Gjykata Supreme rrëzon ankesat, hapet rruga për certifikimin e zgjedhjeve në Kosovë
Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuara pesë ankesat e paraqitura kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke i hapur rrugë certifikimit të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit.
Pas këtij vendimi, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, konfirmoi për Euronews Albania se certifikimi i rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve do të bëhet në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e cila do të mbahet të mërkurën, më 8 korrik, duke nisur nga ora 11:00.
Ankesat ishin paraqitur nga Lista Serbe, kandidatja e Nova Demokratska Stranka (NDS), Emilija Rexhepi, e cila kishte dorëzuar dy ankesa, si dhe nga kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu.
Lista Serbe pretendonte se subjekti politik “GI – Za Slobodu, Pravdu i Opstanak” (ZSPO) kishte siguruar mandatin e rezervuar për komunitetin serb kryesisht përmes votave të marra në komuna me shumicë shqiptare. Megjithatë, Supremja vlerësoi se legjislacioni i Kosovës nuk e lidh vlefshmërinë e votës me përkatësinë etnike të votuesit apo strukturën demografike të zonës ku është hedhur vota dhe se nuk u paraqitën prova për manipulim apo parregullsi zgjedhore.
Po ashtu, Gjykata hodhi poshtë dy ankesat e Emilija Rexhepit, e cila kërkonte anulimin ose verifikimin e votave të marra nga ZSPO, duke argumentuar se ato ishin siguruar në zona me shumicë boshnjake. Supremja theksoi se interpretimet statistikore dhe demografike nuk përbëjnë bazë ligjore për të vënë në dyshim vlefshmërinë e votave dhe se e drejta e votës është individuale, pa marrë parasysh përkatësinë etnike.
Gjykata refuzoi edhe ankesën e Bekim Haxhiut, i cili kishte kërkuar rinumërimin e plotë të votave preferenciale të kandidatëve të PDK-së. Sipas Supremes, ai nuk paraqiti prova të mjaftueshme që do të justifikonin një rinumërim të tillë, ndërsa raporti i KQZ-së për rinumërimin e 185 vendvotimeve nuk përbënte bazë për një masë të tillë.
Po ashtu, u rrëzua edhe ankesa e kandidatit të PDK-së, Qëndrim Kryeziu. Gjykata konstatoi se pretendimet e tij ishin shqyrtuar më parë dhe se raporti i KQZ-së nuk dëshmonte ekzistencën e parregullsive sistematike që do të impononin rinumërimin e plotë të votave.
Me refuzimin e të gjitha ankesave, është hapur rruga për certifikimin e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit në Kosovë.
Ankesa të reja në Gjykatën Supreme kundër rezultatit të zgjedhjeve në Kosovë
Shtyhet certifikimi i zgjedhjeve në Kosovë, ankesat e kandidatëve të PDK-së bllokojnë procesin
KQZ certifikoi rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë, ja sa ulëse fituan LVV, PDK, LDK dhe AAK në Kuvend
- 17:58 Aplikimet për universitet nisin në fund të korrikut, si do të zhvillohet procesi dhe afati përfundimtar
- 17:56 Aktiviteti fizik dhe palestra për zemrën, kardiologët: Më parë duhet bërë një konsultë
- 17:54 Burrat ukrainas në moshë ushtarake mund të humbasin mbrojtjen në BE, pritet vendimi
- 17:45 Kryeministri spanjoll mbërrin në Ankara për samitin e NATO-s
- 17:12 Princi Harry humb çështjen gjyqësore ndaj Daily Mail për shkelje të privatësisë
- 17:02 Përplasje në Ankara, protestuesit anti-NATO përleshen me policinë para samitit (VIDEO)