Durrësi mbushet me turistë, por përfitimet nga bizneset lokale mbeten të kufizuara
Durrësi po përjeton një tjetër sezon me rritje të ndjeshme të numrit të turistëve. Vizitorë nga Polonia, Çekia, Gjermania dhe Franca kanë zgjedhur bregdetin shqiptar për pushimet e tyre, por pjesa më e madhe e tyre qëndrojnë brenda paketave “all inclusive”.
Përfaqësuesit e biznesit thonë se, megjithëse numri i turistëve është në rritje, ndikimi ekonomik për restorantet dhe bizneset lokale mbetet i kufizuar. Sipas tyre, turistët që zgjedhin paketat “all inclusive” konsumojnë pak jashtë strukturave ku akomodohen, duke bërë që përfitimet të mos shpërndahen në të gjithë ekonominë lokale.
“Pjesa më e madhe e turistëve kanë all inclusive, por edhe nëse dalin jashtë paketave, nuk kanë konsum të madh, por një konsum mesatar. Pjesa e konsumit nuk do të ketë një rritje 8-10%, por rritja do të jetë vetëm në numrin e shtretërve”, thotë Neritan Golja, Kryetar i Dhomës së Tregtisë.
Më të prekur nga ky model turizmi rezultojnë restorantet dhe bizneset e vogla, të cilat, ndonëse shohin më shumë turistë në qytet, nuk po përjetojnë të njëjtën rritje të klientelës dhe të ardhurave.
“Turistët vijnë me buxhet të limituar dhe kanë paguar paketën all inclusive. Restorantet e zonës e ndjejnë më shumë këtë situatë, sepse shohin shumë turistë, por nuk ka mjaftueshëm konsum”, thotë Blerim Norja, Përfaqësues i strukturave akomoduese në Durrës.
Sipas ekspertëve të sektorit, Durrësi mbetet një destinacion i orientuar kryesisht drejt turizmit familjar dhe atij masiv. Kalimi drejt një modeli më elitar kërkon investime afatgjata, oferta më të larmishme turistike dhe zhvillimin e shërbimeve jashtë hoteleve.
Përfaqësuesit e industrisë vlerësojnë se do të duhen më shumë se 10 vite për të krijuar kushtet që Durrësi të tërheqë turistë elitarë dhe të konkurrojë me destinacione të ngjashme në rajon.
Megjithëse numri i vizitorëve vijon të rritet nga viti në vit, sfida kryesore mbetet shndërrimi i këtij fluksi në të ardhura konkrete për bizneset vendase dhe ekonominë lokale. Durrësi vazhdon të mbetet një destinacion i turizmit masiv, ndërsa rruga drejt turizmit elitar mbetet ende e gjatë.
INSTAT: Menaxherët mbeten më të paguarit, mbi 122 mijë lekë në muaj
Papunësia rikthehet në rritje në fillim të vitit, bien punësimi dhe aktiviteti ekonomik
Administrata Tatimore rihap procesin, prindërit e refuzuar për shpenzimet e arsimit mund të riaplikojnë në DIVA
- 20:01 Aktivistja mjedisore në protestë: Vjosa dhe Narta në rrezik, ligji i 2024 problematik
- 19:53 Salianji i bashkohet protestës në Tiranë, shfaqen edhe Alesia Balliu dhe Asllan Dogjani
- 19:29 Vritet me atentat pranë Moskës gjenerali i lartë rus, drejtonte municionin raketor të ushtrisë ruse
- 19:10 Protesta e 11-të para Kryeministrisë, protestuesi: Të ngremë një Kuvend Kombëtar
- 19:06 “Ju jeni heronjtë e mi”, gazetari sjell mesazhin e Kim Mehmetit në protestë: Na falni që ju vodhëm të ardhmen
- 18:58 Arrestohet piloti i Air Canada, fluturoi për 17 vjet me patentë të falsifikuar