Jo vetëm Hormuzin: Irani kërcënon të bllokojë një tjetër ngushticë të rëndësishme

14 Korrik 2026 | 18:32

Pasi ka bllokuar lundrimin në Ngushticën e Hormuzit, Irani po sinjalizon se mund të përdorë një tjetër kartë strategjike, duke aktivizuar aleatët e tij Huthi në Jemen për të mbyllur edhe ngushticën Bab el-Mandeb, hyrjen drejt Detit të Kuq. Analistët paralajmërojnë se kjo do të hapte një front të ri përballë SHBA-së dhe do të vinte në rrezik dy nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës dhe tregtisë globale.

Ndërsa sulmet amerikane brenda territorit iranian janë intensifikuar dhe Huthët kanë shtuar ofensivat e tyre, ekspertët vlerësojnë se Teherani po zgjeron konfliktin për të rritur presionin ndaj Uashingtonit, duke kërcënuar jo vetëm Gjirin Persik, por edhe rrugët ndërkombëtare të furnizimit me energji.

Irani ka treguar tashmë ndikimin e tij përmes ndërprerjes së trafikut në Hormuz. Tani ai duket se është i gatshëm të ushtrojë presion edhe në Bab el-Mandeb, korridorin detar që lidh Detin e Kuq me Gjirin e Adenit dhe përmes të cilit kalojnë eksportet saudite të naftës dhe një pjesë e konsiderueshme e tregtisë detare botërore.

Një zyrtar i lartë jemenas paralajmëroi të hënën se forcat e vendit janë të gatshme të mbyllin ngushticën Bab el-Mandeb nëse Arabia Saudite vazhdon sulmet ndaj Jemenit. Sipas tij, një veprim i tillë mund ta çojë çmimin e naftës deri në 200 dollarë për fuçi.

Mohammed al-Farah, anëtar i byrosë politike të lëvizjes Ansarullah (Huthi), deklaroi se SHBA po e nxit Arabinë Saudite të sulmojë Jemenin dhe paralajmëroi se përshkallëzimi do të sillte mbylljen e koordinuar të ngushticave Bab el-Mandeb dhe Hormuz.

“Nëse situata përkeqësohet, Bab el-Mandeb dhe Hormuzi do të mbyllen në një aleancë operative. Çmimet e naftës do të ngjiten në 200 dollarë për fuçi, duke shkaktuar një tronditje të rëndë”, tha ai.

Analistët e konsiderojnë Hormuzin si levën më të fuqishme strategjike të Iranit, ndërsa Bab el-Mandeb shihet si mjeti i fundit i madh që Teherani mund të përdorë për të rritur presionin.

Profesori i Lindjes së Mesme, Fawaz Gerges, tha se Irani po i dërgon Uashingtonit mesazhin se është në gjendje të kërcënojë njëkohësisht të dyja ngushticat, duke e shndërruar konfliktin nga një përballje dypalëshe në një krizë që prek rrugët detare mbi të cilat mbështetet tregtia globale e energjisë.

“Sot nuk është vetëm Hormuzi në rrezik, por edhe Bab el-Mandeb”, tha ai.

Rreziku i përshkallëzimit gradual

Ekspertët paralajmërojnë se rreziku më i madh nuk është domosdoshmërisht një luftë e hapur, por një përshkallëzim i ngadaltë, ku secila palë rrit gradualisht presionin pa kaluar në një përballje të drejtpërdrejtë.

Dennis Ross, ish-negociator amerikan për Lindjen e Mesme, tha se sfida për SHBA-në është të ndryshojë llogaritjet strategjike të Iranit, në mënyrë që Teherani të rikthehet në negociata dhe të pranojë një marrëveshje të pranueshme për të dyja palët.

Huthët kanë treguar se mund të godasin tregtinë globale

Huthët kanë dëshmuar edhe më parë aftësinë për të goditur transportin ndërkombëtar në Bab el-Mandeb. Pas shpërthimit të luftës në Gaza në tetor 2023, grupi i mbështetur nga Irani sulmoi anije tregtare në Detin e Kuq, duke pretenduar se shënjestronte mjete të lidhura me Izraelin.

Kjo detyroi kompanitë e mëdha detare të devijonin anijet rreth Afrikës Jugore, duke rritur ndjeshëm kostot e transportit dhe duke nxitur ndërhyrje ushtarake nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe, si edhe krijimin e një misioni shumëkombësh për mbrojtjen e lundrimit.

Andreas Krieg, studiues në King’s College London, e cilësoi kërcënimin e fundit të Huthëve si një tjetër “opsion ekstrem” për Iranin pas Hormuzit, të cilin Teherani do ta përdorte vetëm nëse do të konsideronte se rikthimi në një luftë të plotë ishte i pashmangshëm.

Ai paralajmëroi se nëse SHBA shton sulmet ndaj infrastrukturës strategjike iraniane, Teherani mund të reagojë duke përdorur aleatët e tij në Jemen për të bllokuar Bab el-Mandeb, duke thelluar goditjen ndaj ekonomisë botërore.

Nga ana tjetër, Abdulaziz Sager, kreu i Gulf Research Center në Arabinë Saudite, tha se shtetet e Gjirit besojnë gjithnjë e më shumë se diplomacia me Iranin ka arritur kufijtë e saj, megjithëse një konflikt më i gjerë do të kishte kosto të larta për rajonin.

Sipas tij, Huthët ruajnë aftësinë për të penguar lundrimin në Bab el-Mandeb, por nuk ka gjasa të ndërmarrin një përshkallëzim të tillë pa një urdhër të qartë nga Teherani. Nëse kjo ndodh, ai paralajmëroi se SHBA-ja dhe aleatët e saj mund të përgjigjen me një operacion ushtarak më të gjerë për të dobësuar ndjeshëm kapacitetet e grupit.

Lufta, e nisur në fund të shkurtit nga SHBA-ja dhe Izraeli, ka destabilizuar Gjirin Persik dhe është përhapur në disa vende të rajonit, ndërsa Irani ka goditur baza ushtarake amerikane në disa shtete. Sipas raportimeve, mijëra njerëz kanë humbur jetën gjatë konfliktit, kryesisht në Iran dhe Liban, shkruan Reuters.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Trump: Sanksionet ndaj Rusisë mund të zgjerohen, do të synojmë edhe Iranin dhe Hezbollahun

Presidenti amerikan, Donald Trump tha të martën se një paketë sanksionesh që synon Rusinë mund të zgjerohet së shpejti për të përfshirë edhe Iranin dhe...
19:54 | 14/07/2026

Si është prishur armëpushimi SHBA-Iran gjatë javëve të fundit

Armëpushimi midis SHBA-së dhe Iranit është në rrënim e sipër, me sulmet midis vendeve që po përshkallëzohen me shpejtësi gjatë ditëve të fundit. Një vështrim...
19:46 | 14/07/2026

Skandali në familjen mbretërore norvegjeze! Djali i Princeshës së Kurorës lirohet nga burgu, do të qëndrojë në arrest shtëpie

Djali i Princeshës së Kurorës Mette-Marit të Norvegjisë, Marius Borg Hoiby, është liruar nga burgu dhe është në arrest shtëpiak, ndërsa apelon dënimin e tij...
19:33 | 14/07/2026