Zgjedhjet në Kosovë, vota e Diasporës i shton edhe një mandat Vetëvendosjes, AAK humb një

14 Qershor 2026 | 08:47

Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 51 ulëse në Kuvendin e Kosovës pas përpunimit të rreth 20 për qind të votave të ardhura me postë nga diaspora. Në këtë fazë të numërimit, partia ka fituar mbi 69 për qind të votave të procesuara.

Kjo është ulësja e tretë shtesë që Vetëvendosje ka fituar falë votave nga diaspora. Fillimisht, nga votat e numëruara brenda Kosovës, partia kishte siguruar 48 mandate parlamentare.

Dy mandatet e para shtesë i janë marrë Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilat aktualisht kanë 23, përkatësisht 19 ulëse. Ndërkohë, me rritjen e fundit të Vetëvendosjes, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka humbur një mandat, duke zbritur në 7 ulëse nga 8 sa kishte sipas projeksioneve të mëhershme.

Nëse trendi aktual i votave nga diaspora vazhdon edhe në pjesën e mbetur të numërimit, llogaritjet tregojnë se Vetëvendosje mund të fitojë të paktën edhe një mandat shtesë në Kuvend.

Sipas rezultateve të deritanishme të përgjithshme, Vetëvendosje ka 44.69 për qind të votave, duke mbetur forca më e madhe politike në vend. Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me 20.48 për qind, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës e treta me 17.26 për qind. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë pak më pak se 7 për qind të votave.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar rreth 85 mijë zarfe me vota nga diaspora. Deri tani janë përpunuar të dhënat e afërsisht 11 mijë votave.

Për formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit nevojiten së paku 61 vota në Kuvend. Në mandatin e kaluar, Vetëvendosje arriti ta formojë qeverinë me mbështetjen e deputetëve nga komunitetet joshumicë.

Ndërkohë, për zgjedhjen e presidentit kërkohet pjesëmarrja e të paktën 80 deputetëve në procesin e votimit, një çështje që ishte ndër arsyet kryesore që çoi vendin në zgjedhjet e 7 qershorit.

Në zgjedhjet e fundit votuan rreth 725 mijë qytetarë brenda Kosovës, ndërsa mbi 100 mijë shtetas që jetojnë jashtë vendit e ushtruan të drejtën e votës përmes përfaqësive diplomatike ose me postë.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Përplasje e rëndë mes 6 makinave në autostradën “Ibrahim Rugova”, plagosen 8 persona, mes tyre edhe një grua shtatzënë

Tetë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur mëngjesin e sotëm në autostradën “Ibrahim Rugova”. Mësohet gjithashtu se,...
12:48 | 04/07/2026

Kurti: Gëzuar përvjetorin e 250-të SHBA, me dëshirat më të mira për të ardhmen e ndritshme të kombit amerikan

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përsmes një postimi në “Facebook” ka reaguar lidhur me 250-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së. Kurti në reagimin e tij të...
10:44 | 04/07/2026

Aksident i rëndë në Obiliq, motori përplaset me këmbësorin. Humbin jetën dy persona

Një aksident i rëndë është regjistruar mbrëmjen e së premtes në Obiliq në Kosovë. Aksidenti u regjistrua rreth orës 23:00 dhe si pasojë humbën jetën...
09:29 | 04/07/2026