Ikonat e Onufrit dhe Shpatarakut tërheqin turistët, rritet interesi për Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë vijon të mbetet një nga destinacionet më të rëndësishme të turizmit kulturor në Shqipëri, duke tërhequr mijëra vizitorë vendas dhe të huaj.
Vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, rreth 16 mijë turistë kanë vizituar këtë institucion, ku pjesën më të madhe e përbëjnë vizitorët nga jashtë vendit. Muzeu është kthyer në një ndalesë të rëndësishme për turistët që kërkojnë të njihen me historinë, ikonografinë dhe trashëgiminë kulturore të Korçës.
Drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, Fjoralba Prifti, thotë se interesi i turistëve të huaj për koleksionin e muzeut është në rritje.
“Vizitorët janë të shumtë, me një numër më të madh nga Franca, Italia, Gjermania, të cilët gjithmonë e më shumë janë të interesuar për të njohur koleksionin tonë. Rreth 16 mijë vizitorë e kanë vizituar nga muaji janar deri në qershor. Presim të rritet më tepër ky numër vizitorësh. Nëse vizitojnë Korçën, vijnë në muze, i cili njihet kombëtarisht dhe bashkëpunon njëkohësisht me agjencitë e udhëtimit”, thotë Fjoralba Prifti.
Mes vizitorëve ishte edhe Anastasia nga Ukraina, e cila së bashku me bashkëshortin e saj me origjinë shqiptare vizitoi muzeun për t’u njohur më nga afër me koleksionin e ikonave dhe historinë e vendit.
“Unë jam Anastasia dhe vij nga Ukraina. Është hera e parë që vijmë në Shqipëri. Është një vend shumë, shumë i bukur. Burri im ka prejardhje shqiptare. Nëna dhe gjyshi i tij janë me origjinë nga Shqipëria. Para shumë vitesh ata u shpërngulën në Stamboll. Tani burri im dëshiron të mësojë më shumë për Shqipërinë dhe të njohë këtë vend. Ai po mëson edhe gjuhën shqipe. Na pëlqen shumë Shqipëria. Muzeu është shumë i bukur, me një histori të pasur dhe mjaft interesante. Na pëlqen shumë të vizitojmë muzetë”, thotë turistja Anastasia Kuçukbukucu.
Edhe bashkëshorti i saj, Aytek Kuçukbukucu, shprehu emocionet e vizitës në qytetin e Korçës, ku familja e tij ka rrënjë.
“Për herë të parë ne jemi në Shqipëri, na pëlqen shumë qyteti i Korçës. Stërgjyshi ka lindur në Korçë, gjyshja e babait tim ka lindur në Korçë. Para 100 vitesh kanë emigruar në Turqi, unë ende flas shqip. Korça është shumë e bukur, duam të vijmë këtu edhe njëherë. Njerëzit janë të mrekullueshëm dhe muzeu më pëlqeu shumë”, thotë turisti Aytek Kuçukbukucu.
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar administron mbi 8 mijë objekte të trashëgimisë kulturore, mes tyre mijëra ikona të krijuara nga shekulli XIII deri në shekullin XX, si dhe objekte liturgjike me vlera të rralla historike dhe artistike.
Koleksioni përfshin vepra të ikonografëve të njohur shqiptarë, si Onufri dhe Kostandin Shpataraku. Gjatë sezonit turistik, muzeu mirëpret grupe të organizuara dhe turistë individualë nga vende të ndryshme të botës.
Shtëpia ku lindi i madhi Faik Konica në harresë, thirrje që të kthehet në muze
Historia e heroit të mitologjisë greke Odisesë rikthehet në ekranet botërore
I jepet lamtumira e fundit aktorit të njohur Koço Qendro
- 21:45 Publikohen formacionet e ndeshjes Franca – Maroku, ka mungesa
- 21:37 Video e punonjësve të saj në Sarandë, reagon AMP: Janë pezulluar përkohësisht dhe ka nisur procedimi disiplinor
- 21:28 Marjana Koçeku: I qëndroj mesazhit tim për Bajrajt, ishte mbi baza të forta
- 21:25 Kievi dhe Ukraina do të prodhojë Patriot me licencë amerikane, Zelensky njofton marrëveshjen
- 21:17 Sulme në Iran, 3 shpërthime pranë portit strategjik në Konarak
- 20:58 Kartoni i kuq kundër Meksikës, Jarell Quansah pezullohet për dy ndeshje në Kupën e Botës