“Kandidate” për Zonjën e Parë të Francës? Kush është Princesha që shoqëron Bardellën

4 Korrik 2026 | 17:33

Deri pak muaj më parë, emri i Princeshës Maria Carolina të Siçilive Burbon-Dy ishte i njohur kryesisht në qarqet aristokratike evropiane, botën e modës dhe jet setin ndërkombëtar. Sot, 23-vjeçarja është në qendër të vëmendjes së mediave franceze, pasi është partnerja e Jordan Bardella, liderit të Tubimit Kombëtar dhe një prej favoritëve për të kandiduar për president të Francës në zgjedhjet e vitit 2027, nëse Marine Le Pen nuk do të jetë në garë.

Lidhja e tyre u bë publike në prill, kur çifti u shfaq në kopertinën e revistës Paris Match, duke konfirmuar zërat që qarkullonin prej muajsh. Që atëherë, çdo dalje e tyre publike ka tërhequr vëmendjen e mediave, ndërsa jeta private e Bardellas është kthyer në objekt debati politik.

Maria Carolina ka lindur më 23 qershor 2003 dhe është vajza e madhe e Princit Charles të Burbon-Dy Siçilive. Familja e saj i përket një prej dinastive historike mbretërore të Evropës, e cila sundoi Mbretërinë e Dy Siçilive deri në bashkimin e Italisë në shekullin XIX. Ajo konsiderohet gjithashtu pasardhëse e mbretit francez Louis XIV.

E rritur mes Parisit, Romës dhe Monakos, Maria Carolina u arsimua fillimisht në shtëpi nga mësues privatë, ndërsa më vonë studioi modë dhe menaxhim të industrisë së luksit. Paralelisht, ajo ndërtoi një profil të njohur në rrjetet sociale, duke bashkëpunuar me marka prestigjioze të modës dhe luksit.

Në llogarinë e saj në Instagram publikon fotografi nga udhëtimet, eventet zyrtare, mbrëmjet gala, garat e Formula 1 dhe aktivitetet bamirëse të mbështetura nga familja e saj. Në të kaluarën ajo ka ndarë edhe fotografi nga pushimet në Greqi, përfshirë ishullin e Spetses.

Sipas raportimeve të mediave evropiane, familja e saj zotëron prona luksoze në disa prej destinacioneve më ekskluzive të kontinentit, përfshirë Monakon, Parisin, Saint-Tropez, Provence dhe Sardenjën. Në një intervistë të mëparshme, princesha ka deklaruar se, pavarësisht privilegjeve me të cilat është rritur, dëshiron të ndërtojë karrierën dhe të ardhmen e saj.

Një nga çështjet që ka ngjallur më shumë debat në Francë është pasuria e familjes së saj. Sipas raportimeve të gazetës Le Monde, familja kontrollon një pasuri që tejkalon 130 milionë euro përmes strukturave financiare jashtë vendit. Ky fakt ka nxitur kritika ndaj Jordan Bardellas, i cili prej vitesh është paraqitur si përfaqësues i shtresave të mesme dhe punëtore.

Çifti u njoh gjatë Çmimit të Madh të Monakos në vitin 2025, në një aktivitet ku merrnin pjesë biznesmenë dhe përfaqësues të aristokracisë evropiane. Disa muaj më vonë vendosën ta bënin publike lidhjen e tyre.

Megjithatë, romanca ka shkaktuar diskutime edhe brenda partisë së Bardellas. Paraqitjet e tyre në evente luksoze janë parë me skepticizëm nga një pjesë e opinionit publik francez, ndërsa vetë politikani ka këmbëngulur se marrëdhënia e tyre nuk ka asnjë dimension politik.

Nëse Jordan Bardella do të kandidojë dhe do të fitojë zgjedhjet presidenciale franceze të vitit 2027, Maria Carolina e Burbon-Dy Siçilive mund të bëhet Zonja e Parë e ardhshme e Francës. Deri atëherë, lidhja e tyre pritet të mbetet një nga temat më të komentuara në politikën dhe median evropiane.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Le Pen në gjyq vendimtar në Paris, rrezikon përjashtimin nga gara presidenciale e 2027!

Marine Le Pen do të përballet të martën me një nga momentet më vendimtare të karrierës së saj politike, teksa Gjykata e Apelit në Paris...
18:48 | 04/07/2026

Erdogan sulmon Izraelin: Janë të varur nga lufta! S’do të lejojmë që ta zhysin rajonin në erën e barutit

Presidenti turk, Rexhep Tayip Erdogan ka sulmuar sërish qeverinë izraelite, duke e quajtur atë të “varur nga lufta”, dhe duke e akuzuar për nxitjen e...
18:39 | 04/07/2026

Vullkani në Antarktidë që shpërndan kristale ari, fenomeni i pazakontë i Malit Erebus

Mali Erebus është vullkani më jugor aktiv në Tokë, i vendosur në Ishullin Ross në Detin Ross, rreth 1,350 kilometra nga Poli Jugor Gjeografik. Ai...
18:37 | 04/07/2026