, në zonën veriperëndimore të qytetit, ku u arrestuan nëntë persona. Ata po përballen me seanca paraprake për akuza që lidhen me trafikim dhe posedim të paligjshëm të armëve të zjarrit.

Gjatë bastisjes u sekuestruan tetë armë zjarri, përfshirë një mitraloz dhe disa revolverë, si dhe 29 telefona celularë, shumë prej tyre me linja ndërkombëtare. Kryebashkiaku i Medellín-it, Federico Gutiérrez, deklaroi se armët do t’i nënshtrohen Sistemit të Unifikuar të Krahasimit Balistik për të verifikuar nëse janë përdorur në vrasje të tjera.

Sipas hetimeve paraprake, vrasja e Tushit, i përshkruar si 44-vjeçar shqiptaro-ekuadorian, dyshohet të lidhet me aktivitete të paligjshme që përfshijnë trafikimin e qenieve njerëzore dhe narkotikëve, me përfshirjen e grupeve kriminale shqiptare, ekuadoriane dhe kolumbiane. Ai u qëllua teksa po kthehej në banesën ku qëndronte, në një atentat të planifikuar.

Ndër rastet e tjera që i atribuohen paraprakisht këtij grupi është vrasja e meksikanit Horacio Pérez Ledezma, si dhe çështje të tjera që përfshijnë shtetas të huaj. Për disa prej tyre vijojnë hetimet, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë për raste që lidhen me qytetarë amerikanë dhe kanadezë.

Sipas autoriteteve, vrasjet me pagesë ndaj të huajve variojnë nga 400 mijë deri në 500 mijë dollarë, në varësi të profilit të viktimës dhe kompleksitetit të operacionit. Hetimi sugjeron se pagesat mund të jenë kryer përmes transfertave në parajsa fiskale ose përmes kriptovalutave, me qëllim shmangien e gjurmimit financiar.

Gjatë operacionit, autoritetet zbuluan edhe një altar me figura fetare dhe sende të lidhura me praktika ezoterike. Sipas raportimeve, anëtarët e grupit dyshohet se kryenin rituale para se të realizonin krimet. Megjithatë, autoritetet theksuan se të gjitha këto elemente janë pjesë e një hetimi paraprak dhe do të verifikohen në procesin gjyqësor.

Edhe pse nëntë të arrestuarit aktualisht përballen me akuza për armëmbajtje pa leje, Zyra e Prokurorit dhe autoritetet lokale po punojnë për ngritjen e akuzave të tjera që lidhen me vrasje të rënduara dhe organizatë kriminale.

Autoritetet kanë theksuar se hetimet janë ende në zhvillim dhe pritet bashkëpunim ndërkombëtar për të zbardhur plotësisht shtrirjen e rrjetit kriminal.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Autori ish-ushtarak bënte qitje në pyll, pamje nga vendi ku u vra polici në Maliq (VIDEO)

Një punonjës policie u vra dhe një tjetër u plagos gjatë një operacioni për kapjen e një personi në kërkim prej vitesh në fshatin Podenë,...
10:45 | 04/06/2026

LIVE- Efektivi i policisë vritet në krye të detyrës në Maliq, plagoset kolegu. Reagimet e politikës

Një punonjës policie u vra dhe një tjetër u plagos gjatë një operacioni për kapjen e një personi në kërkim prej vitesh në fshatin Podenë,...
10:27 | 04/06/2026

Vrasja e policit në Maliq, reagon ministri i Brendshëm: Dënoj me forcën më të madhe këtë akt kriminal

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Maliq, ku një efektiv policie u vra dhe një tjetër mbeti...
09:53 | 04/06/2026