Hitaj: Mbi 10 mijë llogari të dyshimta po verifikohen për komente negative ndaj bizneseve turistike

9 Korrik 2026 | 13:58

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaroi se strukturat e Policisë po hetojnë një aktivitet të dyshuar të koordinuar në hapësirën kibernetike, që sipas tij synon të dëmtojë reputacionin online të bizneseve turistike në Shqipëri.

Në një konferencë për mediat, Hita bëri të ditur se gjatë ditëve të fundit janë evidentuar publikime masive të komenteve dhe vlerësimeve negative ndaj hoteleve, restoranteve dhe subjekteve të tjera të turizmit në platforma ndërkombëtare.

Sipas kreut të Policisë, nga verifikimet paraprake rezultojnë indicie për ekzistencën e një rrjeti llogarish që kanë vepruar në mënyrë të sinkronizuar. Ai tha se deri në këtë fazë janë identifikuar mbi 10 mijë llogari me modele aktiviteti të dyshimtë, të cilat po verifikohen nga strukturat e specializuara.

Hita theksoi se një pjesë e këtyre profileve dyshohet se janë krijuar rishtazi për këtë qëllim, ndërsa të tjera janë llogari reale, për të cilat kanë nisur veprimet hetimore. Sipas tij, janë konstatuar raste kur e njëjta llogari ka publikuar komente negative për biznese në qytete të ndryshme të vendit brenda një intervali shumë të shkurtër kohor.

“Këto elemente po analizohen për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me një veprimtari të organizuar që synon krijimin e një perceptimi të rremë dhe dëmtimin e reputacionit të bizneseve shqiptare,” deklaroi Hita.

Ai paralajmëroi se, nëse dyshimet konfirmohen, materialet do t’i referohen Prokurorisë për veprat penale që lidhen me krimet kompjuterike dhe dëmtimin e interesave ekonomike.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë u bëri thirrje administratorëve të hoteleve, restoranteve dhe subjekteve turistike që kanë konstatuar raste të ngjashme të paraqesin kallëzim pranë strukturave të Hetimit të Krimit Kibernetik dhe të ruajnë çdo provë elektronike që mund t’i shërbejë hetimit.

Në përfundim, Hita deklaroi se Policia e Shtetit vijon zbatimin e planit të masave për garantimin e sigurisë gjatë sezonit turistik, duke theksuar se strukturat policore janë të angazhuara në të gjithë territorin për rendin publik, sigurinë rrugore dhe asistencën ndaj qytetarëve dhe turistëve.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Arrestohet 38-vjeçari në Himarë, u kap me armë, granatë dhe jelekë antiplumb

Policia e Himarës ka arrestuar në flagrancë një 38-vjeçar nga Vlora, gjatë një operacioni të koduar “Siguria 2”, të zhvilluar në kuadër të kontrolleve të...
14:56 | 09/07/2026

Berisha: Rama po jep miliona euro nga fondi i emergjencës për një koncert

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar rreth koncertit të Kanye West, që do të zhvillohet në Tiranë më 11 korrik. Ai kundërshtoi përdorimin...
14:39 | 09/07/2026

Hita: Pezullohet një efektiv në Fier, krijoi një lidhje të papërshtatshme me të miturat në ngjarje

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka dhënë detaje mbi rastin e dhunimit të një të miture nga disa bashkëmoshatare në Fier,...
14:32 | 09/07/2026