LVV thotë se i ka votat për Qeverinë, kërkon konsensus për presidentin
Lëvizja Vetëvendosje tha se i ka siguruar votat për formimin e Qeverisë së re pas zgjedhjeve të 7 qershorit dhe se do të kërkojë konsensus me partitë e tjera për zgjedhjen e presidentit, proces që dështoi muaj më parë dhe e çoi vendin në zgjedhje të parakohshme.
“Sa i përket Qeverisë, ne i kemi votat e nevojshme. Prandaj, menjëherë pas konstituimit të Kuvendit pa humbur kohë duhet të vazhdojmë me procedurën për votimin e Qeverisë, ndërsa brenda afateve kushtetuese do të angazhohemi edhe për arritjen e konsensusit rreth zgjedhjes së presidentit/es”, tha për Radion Evropa e Lirë ish-shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci.
LVV-ja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, është fituese e zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit me 47.13 për qind të votave apo 53 mandate në Kuvendin prej 120 vendesh.
Për zgjedhjen e Qeverisë kërkohet shumica e thjeshtë prej 61 votash – pra LVV-ja do të mund ta formonte një ekzekutiv me përkrahjen e partive pakicë joserbe – të cilat e kanë mbështetur edhe ekzekutivin aktual.
Megjithatë, për presidentin kërkohet pjesëmarrja në votim në dy rundet e para të të paktën 80 deputetëve. Mospajtimet për zgjedhjen e presidentit çuan në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.
Sipas Nagavcit, LVV-ja do “të bëjë gjithçka” që është në mandatin e saj që të arrihen votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit të ri.
“Andaj, është e nevojshme që deputetët, të cilët kanë fituar besimin e qytetarëve, të jenë në nivelin e përgjegjësisë dhe ta zgjedhim presidentin/en, në mënyrë që ta tejkalojmë bllokadën në të cilën ndodhemi, të shmangim edhe një palë zgjedhje dhe të vazhdojë puna me kompetenca të plota në të gjitha institucionet”, shprehet Nagavci.
Kosova është me ushtrues detyre të presidentit që nga prilli, kur Vjosa Osmanit i përfundoi mandati pesëvjeçar kushtetues. Ndërkohë, partitë janë në pritje të certifikimit të rezultateve për të nisur konsultimet për formimin e institucioneve të reja.
Aktualisht, Gjykata Supreme po trajton disa ankesa dhe ka afat deri të martën që t’i shqyrtojë ato, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po pret vendimet e saj para se të vazhdojë me certifikimin e rezultateve.
Duke folur për këto takime mes partive, Nagavci thekson se kreu i partisë, Albin Kurti do të udhëheqë këtë proces dhe do t’i zhvillojë ato “me synimin për të gjetur zgjidhjen më të mirë për tejkalimin e situatës”.
“LVV-ja nuk është e gatshme për kompromis të gjerë politik”
Por, politologu Dritëro Arifi e interpreton këtë qëndrim si shenjë se LVV-ja nuk është e gatshme për kompromis të gjerë politik.
“Mendoj se nëse shkohet me këtë logjikën ku nuk ka asnjë negociatë mbi ndërtimin e diçkaje pozitive, rezultati do të jetë pak a shumë siç ka qenë vitin e kaluar. Pra, deklarata e Nagavcit është sinjali se ata nuk janë të gatshëm të bashkëqeverisin vetëm ta zgjedhin një president çfarëdo qoftë ai ose ajo. Pra i bie nën urdhrat e LVV-së”, thotë Arifi.
LVV-ja kërkon që vendi të ketë një president konsensual dhe muaj më parë propozoi edhe dy figura nga shoqëria civile, Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxha. Por, për shkak të mosarritjes së një marrëveshjeje me partitë opozitare, kandidaturat e LVV-së për president nuk arritën të merrnin votat e nevojshme.
Lidhur me përpjekjet për zgjedhjen e presidentit, Arifi thotë se deklarata e Nagavcit është “pa logjikë, pa përmbajtje, është puro politikë populliste”, teksa thekson se parti të ndryshme kanë dalë me kushte të caktuara për bashkëpunim me LVV-në e Kurtit.
Cilat janë qëndrimet e partive?
Radio Evropa e Lirë u ka dërguar pyetje Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) lidhur me konsultimet për formimin e institucioneve, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.
Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, një ditë pas zgjedhjeve deklaroi se fuqia e dytë më e madhe politike është e hapur për bisedime me të gjitha partitë, pa përjashtuar as LVV-në.
“Mendoj se për të pasur institucione shpejt dhe të qëndrueshme, duhet të ketë marrëveshje politike qysh tash, ende pa filluar konstituimi i Kuvendit, formimi i Qeverisë dhe pastaj zgjedhja e presidentit”, tha ai.
“Një simbol i lirisë dhe miqësisë”, Prattipati vlerëson pullën postare të Kosovës për SHBA-në
Këshilltari i Trumpit për çështje fetare viziton Manastirin e Deçanit
Aksident në Gjakovë, plagosen 4 persona. I mituri i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale
- 18:11 Trump pranon se i kërkoi FIFA-s të rishikojë pezullimin e Balogun: Mendoj se u mor vendimi i duhur
- 17:44 Netanyahu sulmon Erdoganin dhe i kërkon SHBA-së të mos i shesë Turqisë avionët F-35
- 17:28 Sulm me dronë ukrainas në zemër të Rusisë, goditet rafineria strategjike e Omskut
- 17:00 Hoxha pret parlamentarët francezë: Mbështetja e Francës, kyçe për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor
- 16:53 Njeriu më i pasur i Francës, Bernard Arnault, urdhërohet të paguajë 22.5 milionë euro taksa
- 16:48 Zjarr i madh në Koxhas të Fushë-Shijakut, flakët i afrohen autostradës Tiranë-Durrës (VIDEO)