Drejtori i shkollës së Magjistraturës: Media duhet të raportojë me kujdes çështjet gjyqësore, perceptimi shpesh zë vendin e provës
Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, gjatë fjalës së tij hapëse në konferencën e fokusuar te marrëdhëniet e institucioneve të drejtësisë me mediat, u ndal te nevoja për transparencë, rreziqet e dezinformimit dhe fenomeni i “gjykatës publike”.
Rakipi theksoi se sistemi gjyqësor përbën një shërbim publik që paguhet nga taksapaguesit, ndaj ka detyrimin të jetë i përgjegjshëm dhe të shpjegojë proceset për të shmangur mosbesimin.
Nga ana tjetër, ai vuri në dukje kompleksitetin që sjell revolucioni teknologjik, ku lajmet e shpejta pa cilësi, shpërndarja e akteve hetimore përpara sallës së gjyqit dhe verdiktet e nxituara në rrjetet sociale krijojnë një realitet paralel ku perceptimi zë vendin e provës. Rakipi deklaroi se, ndonëse media inkurajohet të raportojë për çështjet me interes publik, raportimi duhet të jetë i kujdesshëm dhe i bazuar në fakte të verifikuara për të mos rrezikuar dënimin publik të individëve.
“Ne, sistemi i drejtësisë, duhet të kuptojmë nevojën legjitime të publikut për informacion, thjesht për faktin se nuk mund të jemi të izoluar nga qytetarët, sepse paguhemi nga publiku taksapagues për t’i shërbyer pikërisht atij. Përbëjmë shërbimin publik gjyqësor dhe duhet, të paktën, të jemi të përgjegjshëm përkundrejt tij.
Një sistem drejtësie që komunikon pak, që shpjegon pak dhe që mbetet i mbyllur për publikun, krijon hapësirë për spekulime, thashetheme, interpretime dashakeqëse, dezinformim dhe/ose mosbesim. Besimi ndërtohet edhe përmes transparencës, komunikimit institucional dhe aftësisë për të shpjeguar proceset.
Megjithatë, në praktikë, shpesh përballemi me atë që ka filluar të quhet “gjykim paralel” ose “gjykatë publike”. Në momentin kur publikohet emri i një personi të dyshuar, kur transmetohen pamje nga arrestimi, kur komentues, analistë apo përdorues të rrjeteve sociale nxitojnë të japin verdikte, krijohet një realitet paralel me procesin gjyqësor. Dhe, në këtë realitet, perceptimi shpesh zë vendin e provës.
Marrëdhënia mes medias dhe drejtësisë është bërë edhe më komplekse për shkak të revolucionit teknologjik. Shumë më i thjeshtë është bërë përhapja e lajmit apo komenteve nëpërmjet teknologjisë së sotme, e cila përfshin miliona njerëz në fare pak sekonda, që ushqehen dhe, jo pak herë, i besojnë lajmit të parë të dhënë, edhe kur ai është pa cilësi apo në kufijtë e lajmit të rremë. Jo rrallë publikohen pamjet nga vendi i ngjarjes përpara se të arrijë policia atje, shpërndahen akte gjyqësore apo hetimore përpara se të paraqiten në sallën e gjyqit. Ndaj, nevoja për vetëpërmbajtje, për respektimin e standardeve etike dhe të kulturës apo përgjegjësisë profesionale, është e lartë, në proporcion të drejtë me mundësinë e ndikimit të lajmit te publiku.
Media inkurajohet të mos heshtë për çështjet, veçanërisht ato penale me interes publik. Është e shëndetshme për të gjithë që ajo të raportojë, sepse i shërben transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve të drejtësisë. Por raportimi duhet të jetë i kujdesshëm, i balancuar dhe i mbështetur në fakte të verifikuara, me qëllim që informimi publik të mos rrezikojë dënimin publik”, tha Arben Rakipi.
Të shtëna me armë zjarri në Pogradec, plagoset i riu me precedentë penal (FOTO)
Mandati i Olsian Çelës mbaron në dhjetor, KLP hap garën për Prokurorin e ri të Përgjithshëm
(EMRAT) Goditet grupi kriminal në Sarandë, kryenin vjedhje në banesa dhe në automjete
- 13:51 Trump i vendosur: Takimi me Iranin do të zhvillohet në Doha të martën
- 13:50 Machado njofton kthimin e saj në Venezuelë pas tërmetit: Është detyra ime
- 13:40 Rifillojnë fluturimet direkte mes Iranit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe për herë të parë pas nisjes së luftës
- 13:37 Të shtëna me armë zjarri në Pogradec, plagoset i riu me precedentë penal (FOTO)
- 13:32 Rrufeja godet kullën Eiffel gjatë stuhisë
- 13:28 Mandati i Olsian Çelës mbaron në dhjetor, KLP hap garën për Prokurorin e ri të Përgjithshëm