Prattipati i bën thirrje Kosovës t’i bashkohet projektit amerikan për gazin
E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, i ka bërë thirrje Kosovës të hyjë në partneritet afatgjatë energjetik me Shtetet e Bashkuara përmes projektit për gazin e lëngshëm natyror (LNG), duke thënë se kjo do t’i ndihmonte ta sigurojë të ardhmen e vet energjetike.
Në një opinion për mediat kosovare të enjten, Prattipati tha se “së bashku, ne mund të forcojmë sigurinë energjetike dhe t’i rrisim ekonomitë tona krah për krah”.
Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk është përfshirë në projektet që zgjerojnë ndikimin energjetik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon.
Në opinionin e saj, Prattipati tha se Kosova nuk po arrin t’i përmbushë kërkesat në rritje për furnizim me energji dhe citoi të dhënat e Doganës së Kosovës, se vendi ka shpenzuar 735 milionë euro në importimin e energjisë elektrike nga vendet fqinje në katër vjetët e fundit.
Këto të dhëna tregojnë një rritje nga 142 milionë euro në vitin 2024 në 259 milionë euro në vitin 2025.
“Në të ardhmen e parashikueshme, përderisa çmimi dhe kërkesat për energji vazhdojnë të rriten, Kosova do të varet gjithnjë e më shumë nga fqinjët e saj”, shkroi ajo.
Prattipati gjithashtu e citoi të dërguarin e posaçëm të Departamentit amerikan të Energjisë, Joshua Volz, i cili tha për Radion Evropa e Lirë më 10 maj se “sistemi energjetik në Kosovë ka nevojë urgjente për modernizim dhe paraqet mundësi të shkëlqyeshme për industrinë dhe teknologjinë amerikane”, dhe se “Departamenti i Energjisë do të jetë i gatshëm të ndihmojë në lehtësimin e bashkëpunimit ndërmjet industrisë amerikane dhe partnerëve industrialë në Kosovë”.
“Për të adresuar këto sfida strukturore, Kosova do të duhej t’i bashkohej projekteve amerikane të gazit natyror të planifikuara nëpër Ballkan. Këto projekte mund të sigurojnë burime energjetike amerikane për Kosovën”, shkroi tutje Prattipati.
Në Samitin Trans-Atlantik për Sigurinë e Gazit, të mbajtur në shkurt në Uashington, ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, tani në detyrë, shprehu gatishmërinë e Kosovës për t’u furnizuar me gaz natyror nga Shtetet e Bashkuara, duke e përshkruar bashkëpunimin si “vendimtar” për një sektor të sigurt energjetik.
Për një vend si Kosova, ku rreth 90 për qind e energjisë elektrike prodhohet ende nga qymyri, dhe vetëm rreth 10 për qind vjen nga burime të ripërtëritshme si uji, era dhe dielli, gazi mund të shërbejë si alternativë për të thyer varësinë e thellë nga një burim i vetëm.
Por, gjatë javëve të fundit, kur SHBA-ja dhe kompani amerikane kanë nënshkruar marrëveshje miliardëshe me disa vende të Ballkanit Perëndimor – për të zgjeruar ndikimin energjetik në rajon – Kosova nuk ka qenë pjesë e kësaj vale investimesh.
Në iniciativa të rëndësishme kanë hyrë: Shqipëria, Kroacia dhe Bosnje e Hercegovina, përfshirë edhe në një projekt të madh për ndërtimin e një tubacioni gazi që synon ta shkëpusë Sarajevën nga furnizimet ruse.
Prattipati i bëri thirrje Kosovës të veprojë shpejt për të realizuar këtë partneritet sepse ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme do të kërkojë kohë.
Ajo paralajmëroi se “mundësia për t’iu bashkuar këtyre projekteve po mbyllet”.
“Eksportet e LNG-së amerikane pritet të dyfishohen deri në vitin 2030 dhe do të rrjedhin përmes projekteve rajonale si Korridori Vertikal i Gazit dhe terminali lundruesi gazit natyror në Kroaci”, theksoi ajo.
Sipas saj, Kosova gjithashtu mund të lidhet me gazsjellësin që po ndërtohet për të lidhur terminalin e LNG-së në Aleksandrupolis në Greqi me Shkupin në Maqedoninë e Veriut.
“Vonesa e këtij vendimi rrezikon që furnizimet amerikane të LNG-së të zotohen diku tjetër dhe një gjë e tillë mund ta lërë Kosovën si vendin e vetëm në Ballkanin Perëndimor pa qasje në GNL-në amerikan. Historia nuk mund të qëndrojë në rrugë të vendimeve që do t’i sjellin përfitime popullit të Kosovës sot dhe në të ardhmen”, shkroi Prattipati.
Njohësit e zhvillimeve që ndërlidhen me energjetikën në Kosovë vlerësojnë se SHBA-ja po bën përpjekje që t’i mos i lërë vendet e Ballkanit Perëndimor të cenueshme përballë ndikimit rus dhe ndikimeve tjera në sektorin e energjisë.
Ish-ministri i Energjetikës i Kosovës, Ethem Çeku, konsideron se gazi i lëngshëm amerikan është një nga alternativat që mund t’i sigurojë vendit sigurinë energjetike.
“Zgjidhjen më të mirë e kemi duke përdorur gazin amerikan, të cilin qeveria e presidentit Trump po e ofron për ta larguar Ballkanin nga ndikimi i Gazprom-it rus”, tha Çeku për Radion Evropa e Lirë të mërkurën.
Inkuadrimi në zinxhirin e furnizimit me gaz të lëngshëm nga SHBA-ja është vlerësuar të jetë me rëndësi për sigurinë kombëtare edhe nga drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka.
Në një intervistë për REL-in, ditë të parë, ai tha se “siguria energjetike sot është siguri kombëtare” dhe se “këtë Kosova po dështon që ta kuptojë”.
Kosova deri më tash ka mbetur jashtë sistemit të ndërlidhjes në rrjetin që sjellë gazin amerikan në rajon, por këtë mund ta bëjë duke u ndërlidhur me Shqipërinë ose Maqedoninë e Veriut, thotë Çeku.
“Këtë verë do të jem në Prishtinë”, publikohet biseda e Dua Lipës me Katy Perry-n, ylli botëror pjesë e Sunny Hill
Vjosa Osmani në Gjilan: Besojmë në punë, rezultate dhe aleancën me ShBA-në
Prishtina solidarizohet me Tiranën, protestë kundër investimit në Zvërnec
- 21:10 Hezbollahu kundërshton armëpushimin e rinovuar të arritur nga Izraeli dhe Libani
- 21:07 Konflikti në Gjirin Persik/ Teherani kërkon lirim të 50% të fondeve të ngrira pas nënshkrimit të memorandumit me SHBA-në
- 21:05 Trump: Rezoluta e Dhomës së Përfaqësuesve për të kufizuar fuqitë e luftës është jopatriotike
- 21:00 Paraqitje pozitive ndaj Izraelit, Sherri: Nder dhe krenari të vesh atë fanellë, nuk do e harroj kurrë!
- 21:00 Dy trofe në këtë sezon, Interi “shpërblen” me kontratë të re trajnerin Chivu, detajet
- 20:54 Andoni Iraola emërohet trajneri i ri i Liverpoolit