Rama reagon pak minuta përpara protestës: Kur faktet thonë të kundërtën, poterja bëhet argument
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar një reagim të detajuar në rrjetet sociale lidhur me projektet e investimeve në Ishullin e Sazanit dhe në zonën e Zvërnecit, vetëm pak minuta përpara nisjes së protestës qytetare në Tiranë kundër projektit të parashikuar në Zvërnec, e cila hyn në ditën e saj të 15-të.
Në një status të gjatë me titull “Fakte jashtë kanaleve të turbullta të internetit ose një pasqyrë për të gjithë përgojuesit e shtetit shqiptar”, Rama ka sqaruar se Ishulli i Sazanit mbetet pronë shtetërore dhe se nuk është menduar apo kërkuar ndonjëherë për shitje.
Sipas kreut të qeverisë, modeli i parashikuar për zhvillimin turistik të ishullit bazohet në pjesëmarrjen e shtetit shqiptar në investim, ndërsa negociatat me investitorët vijojnë ende dhe nuk ka një marrëveshje përfundimtare. Ai thekson se investitorët nuk kanë paraqitur ende projektin arkitektonik dhe studimin përkatës mjedisor.
Në lidhje me projektin në Zvërnec, Rama sqaron se zona ku planifikohet investimi është pronë private e regjistruar në kadastër prej vitesh dhe se transaksionet e kryera lidhen me marrëdhënie mes subjekteve private. Ai nënvizon se pretendimet e palëve të treta mbi pronësinë po shqyrtohen në gjykatë, por sipas legjislacionit në fuqi këto pretendime nuk bllokojnë zhvillimin apo shitjen e pronës së regjistruar.
Kryeministri ndalet edhe te procedurat e ndjekura nga institucionet shtetërore, duke sqaruar se Këshilli Kombëtar i Territorit nuk e miratoi masterplanin fillestar të paraqitur në vitin 2024, por kërkoi rishikime të rëndësishme për mbrojtjen e mjedisit dhe uljen e intensitetit të zhvillimit.
Sipas tij, leja zhvillimore e miratuar në mars të vitit 2026 nuk përbën leje ndërtimi dhe nuk autorizon nisjen e punimeve, por vetëm hap fazën e përgatitjes së projektit. Rama thekson se zhvilluesi duhet të paraqesë projektin e detajuar arkitektonik, dokumentacionin teknik dhe një Vlerësim të Thelluar të Ndikimit në Mjedis përpara çdo vendimmarrjeje të mëtejshme.
Në reagimin e tij, kreu i qeverisë hedh poshtë pretendimet se është hequr statusi i mbrojtjes për zonën “Pishë Poro-Nartë”, duke argumentuar se ajo vazhdon të mbetet e klasifikuar si “Peizazh i Mbrojtur”, sipas kategorisë V të IUCN-së, një status që, sipas tij, nuk është ndryshuar nga vendimet e marra në vitet e fundit.
Rama deklaron se institucionet shqiptare kanë vepruar me integritet, profesionalizëm dhe në përputhje me ligjin gjatë gjithë procesit të trajtimit të investimit, duke kundërshtuar akuzat dhe kritikat që janë artikuluar publikisht ndaj projektit.
Në fund të reagimit, kryeministri rendit hapat që mbeten për t’u përmbushur, përfshirë dokumentacionin për lejen e zhvillimit, aplikimin për leje ndërtimi, përfundimin e Vlerësimit të Thelluar të Ndikimit në Mjedis dhe verifikimin e përputhshmërisë së projektit me legjislacionin shqiptar dhe standardet e Bashkimit Europian.
“Faktet janë më lart. Kushdo që do përpiqet ta tërheqë Shqipërinë prapë poshtë, nuk do t’ia dalë kurrë më”, shkruan Rama në përmbyllje të mesazhit të tij, duke e cilësuar projektin si pjesë të vizionit për transformimin turistik dhe ekonomik të vendit.
Statusi i plotë:
FAKTE JASHTË KANALEVE TË TURBULLTA TË INTERNETIT OSE NJË PASQYRË PËR TË GJITHË PËRGOJUESIT E SHTETIT SHQIPTAR ![]()
ISHULLI I SAZANIT është pronë shtetërore, e cila nuk është menduar (as kërkuar) kurrë për shitje.
* Forma e vendosjes në dispozicion të kësaj toke shtetërore për ta kthyer në një destinacion turistik të nivelit më të lartë, është menduar nëpërmjet pjesëmarrjes së shtetit në investim. Bazuar në një proces të detajuar negociatash, shteti do të marrë kuota si palë e përfshirë, ndërsa ishulli do të mbetet gjithnjë pronë e shtetit shqiptar.
* Negociatat janë ende të hapura dhe nuk ka ende asnjë marrëveshje përfundimtare. Paralelisht, investitorët kanë vazhduar punën me studimet zhvillimore, por akoma nuk kanë paraqitur projektin arkitektonik dhe studimin përkatës mjedisor.

Sa më lart flet vetë për qasjen dinjitoze dhe profesionale të qeverisë shqiptare në mbrojtje të interesave të shtetit e të publikut. Investitorët nga ana e tyre kanë treguar respekt të plotë ndaj institucioneve tona dhe frymë tejet bashkëpunuese. Asnjë m2 Shqipërie s’ka dalë në shitje, askush s’ka bërë asnjë pazar pas shpinës së popullit dhe Republika e Shqipërisë është përfaqësuar me dinjitet te padyshimtë, në një negociatë që ende s’është mbyllur.
ZONA E INVESTIMIT NË ZVËRNEC është pronë private e regjistruar në kadastër prej shumë vitesh. Plani i zhvillimit të asaj zone është rezultat i një marrëveshjeje mes investitorëve dhe pronarëve zotërues të titujve të pronësisë në regjistrin kadastral (njësoj si në të gjitha rastet e pafundme të zhvillimit të pronës private). Investitorët i kanë blerë pronat prej tyre dhe aktualisht janë pronarë legjitimë të truallit në fjalë.
* Siç ndodh nganjëherë me bregdetin e Shqipërisë, zona ka edhe pretendentë të tjerë. Në këtë rast jo një palë, po dy palë. Nga njëra anë janë dy familje që e pretendojnë pronën si pronarë të vjetër dhe nga ana tjetër janë shumë familje që e pretendojnë pronën si ish-anëtarë të kooperativës bujqësore komuniste.
Të gjithë i kanë çuar pretendimet e tyre në gjykatë.
* Por ndërkohë, sipas ligjit shqiptar dhe sipas çdo ligji në botë mbi pronën private, pretendimet e palëve të treta nuk e ndalojnë dot as zhvillimin e as shitjen e pronës nga subjektet që e kanë atë të regjistruar në kadastër. Regjistrimet në këtë zonë janë bërë kohë përpara ardhjes së kësaj shumice qeverisëse në detyrë.
* Rasti e ka sjellë që SPAK-u të kishte një hetim të hapur për njërin nga shitësit e pronës, lidhur me një çështje tjetër. Me kërkesë të prokurorëve e me vendim të gjykatësve, shuma e derdhur nga investitorët për blerjen e asaj pjese të pronës është ekzekutuar si transaksion në favor të investitorëve, pa ka kaluar tek shitësi po në një llogari bankare të ngrirë.
* Shitësi nuk do të mundet ta tërheqë dot atë shumë përpara mbylljes së hetimeve dhe në rast se drejtësia vendos që ajo shumë nuk i takon, atëherë shuma do të sekuestrohet duke kaluar në fondin e kompensimeve të shtetit për pronarët. Kjo do të thotë se nëse dhe vetëm kur gjykata t’i japë të drejtë njërit apo disa prej pretendentëve të pronës në fjalë, ata do të mund të marrin nga ky fond shumën që u takon.

Sa më lart tregon qartë se shitblerja e pronës në Zvërnec nuk ka asnjë lidhje me qeverinë, po lidhet thjesht me marrëdhënien më elementare mes subjektesh private, në një sistem ku e drejta e pronës private është e drejtë themelore e njeriut. Nga ana tjetër, sa më lart tregon qartë edhe që organet e drejtësisë kanë vepruar jo vetëm në pavarësi të plotë, po edhe në interes të shtetit e në mbrojtje të së drejtës së pronës private, qoftë kur e kanë konsideruar korrekt transaksionin e kryer nga investitorët, qoftë kur kanë vendosur vendosjen e shumës në një llogari të ngrirë.
INTERESIMI PËR INVESTIMIN NË ZVËRNEC, ka ardhur zyrtarisht në vitin 2024 kur investitorët kanë paraqitur një masterplan pranë Këshilli Kombëtar të Territorit, i cili është bërë edhe publik në emisionin Opinion nga njëri prej arkitektëve të kompanisë.
* Masterplani është shqyrtuar në mbledhjen e datës 25 shtator 2024. Këshilli Kombëtar i Territorit nuk e ka miratuar masterplanin, po ka kërkuar rishikime thelbësore të tij, duke e vendosur stekën në lartësinë e ambicies për një zhvillim shembullor për Shqipërinë Turistike 2030 në Bashkimin Europian.
* Janë të dokumentuara kërkesat për uljen e intensitetit të zhvillimit, parashikimin e masave të posaçme për mbrojtjen e lagunës, habitateve përreth dhe pjesëve mjedisore të ndjeshme të zonës për zhvillim.
* Një vit e disa muaj më vonë, më 30 mars 2026, investitorët janë riparaqitur përpara Këshillit Kombëtar të Territorit, me një draft-masterplan të ri ku janë reflektuar parametrat e kërkuar nga këshilli. KKT-ja ka miratuar në atë mbledhje lejen zhvillimore, e cila nuk është leje ndërtimi dhe nuk autorizon fillimin e punimeve ndërtimore, por i hap rrugë fazës së përgatitjes së projektit. Ndërkohë për zbardhjen dhe hyrjen në fuqi të lejes së lartpërmendur, duhet të përmbushen kushtet ligjore dhe teknike për të cilat vazhdon puna e grupit të arkitektëve të përfshirë.
* Duhet të kihet parasysh se për të marrë lejen e ndërtimit dhe autorizimin e fillimit të punimeve ndërtimore, pas zbardhjes së lejes zhvillimore zhvilluesi duhet të paraqesë një projekt të detajuar arkitektonik, së bashku me dokumentacionin teknik të nevojshëm.
* Leja e rrethimit të pronës private për zhvillim, me vendim të datës 29 prill 2026, është pjesë e procedurave ligjore që jepet me kërkesë të zhvilluesit të pronës për të mundësuar matjet në terren, aktivitetet monitoruese për studimin mjedisor dhe masa të tjera paraprake me natyrë përgatitore, të cilat janë të domosdoshme për dokumentacionin teknik të lejes së ndërtimit.
* Paralelisht me procedurat e planifikimit territorial, zhvilluesi ka paraqitur zyrtarisht një kërkesë për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM), për të cilin janë angazhuar sipas ligjit strukturat përkatëse shtetërore.
* Pas përfundimit të fazave të verifikimit paraprak (screening) dhe përcaktimit të fushës së vlerësimit (scoping), autoriteti përgjegjës shtetëror për mjedisin ka vendosur më 15 maj 2026, që projekti duhet t’i nënshtrohet jo thjesht një vlerësimi të zakonshëm të ndikimit në mjedis, po një Vlerësimi të Thelluar të Ndikimit në Mjedis.
Për rrjedhojë, përpara se të miratohet dokumentacioni përfundimtar i zbatimit të projektit dhe përpara se sa të shqyrtohet kërkesa për dhënien e një lejeje ndërtimi, zhvilluesi është i detyruar të përgatisë dhe paraqesë një Vlerësim të Thelluar të Ndikimit në Mjedis.
* Vlerësimi në fjalë, duhet të analizojë imtësisht dhe me kompetencë të padyshimtë profesionale, ndikimet e mundshme të zhvillimit mbi biodiversitetin, habitatet, ekosistemet, vlerat peizazhore dhe elementë të tjerë në përputhje me legjislacionin shqiptar për mjedisin dhe me standardet, legjislacionin dhe kuadrin rregullator përkatës të Bashkimit Europian.
* Në rastin konkret është kërkuar që Vlerësimi i Thelluar i Ndikimit në Mjedis duhet të shqyrtojë, ndër të tjera, edhe efektet e mundshme të projektit mbi habitatet dhe speciet e mbrojtura, lidhshmërinë ekologjike, ekosistemet bregdetare dhe lagunore, integritetin e peizazhit dhe qëndrueshmërinë mjedisore afatgjatë.
* Gjetjet dhe rekomandimet që do të dalin nga Vlerësimi i Thelluar i Ndikimit në Mjedis, si edhe opinioni që do të krijojnë autoritetet përkatëse për cilësinë e vlerësimit, do të përbëjnë një pikë referimi për çdo vendimmarrje të mëtejshme të lidhur me ecurinë e projektit.
* Lajmi për heqjen e statusit të zonës përkatëse zhvillimore si zonë e mbrojtur, me qëllim hapjen e rrugës për këtë investim, është njëra prej të pavërtetave më të mëdha që janë fryrë përtej çdo imagjinate kundër këtij investimi kolosal për Shqipërinë.
Dhe natyrisht, edhe pretendimet e ngritura mbi këtë të pavërtetë, kanë lënduar padrejtësisht integritetin e padiskutueshëm moral, ligjor dhe profesional, që shteti dhe administrata shqiptare kanë treguar në të gjithë procesin e trajtimit të këtij investimi me impakt potencial të jashtëzakonshëm mbi vetë Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar të Shqipërisë.
* Zona «Pishë Poro – Nartë» s’ka ndryshuar asnjëherë kategorinë si « Peisazh i Mbrojtur », qysh në 2004 kur është shpallur si e tillë për herë të parë. Pra ajo ka qenë dhe është një zonë e mbrojtur, e klasifikuar si Kategoria V sipas IUCN-së (Peizazh i Mbrojtur). Kjo specifikohet qartë edhe në Vendimin e Këshillit të Ministrave datë 25 shtator 2024, i cili absolutisht nuk ka ndryshuar statusin e asaj zone, po vetëm ka specifikuar pikërisht kriteret përcaktuese të saj.
* Kjo zonë nuk ka asnjë lidhje me deltën e Vjosës siç ngatërrohet në tym qëllimisht, sikur do te preket nga ndërtimet. Është e pamundur të ndodhë, sepse Vjosa në të 480 km e rrjedhë së saj bashkë me degët dhe me Grykederdhjen në Adriatik, ka shkallën më të lartë të mbrojtjes, Park Kombëtar, Kategoria I, tanimë pjesë e ekosistemeve të Biosferës së UNESCO-
* Sistemi ynë i zonave të mbrojtura bazohet në kuadrin ndërkombëtar të klasifikimit të Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), i cili zbaton kufizime të niveleve të ndryshme për secilën nga kategoritë e zonave të mbrojtura dhe ligji “Për Zonat e Mbrojtura”, miratuar në vitin 2017, si i pari ligj që përfshin direktivat evropiane ne fushën e biodiversitetit i ka integruar plotësisht kategoritë e mësipërme në kuadrin ligjor kombëtar.
* Sipas kritereve të përcaktuara nga kuadri ndërkombëtar, Kategoria V nuk është një zonë “pa zhvillim”, por një peizazh i mbrojtur ku biodiversiteti, vlerat natyrore dhe aktiviteti njerëzor duhet të bashkëjetojnë në mënyrë harmonike e të qëndrueshme.
* Ligji i vitit 2017 nuk është prekur nga asnjë ndryshim i vitit 2024 në parashikimin e shkruar shprehimisht mbi standartin europian, se një Peizazh i Mbrojtur mund të përfshijë vendbanime dhe forma të tjera të përdorimit të tokës.
* Më konkretisht, pika 4 e Nenit 20, e shkruar qysh më 2017-ën, përcakton se aktivitetet që sjellin ndryshime në përdorimin e tokës, përfshirë punimet ndërtimore, impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura për fermat, autostradat, kanalet e lundrueshme, zhvillimet urbane dhe projekte të tjera infrastrukturore ose zhvillimore, mund të realizohen vetëm pasi të jetë marrë leja përkatëse nga Këshilli Kombëtar i Territorit.

Sa më lart thotë shumëçka, që bëjnë mirë të mos e harrojnë herë tjetër kur të përgojojnë vendin tonë, të gjithë ata, që në shqip apo sidomos në gjuhë të huaja i keqtrajtuan botërisht Shqipërinë dhe qeverinë e saj me komente, kronika, artikuj apo turlilloj prurjesh të shpërthimit marroq të kanaleve sociale, si të ishin sinonime të një Republike Bananesh, pa shtet, pa institucione, pa flamur e as dinjitet.
E gjithë rrjedha e fakteve të kësaj historie, tregon botërisht se Shqipëria nuk është një vend pa zot; institucionet shqiptare funksionojnë me integritet, profesionalizëm dhe pa asnjë kompleks ndaj investitorëve të huaj; qeveria e Shqipërisë e udhëheq me vizion dhe me dinjitet Shqipërinë, çka e tregon transformimi epokal dhe imazhi i ri i vendit tonë, pavarësisht përbaltjes krejt të pamerituar të këtyre ditëve, nga histeria kolektive anti-Trump apo nga vetë veset e tmerrshme të kohës së re të teknologjisë, ku vendin qendror të fakteve e ka zënë javët e fundit një spektakël i shpifur thashethemesh, fabrikimesh, akuzash e denigrimesh që jehuan ngado në emër të një pseudo anti-korrupsioni të turpshëm.
AKTUALISHT PRITEN:
* Plotësimi i dokumentacionit për zbardhjen e lejes së zhvillimit;
* Aplikimi për lejen e ndërtimit me një projekt të detajuar, së bashku me të gjithë dokumentacionin teknik përkatës;
* Dokumenti i Vlerësimit të Detajuar të Ndikimit në Mjedis;
* Analiza nga autoritetet përkatëse e gjetjeve dhe rekomandimeve të Vlerësimit të Detajuar të Ndikimit në Mjedis;
* Studimi mbi ndikimet mjedisore të projektit mbi biodiversitetin, habitatet, ekosistemet, vlerat peizazhore dhe komponentë të tjerë mjedisorë;
* Garantimi i përputhshmërisë së projektit të paraqitur me legjislacionin shqiptar mjedisor dhe me standardet, legjislacionin dhe rregulloret mjedisore të Bashkimit Europian.

FAKTET JANË MË LART.
KUSHDO QË DO PËRPIQET TA TËRHEQË SHQIPËRINË PRAPË POSHTË, NUK DO T’IA DALË KURRË MË.
SHQIPËRIA NUK DO TË FRIKËSOHET NGA ËNDRRAT E MËDHA.
POPULLI SHQIPTAR NUK DO TË STRUKET PËRBALLË ASNJË SFIDE TË MADHE.
SË BASHKU NE DO TA BËJMË SHQIPËRINË EUROPIANE PRINCESHË TË TURIZMIT MESDHETAR DHE DO T’U TREGOJMË EDHE TË GJITHË ATYRE QË E PËRGOJUAN SI S’KA MË KEQ SHTETIN TONË, SE SHQIPËRIA E KA SHUMË SERIOZISHT TRANSFORMIMIN E SAJ EPOKAL![]()
Dita e 15 e protestës qyteare në Tiranë, nis marshimi drejt Kryeministrisë
Aleksandër Vuçiç paralajmëron dorëheqjen pas protestave në Serbi
Braçe: Protesta është legjitime, puna e qeverisë është të qeverisë vendin dhe të shërbejë
- 19:46 Deputetja e PS-së Marjana Koçeku, e njohur si Neomalsorja njofton ikjen si deputete e PS-së: Do jem e pavaruar
- 19:09 Sa ushtarë rusë janë vrarë në Ukrainë?
- 18:36 Dita e 15 e protestës qyteare në Tiranë, nis marshimi drejt Kryeministrisë
- 18:25 “Sulmi i sotëm ndaj Libanin s’duhet të kishte ndodhur”! Trump zemërohet me Izraelin
- 17:24 Zyrtarët amerikan dyshojnë se dy gazetarë të NYT kanë siguruar materiale sekrete për dosjen Epstein dhe luftën në Iran
- 17:16 Tensione në Romë, mijëra vetë marshojnë pro dhe kundër emigrimit