Pesë të arrestuar në aksionin e Prokurorisë Speciale për krime lufte

14 Qershor 2026 | 10:48

Pesë persona janë arrestuar të dielën gjatë një operacioni të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, në kuadër të hetimeve për krime lufte në rastin e njohur si “Reçaku II”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, gjatë operacionit janë realizuar urdhër-kontrolle në disa lokacione.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje për identitetin e të arrestuarve apo veprat konkrete për të cilat dyshohen, ndërsa kanë paralajmëruar se më shumë informacione do të bëhen të ditura në një konferencë për media që do të mbahet më vonë.

Rasti “Reçaku II” lidhet me hetimet për krime lufte që rrjedhin nga ngjarjet në fshatin Reçak të Shtimes gjatë luftës në Kosovë.

Më herët, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë në mungesë ndaj 21 personave të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile, lidhur me masakrën e Reçakut të 15 janarit 1999, ku u vranë 42 civilë shqiptarë.

Gjykimi në mungesë, që Prokuroria Speciale ka kërkuar për këtë rast, mundësohet në Kosovë pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, të bëra më 2022.

Megjithatë, gjykime të tilla mund të bëhen vetëm me kushtin që prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar të gjitha mjetet për të siguruar praninë e të akuzuarit.

Por, ky Kod përcakton se personat që gjykohen në mungesë kanë të drejtë për një rigjykim pa kushte, kur të arrestohen.

Kjo masakër shtyri NATO-n t’i niste bombardimet për t’i dhënë fund luftës së viteve 1998-’99 në Kosovë, dhe përfundimisht pavarësimit të vendit disa vite pas çlirimit.

Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998 deri në 1999, u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.

Më shumë se 1.500 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi. Trupat e tyre janë bartur nga forcat serbe me qëllim që të fshihen krimet.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Zgjedhjet në Kosovë, vota e Diasporës i shton edhe një mandat Vetëvendosjes, AAK humb një

Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 51 ulëse në Kuvendin e Kosovës pas përpunimit të rreth 20 për qind të votave të ardhura me postë nga diaspora....
08:47 | 14/06/2026

Përmbyllet numërimi në të gjitha komunat në Kosovë, vazhdon numërimi i votave me postë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se ka përfunduar procesi i verifikimit dhe numërimit të votave në të gjitha 38 komunat e Kosovës,...
21:36 | 13/06/2026

Kurti: Jemi të gatshëm për komunikim me opozitën

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se procesi i numërimit të votave ende nuk ka përfunduar, duke theksuar se rezultatet përfundimtare do...
15:27 | 12/06/2026