‘Llogaridhënia nuk cenon pavarësinë’, Xhafaj: Spekulime pretendimet për kontroll të SPAK

28 Maj 2026 | 18:51

Socialistët dhe demokratët ujdisën në rregulloren e re që drejtuesi i SPAK të bëjë raportimin vjetor jo më edhe në sallë të kuvendit dhe para 140 deputetëve, por vetëm në dy komisione parlamentare, njëri prej të cilëve është ai që drejtohet nga Fatmir Xhafaj.

Për këtë ndryshim kryetari i komisionit për mbikëqyrjen e institucioneve ku përfshihen edhe të drejtësisë deklaroi se qëllimi nuk është të cënohet pavarësia, por një e drejtë e parlamentit për të ushtruar kontroll për mirëfunksionimin e e tyre, ku përfshihet edhe SPAK.

Opozita që në legjislaturën e shkuar e bojkotoi të ashtuquajturin komisioni “Xhafaj” rreshtoi kërkesat e saj.

Në tryezën ku Fatmir Xhafaj qartësoi qëllimin e parlamentit për të forcuar kontrollin ndaj qeverisë dhe institucioneve të pavarura, përfshirë ato të drejtësisë, ambasadori i Hollandës në Tiranë tregoi kushtet që çojnë Shqipërinë në Bashkimin Evropian.

Suksesi i integrimit në BE do të matet nga forca e institucioneve demokratike, besimi që qytetarët kanë tek ato dhe aftësia e këtyre institucioneve për t’i shërbyer interesit publik në mënyrë transparente. Parlamenti duhet të ushtrojë një kontroll të vërtetë.

Fjala e kreut të Komisionit Fatmir Xhafaj:

Ju falenderoj për praninë në këtë aktivitet të Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, organizuar në bashkëpunim me dy projektet e mbështetura nga qeveritë mike të Zvicrës dhe Holandës.

Krijimi i këtij komisioni nuk është thjesht një ndryshim strukturor në Kuvend. Ai është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të përforcuar rolin kushtetues të Parlamentit dhe për ta bërë Parlamentin Shqiptar më funksional, më transparent dhe sa më të hapur për qytetarët.

Kolegët e mi deputetë, anëtarë të këtij komisioni, besoj se do t’ju japin përgjigje disa çështjeve mbi qëllimin e ngritjes së këtij komisioni, fushën e tij të përgjegjësisë, metodologjinë që jemi duke ndërtuar në përmbushje të misionit të tij dhe përdorimin efektiv të mekanizmave institucionalë që lejon Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit. Gjithashtu edhe se çfarë jemi duke bërë konkretisht për programimin dhe strukturimin e punës sonë, por edhe për bashkëpunimin dhe raportet me komisionet e tjera të Kuvendit, si dhe me shoqërinë civile, grupet e interesit dhe ekspertët e fushës.

Në çdo demokraci funksionale, cilësia e qeverisjes nuk matet vetëm nga aftësia për të miratuar ligje, por edhe nga aftësia për të garantuar zbatimin e tyre, llogaridhënien institucionale dhe mbrojtjen e interesit publik. Mbikëqyrja parlamentare nuk duhet të jetë një instrument formal dhe as duhet të shndërrohet në një mekanizëm përballjeje institucionale, dhe ca më keq, politike.

Ajo është një funksion kushtetues themelor i Kuvendit, i lidhur drejtpërdrejt me parimin e balancës dhe kontrollit ndërmjet pushteteve, mitologjinë publike, me transparencën institucionale dhe me vetë funksionimin e shtetit të së drejtës.

Është e vërtetë ajo që tha zoti Seamini. Kuvendi ka ushtruar funksionin e tij mbikëqyrës ndër vite, por po aq e vërtetë është sa shpesh ky proces ka qenë fragmentar, jo i koordinuar dhe pa ndjekje të qëndrueshme të rekomandimeve parlamentare. Edhe peticionet apo nismat qytetare nuk kanë prodhuar gjithmonë ndikimin e pritshëm dhe nuk kanë pasur në funksion të tyre një komision të përhershëm parlamentar. Është fakt që në këto aspekte ne ende nuk kemi arritur të krijojmë një eksperiencë dhe rekorde të qëndrueshme pozitive.

Mikërisht, si përgjigje ndaj kësaj nevoje reale u krijua ky komision, por edhe si reflektim i rekomandimeve të Bashkimit Evropian, dhe si një detyrim i piketave të ndërmjetme dhe tashmë ato përmbyllëse për pozicionin negociues të kapitujve themelorë për forcimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit.

Natyrshëm, krijimi i një strukture të re parlamentare ka sjellë debate, dhe kjo është një gjë normale në demokraci. Por fatkeqësisht, në jo pak raste kemi parë edhe spekulime apo interpretime të nxituara, të nxitura mbi rolin e këtij komisioni. Ndaj dua ta them shumë qartë:

  • Kontrolli parlamentar nuk është konflikt institucional.

  • Mbikëqyrja parlamentare nuk është ndërhyrje.

  • Llogaridhënia nuk cenon pavarësinë institucionale.

  • Transparenca nuk është kundërshtare e pavarësisë.

Përkundrazi, këto janë parime dhe vlera thelbësore për sistemin demokratik të qeverisjes, funksionimin e demokracisë parlamentare dhe shtetin e së drejtës. Kushtetuta dhe Rregullorja gjithashtu është e qartë: komisionet parlamentare nuk ushtrojnë kompetenca ekzekutive dhe nuk ndërhyjnë në vendimmarrjen e institucioneve të pavarura.

Kushtetuta dhe standardet evropiane na ngarkojnë me përgjegjësinë institucionale të ushtrimit të mbikëqyrjes dhe kontrollit parlamentar ndaj institucioneve publike, dhe sidomos ndaj ekzekutivit. Sot pothuajse të gjitha parlamentet evropiane kanë mekanizma të posaçëm për kontrollin pas-legjislativ, monitorimin e politikave publike dhe bashkëpunimin e strukturuar me shoqërinë civile dhe institucionet e pavarura, dhe ca më shumë për trajtimin e peticioneve dhe nismave qytetare. Komisione të ngjashme me ne, në disa shtete evropiane anëtare të Bashkimit Evropian, janë të vetmet të fiksuara në kushtetutat e tyre, ndërsa krijimi i komisioneve të tjera parlamentare është kompetencë e vetë parlamenteve në legjislaturat përkatëse në varësi me prioritetet e tyre.

Pra, ajo që po bëjmë nuk është një eksperiment shqiptar, por pjesë e një praktike të qëndrueshme parlamentare evropiane. Madje, në vetë procesin e integrimit evropian, ne përballemi çdo ditë tashmë me monitorim, vlerësim dhe mbikëqyrje nga institucionet e Bashkimit Evropian, dhe me shumë të drejtë, sepse kontrolli institucional është pjesë e standardeve të tyre demokratike.

Pyetja është se ndërsa ne e konsiderojmë si normale këtë mbikëqyrje, përse duhet të kemi rezerva ndaj mbikëqyrjes parlamentare brenda vendit tonë, kur ajo zhvillohet brenda kufijve kushtetues dhe në funksion të interesit publik?

Ndaj është e rëndësishme krijimi i një kulture të shëndetshme të komunikimit institucional. Ne jemi të vetëdijshëm se kontrolli parlamentar në përgjithësi, dhe sidomos në rastin e institucioneve të pavarura, është një nga balancat më delikate në çdo demokraci funksionale. Ne e konsiderojmë të papranueshme gjatë këtij procesi komentimin e çështjeve konkrete apo çdo lloj ndikimi në vendimmarrjet e tyre institucionale, për të gjitha institucionet e pavarura, jo vetëm për ato të drejtësisë, gjë që do ta saktësojmë edhe në rregulloren e brendshme të komisionit që do të miratojmë së shpejti.

Parlamenti ka detyrë kushtetuese të mbikëqyrë institucionet publike, përfshirë edhe ato të drejtësisë sigurisht, por brenda kornizës kushtetuese dhe duke konsideruar të shenjtë pavarësinë e tyre vendimmarrëse dhe institucionale.

Natyrisht, ne kemi vetëdijen se ndërtimi i një kulture më moderne të mbikëqyrjes parlamentare kërkon kohë, bashkëpunim dhe vullnet politik. Ajo kërkon gjithashtu dialog gjithëpërfshirës, ekspertizë profesionale, transparencë dhe bashkëpunim të qëndrueshëm me shoqërinë civile, grupet e interesit, ekspertët, median dhe sidomos me institucionet e pavarura. Pikërisht për këtë arsye, kjo tryezë nuk është thjesht një aktivitet prezantues, por një ftesë për partneritet dhe bashkëpunim.

Duke ju falenderuar të gjithëve për praninë tuaj në këtë tryezë pune, ne mirëpresim kontributet tuaja se si mund ta bëjmë më mirë punën tonë, se si ta përmbushim më së miri këtë sfidë të vështirë, por të domosdoshme. E mbi të gjitha vlerësojmë shumë bashkëpunimin në këto fusha me interes të përbashkët.

E ndjej të nevojshme të theksoj se në këtë proces ka qenë dhe mbetet shumë e rëndësishme mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë. Ne jemi shumë falenderues projektit PACEP 2, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, për mbështetjen e vyer që është duke na dhënë në këtë rrugëtim. Gjithashtu, vlerësoj edhe mbështetjen nga qeveria holandeze dhe Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes nëpërmjet projektit Cluster 1, për kontributin e çmuar në trajtimin e temave të tilla dhe kryesorja, mbështetjen me analiza dhe dokumente pune të vlefshme për reflektimin në punën tonë në këtë fushë.

Në mbyllje dua të theksoj se forcimi i mbikëqyrjes parlamentare lidhet drejtpërdrejt me ecurinë e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë. Në dokumentet kryesore të Bashkimit Evropian për Shqipërinë, përfshirë edhe raportin e fundit të screening, theksohet nevoja për më shumë transparencë, kontroll parlamentar efektiv dhe konsultim publik. Me angazhimin tonë përmes këtij komisioni, ne synojmë të japim një kontribut real në përballjen e këtyre sfidave.

Mirëpresim monitorimin, bashkëpunimin dhe kontributin tuaj.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Dosja “Ura”, BKH arreston Adi Çobën, i akuzuar si organizator i trafikut të heroinës dhe kokainës

Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) ka arrestuar në Durrës Adi Çobën, i cili ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të përbashkët italo-shqiptar “Ura”....
23:25 | 01/07/2026

Vijon marshimi, qytetarët mblidhen para Parlamentit: Nesër në 10 (VIDEO)

Qytetarët gjatë marshimit të tyre në rrugët e Tiranës kanë ndaluar para ambienteve të Parlamentit. Ata mbajnë në duar pankarta teksa bëjnë thirrje së nesër...
22:16 | 01/07/2026

“Nuk e dija që do isha kandidate për kryesinë”, Grimci: Kisha bërë kërkesë por ja kur e mora vesh..

Eda Grimci, ka folur në Now pas zbardhjes së listës së kandidatëve të propozuar për anëtarë të Kryesisë të Partisë Demokratike, ku dhe ajo është...
22:10 | 01/07/2026