Gjyqi ndaj Veliaj, prokurori Ols Dado: Xhami garanci në sallë, nuk përbën element poshtërues

16 Qershor 2026 | 11:55

Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) u zhvillua seanca e radhës në themel ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Gjatë seancës, mbrojtja e Veliajt paraqiti pesë kërkesa procedurale, mes të cilave lejimin e kamerave në sallën e gjyqit për transmetim live dhe vendosjen e të pandehurit pranë avokatëve të tij, jashtë kafazit të xhamtë.

Avokati Plarent Ndreca argumentoi se moslejimi i filmimit cenon parimin e publicitetit gjyqësor dhe të drejtën kushtetuese të mediave për të informuar publikun. Ai kërkoi që procesi të transmetohet drejtpërdrejt, duke theksuar se nuk ekziston asnjë pengesë kushtetuese për këtë.

Ndreca kundërshtoi gjithashtu mbajtjen e Veliajt në kafazin e xhamtë, duke e konsideruar këtë masë si cenim të prezumimit të pafajësisë dhe të dinjitetit njerëzor. Sipas tij, i pandehuri duhet të ketë mundësi të komunikojë lirisht me mbrojtjen dhe të marrë pjesë efektivisht në proces.

Mbrojtja kërkoi gjithashtu më shumë kohë për t’u njohur me provat, sqarime lidhur me administrimin e kallëzimeve të Nesti Angonit dhe Nasta Pëllumbit, si dhe rishikimin e kalendarit të seancave, duke argumentuar se zhvillimi i tyre vetëm një herë në javë vështirëson përgatitjen e mbrojtjes.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e SPAK kundërshtuan kërkesat e mbrojtjes.

Kreu i SPAK, Altin Dumani, tha se gjykata ka vendosur tashmë që seancat të jenë publike, por jo të transmetohen live. Sipas tij, legjislacioni parashikon seanca publike dhe jo transmetime të drejtpërdrejta, ndërsa praktika është e njëjtë edhe në vende të tjera europiane dhe në Shtetet e Bashkuara.

Lidhur me zhvillimin e seancave, Dumani u shpreh se gjykata mund të shqyrtojë mundësinë e shtimit të tyre, por e konsideroi normale mbajtjen e tyre një herë në javë për shkak të ngarkesës së institucionit.

Prokurori i SPAK, Ols Dado, kundërshtoi kërkesën për largimin e Veliajt nga kafazi i xhamtë, duke argumentuar se kjo masë shërben si garanci për mbarëvajtjen e procesit gjyqësor.

“Xhami është garanci në sallë. I pandehuri qëndron i vetëm dhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut e ka trajtuar këtë çështje në vendimet e saj, duke vlerësuar se nuk përbën element poshtërues”, tha Dado, duke kërkuar rrëzimin e kërkesës së mbrojtjes.

Sa i përket provave digjitale, prokurori u shpreh se ato janë të pasqyruara në fashikujt hetimorë dhe se hapja e tyre nuk sjell pavlefshmëri të akteve procedurale.

Dado sqaroi gjithashtu se kallëzimet anonime të përmendura nga mbrojtja janë pjesë e akteve hetimore dhe do të trajtohen gjatë shqyrtimit gjyqësor në themel.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Trafikuan 50 tonë kokainë, SPAK godet grupin kriminal, sekuestrohen 150 milionë euro pasuri

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka finalizuar një operacion kompleks kundër një grupi të strukturuar kriminal, i përfshirë në trafikun ndërkombëtar...
13:42 | 16/06/2026

Nesër festimet e Ditës së Pavarësisë së SHBA-së, Aviacioni Civil kufizon përkohësisht hapësirën ajrore pranë Pallatit të Kongreseve

Autoriteti i Aviacionit Civil ka njoftuar vendosjen e një kufizimi të përkohshëm të fluturimeve mbi zonën e Pallatit të Kongreseve në Tiranë. Ky njoftim vjen...
13:36 | 16/06/2026

U arrestua në Borsh, GJKKO lë në fuqi masën e arrestit me burg për Moisi Habilajn

Gjykata e Posaçme ka konfirmuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Moisi Habilajn, i cili u arrestua nga policia në bregdetin e Borshit më...
13:31 | 16/06/2026