Abuzuan me fondet e Postës në Durrës, Gjykata cakton masat e sigurisë për tre punonjëset

18 Korrik 2026 | 15:14

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka caktuar masat e sigurisë për tre punonjëset e Postës Shqiptare, të cilat akuzohen për parregullsi dhe abuzime financiare.

Sipas vendimit të dhënë këtë të shtunë, gjykata ka vendosur masën “Arrest në burg” për drejtoreshën e filialit të Postës së Durrësit, Elisabeta Mataj, ndërsa për shefen e financave, Valbona Duni, dhe arkëtaren, Paola Dana, është caktuar masa “Arrest në shtëpi”.

Ngjarja u zbulua pas një kontrolli të brendshëm të zhvilluar pak ditë më parë në filialin e Postës Shqiptare, ku u konstatuan parregullsi në administrimin e fondeve. Pas kallëzimit penal të depozituar nga vetë institucioni i Postës, prokurori i çështjes, Frëngu, nisi menjëherë veprimet procedurale.

Njoftimi i plotë i Gjykatës:

VENDOSI:

1.            Pranimin e pjesshëm të kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

2.            Vleftësimin si të ligjshëm të ndalimit të personave nën hetim E. M., V. D. dhe P. D.

3.            Caktimin ndaj personit nën hetim E. M masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, si e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 135 dhe 25 i K.Penal.

4.            Caktimin ndaj personit nën hetim V. D. masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, si e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 135 dhe 25 i K.Penal.

5.            Caktimin ndaj personit nën hetim P. D. masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, si e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 135 dhe 25 i K.Penal.

6.            Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personave nën hetim V.D. dhe P. D.nga dhomat e paraburgimit nëse nuk mbahen të paraburgosur për ndonjë vepër tjetër penale.

7.            Urdhërohet personi nën hetim V. D. të qëndroi dhe të mos largohet nga banesa e saj në Lagjen Ilira, Plazh, Durrës.

8.            Urdhërohet personi nën hetim P. D. të qëndroi dhe të mos largohet nga banesa e saj në Lagjen nr.13, Durrës.

9.            Ngarkohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës dhe policia gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.

10.          Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 5 (pesë) diteve në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke filluar nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të gjykatës.

U shpall në Durrës, me datë 18.07.2026

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Aksident në aksin Pogradec-Korçë, plagosen dy persona (VIDEO)

Një aksident me dy të plagosur është shënuar këtë shtunë në aksin rrugor Pogradec-Korçë në zonën e Qafë-Plloçës. Dy mjete janë përplasur fort me njëra-tjetrën...
14:15 | 18/07/2026

“Çdo shteg ka një histori për të treguar”, Rama ndan pamje nga Mokra: Tradita merr jetë

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në “Facebook” ka shpërndarë pamje nga Mokra teksa shkuan se atje u zhvillua Mokra n’Fest 2026. Ai shkruan se...
13:06 | 18/07/2026

Ristrukturimi i PD, Berisha: Proces i thellë i ripërtëritjes, institucionalizuam edhe rolin e diasporës

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha këtë të shtunë ka zhvilluar një bashkëbisedim me ndjekësit e tij në rrjetet e tij sociale. Gjatë fjalës së...
12:46 | 18/07/2026