Shkrimtari Daniel Kehlmann promovon romanin “Lojë dritash” në Gjirokastër

4 Prill 2026 | 15:46

Shkrimtari i mirënjohur gjermano-austriak Daniel Kehlmann ka promovuar romanin e tij “Lojë dritash” në shtëpinë e lindjes së gjeniut të letërsisë shqipe Ismail Kadare, në qytetin e Gjirokastrës. Kehlmann është autor i dhjetëra veprave, ndërsa romani i tij më i njohur “Matja e botës”, i përkthyer në mbi njëzet gjuhë të botës, është libri më i shitur në gjuhën gjermane. Ai është fitues i disa çmimeve prestigjioze ndërkombëtare për letërsinë. Përgjatë bashkëbisedimeve me lexuesit, shkrimtari u shpreh se me Gjirokastrën është njohur përmes librave të Kadaresë, ndërsa qyteti i gurtë do të jetë subjekt në krijimtarinë e tij letrare.

“Ky qytet është shumë i bukur. Është i mrekullueshëm, si qytet përrallash, si qytet nga librat. Zor ta besoj që ndodhem këtu. Është një qytet i magjishëm i rrethuar nga malet, i denjë për të qenë një subjekt letrar më vete”, thotë shkrimtari Daniel Kehlmann.

Së bashku me përkthyesen Anna Kove, Kehlmann prezantoi vlerat dhe risitë e romanit “Lojë dritash”. Kjo vepër letrare kthen vëmendjen e lexuesit te jeta nën diktaturë.

“Jam shumë i lumtur që librin tim po e prezantoj sot në shqip. Romani quhet “Lojë dritash”. Është një histori e vërtetë e një regjizori që në kohën e nazizmit do të udhëtonte në Hollivud, u arratis atje dhe për arsye familjare u kthye sërish dhe bëri filma për nazistët. Kjo është një histori për lirinë dhe për mungesën e lirisë, për artin, diktaturën dhe unë shpresoj shumë që dhe lexuesi shqiptar me historinë e tij të gjejë veten”, thotë ai.

Krahas Gjirokastrës, shkrimtari Daniel Kehlmann ka zhvilluar një tur bashkëbisedimesh me lexuesit në disa qytete të vendit.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mbahet panairi folklorik dhe artizanal në Dimal, promovim i trashëgimisë kulturore

Për të dytin vit radhazi, qyteti i Dimalit mirëpriti aktivitetin festiv kushtuar trashëgimisë kulturore dhe historike të zonës, një aktivitet që bëri bashkë fëmijë, mësues,...
19:36 | 16/06/2026

Korça u kthye për tre ditë në qendër të artit bashkëkohor ndërkombëtar

Ka përfunduar në Korçë edicioni i katërt i “Gjon Mili Video Art Festival”, aktiviteti që për tre ditë me radhë e ktheu qytetin në një...
18:47 | 15/06/2026

Çelet ekspozita me 45 ikonat e Muzeut të Korçës, arti mesjetar shqiptar prezantohet në Francë

Një nga koleksionet më të çmuara të trashëgimisë artistike shqiptare ka mbërritur në Francë. Në Chambéry (Shambery) është hapur ekspozita “Ikonat e Shqipërisë – Thesaret e...
13:19 | 14/06/2026