Dita e 10-të e protestës në Tiranë, aktivistët dhe qytetarët mblidhen para Kryeministrisë
Edhe këtë të martë, në orën 18:00, përfaqësues të shoqërisë civile, aktivistë dhe qytetarë u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, në ditën e 10-të të protestës për çështjen e zonave të mbrojtura.
Nga aty, ata vijuan të kërkonin dorëheqjen e qeverisë me thirrje të tilla si “Shqipëria është e shqiptarëve” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”.
Nga aty, protestuesit marshuan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ndërsa më pas janë ndalur përpara Kryeministrisë, ku po vijojnë tubimin e tyre.
Paralelisht, protesta të ngjashme zhvillohen edhe në disa qytete të tjera të vendit, përfshirë Korçën, Vlorën, Elbasanin etj.
Protesta që nisi fillimisht si reagim kundër projektit turistik në zonën e Pishë Poros dhe Sazanit, ka hyrë sot në ditën e dhjetë të saj. Lëvizja u zhvillua pas kundërshtimeve ndaj investimit të planifikuar në zonë të mbrojtur dhe më pas u zgjerua në një mobilizim më të gjerë qytetar.
Gjatë ditëve të protestës, qytetarët kanë artikuluar pesë kërkesa kryesore: largimin e qeverisë, shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investitorët strategjikë, anulimin e Paketës së Maleve, anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore. Në tubimet e zhvilluara në Tiranë dhe qytete të tjera janë dëgjuar gjithashtu thirrje kundër të gjithë klasës politike.
Organizatorët kanë njoftuar vijimin e protestave edhe në ditët në vijim, duke deklaruar se kërkesat e tyre mbeten të pandryshuara.
Ndërkohë, Komisioni Europian ka deklaruar se po ndjek nga afër zhvillimet në zonën Pishë Poro–Nartë dhe se i ka përcjellë shqetësimet Ministrisë së Mjedisit lidhur me mangësitë e mundshme të projektit. Zëdhënësi Guillaume Mercier bëri të ditur se punimet janë pezulluar dhe se pritet një vlerësim gjithëpërfshirës i ndikimit në mjedis, në konsultim me shoqërinë civile, duke kujtuar gjithashtu se projekti është objekt hetimi nga SPAK.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama deklaroi në një konferencë me gazetarë europianë se protesta është nxitur nga një akt dhune i një punonjësi sigurie ndaj një qytetari, për të cilin janë marrë masa të menjëhershme. Ai theksoi se nuk ekziston një projekt i miratuar për t’u anuluar, por vetëm një shprehje interesi dhe një proces konsultimi, duke e cilësuar investimin si një mundësi të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit.
Ndersa për këtë çështje, SPAK ka nisur gjithashtu një hetim, teksa ka bllokuar llogaritë bankare të pronarëve të tokës, duke vendosur sekuestro për shumën prej 195 milionë dollarësh, e transferuar drejt tyre nga vëllezërit nga Katari.
Ndërkohë, organi i akuzës po verifikon edhe një sërë vendimesh gjyqësore që lidhen me titujt e pronësisë, ndërsa thuhet se konfliktet ligjore mbi pretendimet për sipërfaqet e tokave vijojnë të mbeten ende të hapura.
Protestuesi nga Gjermania: Diaspora dhe intelektualët të krijojnë një front politik
Një protestues i ardhur nga Gjermania, i cili kishte veshur një bluzë me mbishkrimin “Diaspora është me ju”, u bëri thirrje shqiptarëve jashtë vendit dhe intelektualëve që të angazhohen më shumë në zhvillimet politike në vend.
Gjatë fjalës së tij, ai theksoi se Shqipëria i përket të gjithë shqiptarëve, pavarësisht se ku jetojnë, ndërsa u kërkoi pjesëtarëve të diasporës të bashkohen me protestën dhe intelektualëve të krijojnë një front politik kundër qeverisë.
“Shqipëria nuk është pronë private, por atdheu i gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen. Unë e kam lënë vendin tim kur kam qenë 18 vjeç, por sot jam kthyer këtu sepse vendi ynë ka nevojë për ne. I bëj thirrje diasporës të vijë këtu me ne. U bëj thirrje gjithë intelektualëve në Shqipëri, bëni një front politik kundër. Të gjithë duhet të jenë këtu”, tha protestuesi.
E reja nga diaspora: Protesta është fytyra europiane e Shqipërisë
Një vajzë e re, e cila kishte ardhur nga jashtë vendit për t’iu bashkuar protestës, e ka cilësuar këtë ngjarje si një moment historik.
E reja u shpreh se kjo ditë shënon fundin e një tranzicioni të tejzgjatur ndërsa theksoi se shqiptarët po tregojnë bashkim dhe dinjitet.
“Për herë të parë në 35 vite shqiptarët bëhen bashkë. Është moment historik sepse shqiptarët dëshmojnë se Shqipëria është mbi gjithçka. Për herë të parë tregojnë se nuk nëpërkëmben dot nga askush, sepse po shpaloset fytyra më dinjitoze e Shqipërisë. Sot shenjojmë fundin e tranzicionit të tejzgjatur. Sot fytyra europiane e Shqipërisë është kjo protestë, jeni ju. Sot Shqipërisë i dalim vetë për zot. Prandaj, gjej rastin të bëj thirrje për çdo shqiptar që s’është ende këtu të na bashkohet përditë në bulevard, sepse është një përjetim që i takon kujtdo që e do Shqipërinë vërtet. Uroj që Zoti ta bekojë Shqipërinë, por bekimi i Shqipërisë është kjo protestë, jeni ju”, tha ajo.
Me fotot e dëshmorëve në duar, qytetarët e Gjirokastrës në protestë në ditën e tretë kundër projektit të Zvërnecit
Në qytetin e Gjirokastrës, qytetarët kanë protestuar për të tretën ditë radhazi për anulimin e projektit të Zvërnecit.
Pjesëmarrësit në protestë janë mbledhur në sheshin “Çerçiz Topulli”, ndërsa risia ka qenë se në duar mbanin fotografi të patriotëve dhe dëshmorëve. Krahas mesazhit “Atdheu nuk shitet”, protestuesit kanë folur edhe për problemet ekonomike dhe sociale me të cilat përballet sot Shqipëria.
Ndërkohë, protestat po vijojnë edhe në qytete të tjera në Shqipëri, duke përfshirë Korçën, Elbasanin si dhe Tiranën, ku pjesëmarrja është më e madhe. Këtë të martë, protestat hynë në ditën e 10-të.
Protestuesit marshojnë drejt Kryeministrisë, thirrje për dorëheqjen e Ramës
Pasi qëndruan për rreth 30 minuta në sheshin “Skënderbej”, protestuesit nisën marshimin drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe Kryeministrisë.
Gjatë marshimit, qytetarët bën thirrje ku kërkonin dorëheqjen e kryeministrit.
“Revolucion, dorëheqje, Rama jepe dorëheqjen, Edi Rama ka mbaru, ka mbaru edhe Sala dëm ka shku, dëm ka shku, Rama në burg Berisha në burg, poshtë Komunizmi” ishin disa prej thirrjeve të tyre.
Rama: Po përpiqen të vrasin një projekt përpara se të lindë, nuk do ta lejojmë
Kryeministri Edi Rama, në një konferencë për shtyp me gazetarë nga vendet e Bashkimit Europian, u shpreh se vizioni për transformimin e Zvërnecit nuk do të ndalet.
Ai tha se kompania ka angazhuar njerëzit më të mirë në të gjitha fushat, ndërsa qeveria ka vendosur qartë hapat që duhet të ndiqen, përfshirë vlerësimin mjedisor dhe më pas hartimin e projektit final.
Sipas tij, në këtë fazë nuk ka ende një projekt të miratuar, por vetëm një proces dhe shprehje interesi.
Rama e cilësoi debatin publik si një sulm për të penguar një projekt përpara se të lindë, duke shtuar se kjo nuk do të lejohet.
Ai theksoi se nëse projekti do të jetë sipas standardeve dhe ambicieve të vendosura, do të vazhdojë, ndërsa në të kundërt do të kërkohet përmirësimi i tij.
“Kompania ka angazhuar njerëzit më të mirë në të gjitha fushat, ndërsa qeveria ka vendosur piketat përkatëse. Do të kryhet vlerësimi mjedisor dhe më pas do të hartohet projekti. Ky është një sulm i madh për ta “vrarë” një projekt përpara se të lindë. Këtë nuk do ta lejojmë, nuk do të ndodhë. Dhe nëse projekti do të jetë ashtu siç mendoj se do të jetë, të gjithë do ta shohin. Nëse nuk do të përmbushë ambiciet tona, do të kërkojmë që të përmirësohet. Por nuk mund t’i thuash një investimi që të mos bëhet, vetëm sepse duam ta mbajmë atë pjesë të Shqipërisë të paprekur. Në vend të kësaj, duhet parë në mënyrë serioze se cilat janë problemet dhe si mund të menaxhohen më mirë, përfshirë edhe çështjet e mirëmbajtjes së atij pylli”, tha Rama.
Protesta kundër projektit në Zvërnec në Suedi, thirrje për tubim në Stokholm
Kundërshtimi ndaj projektit turistik në Zvërnec dhe Sazan po zgjerohet edhe jashtë Shqipërisë. Përmes rrjeteve sociale është shpërndarë një thirrje për protestë paqësore në Stokholm të Suedisë, e planifikuar të mbahet më 13 qershor.
Sipas posterit të publikuar, manifestimi do të zhvillohet në sheshin Mynttorget, nga ora 15:00 deri në 17:00, nën sloganin “Shqipëria nuk është në shitje”. Organizatorët deklarojnë se protesta synon mbrojtjen e natyrës së mbrojtur të Shqipërisë, transparencën dhe respektimin e parimeve të shtetit të së drejtës.
Në materialin promovues përmenden në mënyrë të veçantë Zvërneci dhe Sazani, ndërsa flamingoja është përdorur si simbol i fushatës kundër projektit. Protesta vjen në një kohë kur kundërshtimet ndaj investimit kanë hyrë në ditët e tyre të njëpasnjëshme në Shqipëri dhe kanë tërhequr vëmendje edhe në diasporë.
Rama me gazetarët e BE-së: Protestat nuk ndikojnë në integrimin europian
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim në Kryeministri me gazetarë nga vende të ndryshme të Bashkimit Europian, ku është pyetur edhe për protestat dhe ndikimin e tyre në procesin e integrimit europian.
Në përgjigje të një gazetari, Rama u shpreh se protesta të tilla nuk kanë asnjë lidhje me procesin e integrimit në Bashkimin Europian, duke theksuar se Shqipëria funksionon si çdo vend tjetër demokratik.
I pyetur nëse ka shqetësim se protestat mund të ndikojnë në perceptimin europian të vendit, Rama tha se një lidhje e tillë nuk ekziston.
“Nuk ka të bëjë fare me integrimin. Tregojmë se jemi një vend si çdo vend i BE-së”, theksoi ai.
Në vijim të debatit, kur gazetari iu referua deklarimeve të Komisionit Europian, Rama kërkoi sqarim për burimin e informacionit.
“Cili Komision ua thotë këto gjëra? Unë nuk mendoj se ka Komision që thotë se nëse vazhdojnë protestat, vendi nuk është europian. Diçka të tillë nuk e kam dëgjuar nga Komisioni Europian. Në Shqipëri protestohet si në çdo vend të BE-së”, u shpreh kryeministri.
Sipas tij, protestat janë pjesë normale e jetës demokratike dhe nuk përbëjnë pengesë për rrugën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Rama për ishullin e Sazanit: Nuk po e shesim, është pronë e Shqipërisë
Kryeministri Edi Rama gjatë një konference për shtyp me gazetarë nga vendet e Bashkimit Europian, përveç diskutimit që bëri për çështjen e Zvërnecit, u ndal edhe te ishulli i Sazanit.
Kreu i qeverisë u shpreh se ishulli i Sazanit nuk ka asnjë projekt, por si fillim, sipas tij, ka nevojë për një marrëveshje.
Rama u tha gjithashtu gazetarëve të BE-së se Sazani nuk po shitet dhe as nuk ka pasur përpjekje për ta blerë. Edhe nëse do të kishte, Rama u shpreh se alternativa nuk do të pranohej, sepse ishulli u përket shqiptarëve.
“Ishulli i Sazanit nuk ka nevojë për një projekt pikë së pari, ka nevojë për një marrëveshje. S’kemi marrëveshje për ishullin e Sazanit sepse po negociojmë prej 2 vitesh. Kurrë s’kanë kërkuar ta blejnë ishullin. Edhe po të kërkonin, kurrë nuk na ka shkuar ndonjëherë nëpër mend alternativa për të shitur ishullin. Marrëveshja ka të bëjë me sipërmarrjen e përbashkët mes investuesit dhe Shqipërisë. Ishulli u përket shqiptarëve, Republikës së Shqipërisë. Aty ku do të ndërtohet, do të ketë pronësi të objektit. Po negociojmë. E kuptoni pse jam, si ta them, nuk jam as i zemëruar, i frustruar deri në kockë sepse sheh gjithë këto foto, ishulli i Sazanit i ndërtuar me kulla Trump, këtej thuhet turp t’i vijë Edi Ramës. Është krejt e kundërta, po negociojmë. Shteti shqiptar do të fitojë prej kësaj. Për ishullin nuk kanë ende asnjë skicë të paraqitur sepse nuk kanë asnjë marrëveshje”, tha kryeministri Rama.
Protestuesi nga Gjermania: Diaspora dhe intelektualët të krijojnë një front politik
Me fotot e dëshmorëve në duar, qytetarët e Gjirokastrës në protestë në ditën e tretë kundër projektit të Zvërnecit
Aksident në aksin Korçë–Maliq, një i plagosur pas përmbysjes së një automjeti
- 19:46 Protestuesi nga Gjermania: Diaspora dhe intelektualët të krijojnë një front politik
- 19:45 Me fotot e dëshmorëve në duar, qytetarët e Gjirokastrës në protestë në ditën e tretë kundër projektit të Zvërnecit
- 19:36 Aksident në aksin Korçë–Maliq, një i plagosur pas përmbysjes së një automjeti
- 19:32 Mbi 7 mijë rrënjë kanabis të zbuluara në Velipojë, Lamallari: Lufta kundër narkotikëve, prioriteti ynë i pandryshueshëm
- 19:30 Operacioni i kërkim-shpëtimit në Polis, gjenden pas dy ditësh turistët gjermanë
- 19:14 E reja nga diaspora: Protesta është fytyra europiane e Shqipërisë