Zhulali: Europa mbetet e varur nga SHBA për sigurinë, duhet të marrë më shumë përgjegjësi

7 Korrik 2026 | 21:54

E ftuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin”, duke komentuar samitin e NATO-s në Turqi, anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike, Ilda Zhulali, u shpreh se Evropa vijon të mbështetet në masë të madhe te Shtetet e Bashkuara për garantimin e sigurisë, veçanërisht në kushtet e luftës në Ukrainë.

Ajo argumentoi se barra kryesore ushtarake dhe politike në mbështetje të Kievit është mbajtur nga Uashingtoni, ndërsa vendet europiane duhet të marrin një rol më aktiv dhe të rrisin kontributin e tyre në mbrojtjen kolektive.

Sipas saj, pikërisht kjo është arsyeja pse administrata amerikane ka kërkuar vazhdimisht që aleatët europianë të shtojnë investimet në mbrojtje dhe të forcojnë kapacitetet ushtarake. Zhulali theksoi se këto kërkesa nuk synojnë dobësimin e NATO-s, por ndarjen më të drejtë të përgjegjësive brenda aleancës, në mënyrë që partneriteti transatlantik të mbetet i fortë dhe funksional përballë sfidave të reja të sigurisë.

“Unë besoj se nuk po hyjmë në një epokë ku aleancat janë të panevojshme. Përkundrazi, ato kanë qenë, janë dhe do të mbeten gjithmonë të domosdoshme, veçanërisht në marrëdhëniet ndërkombëtare. Sado i madh apo i fuqishëm të jetë një shtet, askush nuk mund të mbijetojë i vetëm në botën dinamike të sotme. Këtë e dëshmon edhe fakti që Donald Trump kritikoi vendet e Bashkimit Europian për mungesën e mbështetjes në fushatën kundër Iranit. Kjo tregon se ai e konsideron aleancën të rëndësishme, por kërkon që ajo të funksionojë mbi parimin e reciprocitetit. Aleanca mund të qëndrojë e fortë vetëm nëse të dyja palët i përgjigjen njëra-tjetrës kur kanë nevojë. Sot Europa ka një luftë në kufijtë e saj, atë në Ukrainë, ndërsa barrën kryesore ushtarake dhe politike vazhdojnë ta mbajnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Europa ka qenë dhe mbetet në një masë të madhe e varur nga SHBA për përballimin e kësaj sfide. Për këtë arsye, kur Amerika kërkon mbështetjen e Europës, pret të njëjtën përgjegjësi dhe besnikëri politike. Në thelb, bëhet fjalë për qartësimin e rregullave të aleancës dhe për faktin se aleatët duhet të jenë pranë njëri-tjetrit kur kanë nevojë. Debatet mbi të ardhmen e NATO-s kanë ekzistuar prej kohësh. Trump ka një mënyrë komunikimi shumë më të drejtpërdrejtë se presidentët e tjerë amerikanë dhe, në epokën e informacionit në kohë reale, çdo deklaratë e tij bëhet pjesë e debatit publik. Megjithatë, kjo nuk ndryshon shtyllat themelore të politikës së jashtme amerikane dhe rëndësinë e aleancës transatlantike. U tha se Amerika do të largohej nga NATO nëse Trump rikthehej në Shtëpinë e Bardhë, por kjo nuk ndodhi. Përkundrazi, NATO iu përgjigj një kërkese të hershme të Trumpit që vendet europiane të rrisnin shpenzimet për mbrojtjen, të forconin industrinë ushtarake dhe të përgatiteshin për sfidat e reja. Lufta në Ukrainë tregoi se Europa nuk ishte mjaftueshëm e përgatitur dhe se investimet në mbrojtje ishin të domosdoshme. Sot, teknologjia dhe inteligjenca artificiale po ndryshojnë mënyrën e zhvillimit të luftës, por nuk e zëvendësojnë industrinë e mbrojtjes. Këtë e shohim qartë në Ukrainë, ku përdorimi i dronëve ka ndryshuar ekuilibrat në fushëbetejë, duke goditur objektiva strategjikë në territorin rus dhe duke testuar kapacitetet mbrojtëse të Rusisë. Në fund, mendoj se debati që po zhvillohet në samitin e NATO-s në Turqi është i shëndetshëm, sepse fokusohet në thelbin e aleancës: si duhet të kontribuojë secili shtet për mbrojtjen kolektive, në mënyrë që të gjithë aleatët të ndihen të sigurt. Kjo është një mundësi edhe për Europën që të mësojë nga gabimet e së kaluarës, të rikonceptojë politikën e saj të sigurisë dhe të investojë më shumë në kapacitetet ushtarake, në përputhje me sfidat e kohës”, tha ajo.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Eksperti: Po lind “NATO 3.0”, Turqia po fiton peshë strategjike

I ftuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin”, eksperti dhe gazetari Egon Loli komentoi Samitim e NATO-s në Turqi ku tha se deklaratat e presidentit...
22:32 | 07/07/2026

Qeni sfidon ariun për të shpëtuar djalin e shtëpisë, pronari: Do ta shpërblej me një biftek (VIDEO)

Një qen i racës haski ka treguar përkushtimin e tij ndaj familjes në një moment dramatik, kur u përball me një ari që po vraponte...
21:04 | 07/07/2026

Berisha për protestën: Duhet të finalizohet me sukses, është detyrim ndaj martirëve të lirisë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur për protestën gjatë një takimi me ish-të përndjekurit politikë, të zhvilluar në ambientet e selisë blu. Deklaratat...
20:47 | 07/07/2026