Protesta për 1 Majin në Shkup! Qindra punëtorë mbushin rrugët, kërkojnë paga më të larta

1 Maj 2026 | 13:39

Qindra punëtorë dhe sindikata sot mbushën rrugët e Shkupit në Maqedoninë e Veriut, duke protestuar për 1 Majin, me pankarta dhe thirrje për dinjitet.

Qytetarët marshuan në qendër duke theksuar se rritja e çmimeve ka goditur drejtpërdrejt standardin e jetesës, ndërsa pagat, sipas tyre, kanë mbetur të pamjaftueshme për të përballuar shpenzimet mujore. Kërkuan rritje urgjente të pagës minimale në 600 euro.

“Sot kemi dalë t’u themi se sipas të dhënave të tyre, gjysma e punëtorëve në Maqedoni jeton me më pak se 600 euro. Një e treta jeton nën pragun e varfërisë. Kemi dalë t’u themi se ajo që po bëjnë nuk mjafton”, është shprehur Sllobodan Trendafilov, kryetar i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM).

Sindikatat kërkojnë edhe respektim të drejtave të punëtorëve dhe masa konkrete për përmirësimin e kushteve të punës. Ata paralajmërojnë se nëse nuk ka reagim nga institucionet, do të pasojnë protesta të tjera dhe forma të reja presioni.

“Po ua vjedhin të rinjve edhe shkëndinë e fundit. Po na i marrin pagat. Turp për çdo denar që ua marrin punëtorëve. Këto ndërtesa janë ndërtuar me djersën tonë, ndërsa familjet po ikin nga vendi”, ka thënë Ivan Peshevski, kryetar i Sindikatës së Ndërtimtarisë, Industrisë dhe Projektimit.

Protesta u zhvillua pa incidente, me prani të shtuar të policisë. Mesazhi kryesor që dominoi ishte i qartë: “Punëtorët meritojnë dinjitet, jo mbijetesë”.

Nga ana tjetër, koalicioni qeveritar VLEN, përmes një reagimi, thekson se mbrojtja e të drejtave të punëtorëve dhe rritja e pagave mbeten prioritet. Ata përmendin rritjen e pagës minimale në 430 euro, si dhe masa për mbështetjen e sektorëve të ndryshëm dhe përmirësimin e standardit jetësor, ndërsa premtojnë se paga minimale do të rritet në 500 euro.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Gjykata Kushtetuese heq emrat shqiptarë të rrugëve në qytetin e Tetovës

Vendimi është miratuar me pesë vota “për”, ndërsa kundër votuan dy gjyqtarët shqiptarë dhe gjyqtari që përfaqëson komunitetin turk në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese e...
19:34 | 18/06/2026

Debate në Kuvendin e RMV për ligjin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat

Debate të ashpra kanë karakterizuar punimet në Kuvend gjatë shqyrtimit në lexim të parë të ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat. Opozita shqiptare ka...
20:07 | 16/06/2026

Bullgaria kërkon më shumë kushte për Maqedoninë e Veriut në procesin e BE-së

Bullgaria vazhdon të ketë kërkesa ndaj Maqedonisë së Veriut edhe përtej përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë, duke e zgjeruar debatin mbi procesin eurointegrues të vendit....
16:37 | 11/06/2026