LIVE- Seanca e fundit plenare/ Qytetarët protestë para Kuvendit, tensione me policinë. Hidhet ujë ndaj protestuesve
Këtë të enjte ka nisur seanca e fundit plenare në Kuvend për këtë sesion parlamentar. Kuvendi i ka me vonesë, ndryshe nga ora zyrtare. Rendi i ditës pritet të jetë i ngjeshur ndërsa pritet të raportohen në Kuvend raportet vjetore të institucioneve të drejtësisë, përfshirë Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Prokurorinë e Përgjithshme, Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Në seancë pritet të shqyrtojnë projektrezolutat për vlerësimin e veprimtarisë së këtyre institucioneve gjatë vitit 2025. Gjithashtu pritet të zhvillohen interpelanca dhe seanca pyetje-përgjigje me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputetët e opozitës.
Gjithashtu këtë të enjte ka nisur prej mëngjesit protesta qytetarët para Parlamentit. Grumbullimi i qytetarëve ka nisur që në orët e para të mëngjesit në sheshin “Skënderbej”, nga më pas marshuan drejt godinës së Parlamentit.
Për të garantuar mbarëvajtjen e protestës, Policia e Shtetit ka shtuar masat e sigurisë duke angazhuar rreth 500 punonjës policie në terren. Organet e rendit kanë zgjeruar perimetrin e sigurisë, i cili shtrihet nga zona e “Toptanit” deri te rruga e Elbasanit.
Gjithashtu, rreth godinës së Kuvendit është vendosur edhe gardhi metalik për të parandaluar çdo incident të mundshëm gjatë zhvillimit të tubimit.
Pak para nisjes zyrtare të protestës para Kuvendit janë shënuar incidentet e para mes disa qytetarëve dhe forcave të sigurisë.
Disa protestues janë afruar pranë gardhit metalik të vendosur nga Policia e Shtetit dhe tentuan të heqin rrethimin metalik për të depërtuar drejt godinës së Kuvendit.
Pas këtij veprimi kanë ndërhyrë punonjësit e Policisë, të cilët kanë bllokuar kalimin e qytetarëve për të mbajtur nën kontroll perimetrin e sigurisë. Protestuesit gjithashtu kanë bllokuar për disa minuta rrugën e Elbasanit dhe pas ndërhyrjes së policisë është hapur rruga për qarkullim.
Lajm në përditësim…
Protesta jashtë Parlamentit, shoqërohen 5 persona. Momenti kur policia merr protestuesen (VIDEO)
Policia e Shtetit ka intensifikuar ndërhyrjet në terren duke kryer një tjetër shoqërim pranë godinës së Parlamentit. Pak kohë pas shoqërimit të protestuesit të parë, i cili vendosi kosha mbeturinash për të bllokuar qarkullimin e mjeteve, efektivët e rendit kanë marrë edhe një protestues tjetër.
Aksioni i policisë vjen si pasojë e përpjekjeve për të mbajtur nën kontroll perimetrin e sigurisë dhe për të zhbllokuar akset rrugore. Protestuesi i dytë është dërguar gjithashtu në ambientet e komisariatit për veprime të mëtejshme procedurale, ndërsa situata në shesh mbetet e qetë.
Tabaku: Provoni të shkoni në protestë, Balla: Kuvendi duhet të dënojë ashpër dhunën kundër policisë
Deputetja demokrate, Jorida Tabaku gjatë fjalës së saj në Kuvend ka komentuar lidhur me masat e marra për protestën që po zhvillohet para Parlamentit. Ajo theksoi se qytetarët po sulmohen nga policia.
Ndër të tjera, Tabaku u shpreh se shkon në protestë çdo natë teksa shtoi se askush nuk e ka sulmuar. Ajo ‘sfitoi’ deputetët e mazhorancës që të shkojnë në protestë.
“U ndjeva jashtëzakonisht keq duke hyrë në parlament kur shikon qytetarë që protestojnë dhe sulmohen nga policia. Ndërkohë që flasim, dalin pamje të qytetarëve që janë djegur. Qytetarët thërrisnin parlament i krimit dhe e kanë me mazhorancën. Provoni të shkoni në protestë!
Hajde dalim. Unë dal çdo natë dhe nuk më prek njeri me dorë! Ata protestojnë kundër këtij parlamenti se nuk i përfaqëson. Policia e Shtetit të ndalojë menjëherë dhunën ndaj qytetarëve. Qeveria shqiptare të përfshijë 4 projektligjet në rendin e ditës. Ndaloni prezantimin e njëanshëm dhe hajdeni me një produkt në interes të qytetarëve”, tha ai.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla nga ana tjetër ka kërkuar që Kuvendi të dënojë dhunën ndaj punonjësve të policisë gjatë protestës jashtë Parlamentit. Balla theksoi se policia nuk duhet të përballet me dhunë gjatë ushtrimit të detyrës dhe kërkoi reagim nga drejtësia.
“Persona të identifikuar prej nesh me lidhje të qarta me gardën e Iranin, janë orkestrues të dhunës. Jeni të përdhunuar nga ajo protestë. Ne kurrsesi nuk do të tolerojmë të goditen punonjës të policisë së shtetit. Gjaku i punonjësve të policisë së shtetit, ka ngritur dorë kundër shtetit.
Thirrja ime nuk është për policinë, pasi po bën detyrën e vet. Thirrja ime është për drejtësinë, për prokurorët dhe gjyqtarët, solidaritet me policinë e shtetit. Skam asnjë pritshmëri që kjo që ka mbetur nga PD, mos të distancohet nga dhuna. Ju mbeteni një grup i përdhunuar nga dhuna. Kuvendi duhet të dënojë ashpër dhunën kundër punonjësve të policisë”, tha ai.
Protestuesi ndihet keq, humbet ndjenjat në mes të turmës! Mbërrin ambulanca
Krahas përplasjeve fizike dhe tensioneve, situata para Parlamentit ka regjistruar edhe momente paniku për një protestues. Një prej protestuesve nuk është ndier mirë dhe i ka rënë të fiktë në mes të turmës.
Pranë godinës së Kuvendit ka mbërritur menjëherë ambulancë, e cili po i jep ndihmën e parë qytetarit në vendngjarje. Ndërkohë, pavarësisht këtij incidenti, situata në terren vijon të mbetet e qetë.
Kuvendi e miraton, më 30 korrik seanca e ardhshme plenare
Seanca e ardhshme plenare e Kuvendit do të zhvillohet më 30 korrik. Vendimi është marrë dhe miratuar gjatë seancës së sotme plenare nga votat e deputetëve në sallë.
Caktimi i kësaj date erdhi pasi në mbledhjen e mëparshme të Konferencës së Kryetarëve palët nuk arritën dot një dakordësi për kalendarin dhe rendin e ditës, duke bërë që çështja t’i kalojë për vendimmarrje vetë parlamentit.
Refuzohet kërkesa e PD për reformën territoriale, Berisha: Raporti juaj është i paligjshëm
Kreu i PD-së, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në Kuvend ka folur lidhur me rrëzimin e kërkesës së PD që të zgjatej me 3 muaj afati për komisionin e reformës territoriale. Berisha u shpreh se mazhoranca po vepron në mënyrë të njëanshme dhe se raporti i tyre është i paligjshëm.
“PD iu përgjigj një kërkese të prerë të Komisionit Evropian për angazhimin në komision parlamentar për reformën territoriale si një nga kushtet e pakëta të vendosura nga ky komision për progresin e Shqipërisë drejt BE. Por gjithashtu ne, përveç komisionit, kemi pasur me dhjetëra e qindra kërkesa nga qytetarët shqiptarë që të merrnim pjesë në këtë komision në mënyrë ëq të bënim avokatinë e kërkesave të tyre.
I bëmë të gjitha këto në kundërshtim me bindjen e thellë se Edi Rama do bënte gjithçka për të përvetësuar këtë reformë në funksion të interesave të tij mafioze, antidemokratike, antishqiptare shpopulluese. Në këtë komision, siç jeni dëshmitarë, është bërë nga pala jonë, puna më serioze dhe ajo është konkretizuar në një raport prej 400 e sa faqesh. Në përputhje me axhendën e përbashkët janë organizuar dhjetëra konsulta.
Axhenda e përbashkët kishte vazhdimin me konsulta të tjera. Raporti që pretendoni të paraqisni sot është absolutisht i paligjshëm. Nuk është miratuar në komisionin parlamentar dhe në praktikën dhjetëra vjeçare, komisionet bipartizane kanë shtyrë sa herë ka qenë e nevojshme afatet. Ju sot paraqiteni këtu me një raport që nuk është paraqitur në komisionin e reformës. Ky është një brutalitet. Ky është një akt me të cilin ju doni me çdo kusht të largoni pushtetin nga qytetarët.
Lexoni pak historinë e Shqipërisë, në 500 vitet e fundit nuk e ka bërë asnjë pushtues, asnjë regjim, asnjë diktaturë. Dhe tani kur e patë se shqiptarët hedhin poshtë me përçmim reformën e bërë, ndërpretë konsulta, sillni në parlament në mënyrë të paligjshme një raport. Ja ku është raporti ynë, por ne gjersa ky raport nuk është i debatuar në komisionin e ngritur, ne nuk e dorëzojmë se duhet se edhe ai që ka përgatitur pala juaj, edhe ky, të paraqiten në komision, të debatohen, pastaj të vijnë në parlament.
Po ju nuk keni as ligj, as Kushtetutë, as normë, as moral. Veproni në këtë mënyrë. Çfarë mendoni ju se shqiptarët nuk do të kuptojnë? Atëherë ju vërtet mund të bëni një akt të tillë, por ne absolutisht do bëjmë gjithçka që ata të ngrihen në një kryengritje të përgjithshme të fuqishme kundër jush në mënyrë që të bëjnë drejtësinë që i takon,” tha Berisha.
Dalin pamjet, momenti kur Shehaj nxirret nga ambientet e Kuvendit nga Garda
Pamje të reja janë publikuar nga momenti kur kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj nuk u lejua të futej në ambientet e Kuvendit. Ai u ndalua nga punonjësit e Gardës pasi sipas tyre është ende i përjashtuar nga punimet e Kuvendit.
Siç shihet edhe nga pamjet pas debatit, Garda nuk e ka lejuar të futet në ambientet e Kuventi dhe më pas është nxjerrë jashtë.
Shehaj ka insistuar se ai e ka shlyer afatin e përjashtimit. Sipas tij afati i përjashtimit ka përfunduar më 22 korrik.
“Si i ndaloni deputetët të hyjnë. Hiqi duart do të mbani përgjegjësi. Më tregoni mua urdhrin, vendimin. Mos më shty” tha ai.
Përplasjet jashtë Parlamentit, shoqërohet protestuesi i parë
Pas tensioneve të shumta që kanë shoqëruar protestën e sotme para Kuvendit dhe në akset kryesore të kryeqytetit, Policia e Shtetit ka kryer shoqërimin e parë në komisariat.
Mësohet se personi i shoqëruar kishte vendosur kosha mbeturinash në mes të rrugës, me qëllim bllokimin e qarkullimit të automjeteve dhe paralizimin e trafikut. Efektivët e rendit kanë ndërhyrë menjëherë duke e neutralizuar protestuesin dhe e kanë shoqëruar atë drejt ambientit të komisariatit për veprime të mëtejshme procedurale.
Protesta para Kuvendit, Bardhi: Nuk duhet të ndihemi të rrezikuar nga kritikat, por nga kërkesat. Replikon Balla
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi gjatë fjalës së tij në nisje të seancës plenare foli lidhur me situatën jashtë Kuvendit ku po protestojnë qytetarët. Ai kërkoi që policia të ndalojë dhunën teksa shtoi se qytetarët nuk përbëjnë rrezik për deputetët.
“Dua ti kërkojë policisë së shtetit që të ndalë dhunën. Është blinduar Kuvendi sikur do të na rrezikojnë ne qytetarët. E ti që ke hall Taulant kostumin se e ke të shtrenjtë. Duhet të verifikojnë se ku i ke gjetur lekët për atë kostum të shtrenjtë ti Taulant. Duhet të distancohet policia nga dhuna. Në emër të Kuvendit nuk e nderon ajo që po bën policia e Shtetit, Kuvend.
Nuk duhet të ndihemi të rrezikuar nga kritika e qytetarëve, nga kërkesat e tyre. Duhet t’i marrim seriozisht kërkesat e qytetarëve. Kanë kërkuar shfuqizimin e disa ligjeve, ndërkohë të rrimë në heshtje? Atje disa të moshuar, të rinj po dhunohen nga policia. Detyra e policisë së shtetit është që të parandalohet sulmet ndaj qytetarëve”, tha Bardhi.
Nga ana tjetët, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla në përgjigje të deklaratave të Bardhit u shpreh se opozita vuan nga sindroma e Stokholmit.
“Hera e parë para meje që ke ardhur para meje në seancë, meqë po flasim për frikë. Kishe ardhur që në orën 8. Tani sa i përket pjesë së kostumit, rritu sa të duash, nuk e mbush e nuk e kënaq dot kostumin tim, por është keqardhje je e madhe që PD e përfundon diskutimin në këtë pikë.
Dallimi më i madh mes këtij grupi dhe këtij grupi, ky grup as ka vuajtur nga 12 qershori 1991 nga sindroma e Stokholmit, ju vuani nga sindroma ku i përdhunuari bie në dashuri me përdhunuesin. Protestuesit thonë Saliu në burg, ia plotëson dot kërkesën?”, tha ai.
Përplasjet me protestuesit para Parlamentit, 6 efektivë të lënduar marrin ndihmën e parë
6 efektivë të Policisë së Shtetit kanë mbetur të lënduar si pasojë e përleshjeve të forta me protestuesit, të cilat po mbajnë qëndresën e tyre jashtë Kuvendit që prej mëngjesit.
Efektivët e lënduar janë transportuar me urgjencë drejt spitalit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Pavarësisht tensioneve të larta dhe ndërhyrjes së forcave të rendit, qytetarët po vijojnë qëndresën e tyre jashtë godinës, ndërkohë që brenda sallës plenare vijon normalisht zhvillimi i seancës parlamentare.
“Më tregoni mua urdhrin”, Shehaj nuk lejohet nga Garda të futet në Kuvend
Tensione janë regjistruar pak para nisjes së seancës plenare pasi kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj nuk u lejua të futej në ambientet e Kuvendit. Ai u ndalua nga punonjës e Gardës pasi është i përjashtuar nga punimet e Kuvendit.
Ndalimi ka sjellë tensione teksa, Shehaj u shpreh se përjashtimi është shlyer pasi ka përfunduar më 22 korrik.
“Si i ndaloni deputetët të hyjnë. Hiqi duart do të mbani përgjegjësi. Më tregoni mua urdhrin, vendimin. Mos më shty” tha ai.
Siç shihet edhe nga pamjet e siguruara nga moment i debatit, tonet janë të larta teksa në këtë situatë janë bashkuar edhe disa deputetë demokratë të cilët tentojnë të largojnë punonjësit e Gardës që Shehaj të marrë pjesë në seancë.
Kuvendi mban një minutë heshtje për ndarjen nga jeta të ish-deputetit Emin Riza
Ndërsa jashtë godinës së Parlamentit situata vijon të jetë e tensionuar, brenda sallës së seancave plenare punimet kanë nisur me një moment nderimi. Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, e ka hapur seancën e kësaj të enjteje duke përkujtuar ish-deputetin Emin Riza, i cili është ndarë nga jeta.
Riza u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 89-vjeçare.
Gjatë fjalës së tij, Peleshi vlerësoi kontributin e paçmueshëm të ish-deputetit, duke e cilësuar atë si një prej personaliteteve më të shquara të trashëgimisë kulturore, restaurimit të monumenteve dhe arkitekturës tradicionale shqiptare. Kuvendi mbajti minutë heshtje në nder të figurës dhe veprës së tij.
Protestuesit bllokojnë rrugën me koshat e mbeturinave, ndërhyn policia
Situata e tensionuar përpara Parlamentit vijon teksa protestuesit kanë bllokuar rrugën në Bulevardin Zhan D’ark. Protestuesit kanë bllokuar segmentin e Bulevardit “Zhan D’Ark” me koshat e mbeturimabe.
Në përpjekje për të paralizuar plotësisht lëvizjen e mjeteve në këtë arterie kryesore të kryeqytetit, pjesëmarrësit në protestë kanë tërhequr koshat e mbeturinave dhe i kanë vendosur mes për mes rrugës, duke ndërprerë qarkullimin e automjeteve.
Të gjendur në bllokim, disa drejtues mjetesh kanë zbritur nga makinat dhe, në bashkëpunim me efektivët, kanë lëvizur vetë koshat nga rruga për të hapur kalimin.
Protestuesit hedhin lëndë plasëse jashtë ambienteve të Parlamentit, lëndohet një efektiv policie
Situata jashtë Parlamentit ka regjistruar tensione të reja. Jashtë oborrit të godinës janë dëgjuar shpërthime, të shkaktuara nga lëndë plasëse të llojit kapsollë, të cilat janë hedhur nga protestuesit në drejtim të perimetrit të sigurisë.
Nga ky incident ka mbetur i lënduar një punonjës policie.
Mësohet se lëndët plasëse kanë rënë jashtë oborrit të Kuvendit, ku ndodhen të pozicionuar efektivët e rendit. Menjëherë pas shpërthimeve, forcat e Policisë së Shtetit kanë ndërhyrë për të zmbrapsur turmën dhe për të neutralizuar tensionet, ndërsa situata vijon të mbetet e tensionuar.
Konferenca e Kryetarëve pa vendimmarrje për kërkesën e PD për reformën Territoriale, do të votohet në Parlament
Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve ka përfunduar pa një vendimmarrje konkrete lidhur me kërkesën e Partisë Demokratike për zgjatjen e afatit të punimeve të Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale.
Pas debateve të ashpra mes palëve politike, është vendosur që kërkesa e PD-së të mos mbyllet në tryezën e drejtuesve të grupeve parlamentare, por t’i kalojë drejtpërdrejt seancës plenare për votim.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi gjatë fjalës së tij në mbledhje ngriti shqetësimet lidhur me një dokument të mbërritur në adresë të deputetëve, duke vënë në dyshim legjitimitetin dhe origjinën e tij.
Gjatë fjalës së tij, Bardhi akuzoi drejtuesit e Kuvendit për papërgjegjshmëri në administrimin e dokumenteve zyrtare, duke theksuar se Komisioni i Posaçëm për Reformën Territoriale nuk ka miratuar asnjë raport përfundimtar.
Bardhi shtoi se një dokument nuk mund të protokollohet apo të shqyrtohet në Kuvend pa kaluar më parë në filtri-n e komisionit përkatës.
Berisha dhe deputetët e PD mbërrijnë në Kuvend, vijojnë tensionet e qytetarëve me policinë
Ndërsa jashtë ambienteve të Parlamentit situata mbetet e tensionuar me përplasje të vazhdueshme mes protestuesve dhe forcave të policisë, deputetët e Partisë Demokratike kanë mbërritur në Kuvend për tu bashkuar në seancën e radhës plenare.
Para Kuvendit shihen dy fronte, nga njëra anë protestuesit që tentojnë të thyejnë kordonin e policisë dhe nga ana tjetër deputetët që mbërrijnë në Kuvend.
Protestuesit gjithashtu kanë hedhur vezë në drejtim të automjeteve të deputetëve të cilët po mbërrijnë në ambientet e Kuvendit.
Protestuesit kanë hedhur vezë dhe domate edhe ndaj policisë të cilët më pas janë kundërpërgjigjur me ujë. Kjo ka sjellë për disa minuta shpërndarjen e protestuesve të cilët më pas janë rimbledhur para Kuvendit.
Balla publikon pamjet e policit të plagosur nga tensionet jashtë Kuvendit: Kjo nuk është më protestë paqësore, por terrorizëm
Pas përshkallëzimit të tensioneve dhe përplasjeve fizike jashtë godinës së Kuvendit, ka reaguar Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku i ka konsideruar tensionet dhe dhunën e ushtruar ndaj forcave të rendit si një akt të rëndë.
Krahas mesazhit të tij, Balla ka shpërndarë një video ku shihet një efektiv policie i plagosur dhe me gjak.
“Kjo nuk është më protestë paqësore, është terrorizëm. Gjaku i policisë është gjaku i shtetit. Kush ngre dorë kundër punonjësit të policisë, ka ngritur dorë kundër shtetit”, ka shkruar Balla në reagimin e tij.
Vijojnë tensionet, protestuesit hedhin vezë në drejtim të mjetit të deputetit
Për pak minuta pritet të nisë seanca plenare në Kuvend ndërsa protestuesit prej dy orësh janë mbledhur në protestë. Ata shihen teksa hedhin vezë në drejtim të automjeteve të deputetëve të cilët po mbërrijnë në ambientet e Kuvendit.
Protestuesit gjithashtu kanë hedhur vezë dhe domate ndaj policisë të cilët më pas janë kundërpërgjigjur me ujë. Kjo ka sjellë për disa minuta shpërndarjen e protestuesve të cilët më pas janë rimbledhur para Kuvendit.
Protestuesit bllokojnë rrugët, ulen në tokë! Përplasen me policinë
Situata jashtë Parlamentit mbetet tejet e tensionuar, ndërsa protesta po përhapet në disa pika strategjike për të bllokuar akset rrugore. Përballë tentativave të vazhdueshme të Policisë së Shtetit për të zhbllokuar rrugët, protestuesit kanë ndryshuar taktikë duke u ndarë në disa akse të ndryshme rrugore, me qëllim paralizimin e qarkullimit.
Fokus kryesor i përplasjeve është zhvendosur në Bulevardin “Jean D’Arc”, ku dhjetëra zonja të ndryshme po bëjnë rezistencë të fortë, duke u ulur në rrugë. Ato refuzojnë kategorikisht të largohen nga rruga, ndërsa policia po tenton me forcë t’i zhvendosë për të mbajtur segmentin të hapur.
Në shenjë revolte, shumë prej protestuesve janë ulur në tokë në mes të rrugës, ndërsa nga turma janë hedhur sërish vezë në drejtim të efektivëve të policisë.
Tensionet jashtë Kuvendit, policia shpërndan me ujë protestuesit
Përplasjet jashtë godinës së Parlamentit është përshkallëzuar. Përballë rezistencës së vazhdueshme dhe bllokimit të akseve rrugore, Policia e Shtetit është detyruar të ndërhyjë me masa më të rrepta duke hedhur ujë me presion drejt protestuesve për t’i shpërndarë ata.
Në terren janë angazhuar dy autobotë uji, të cilët po përdoren për të liruar segmentet rrugore të bllokuara. Pavarësisht ndërhyrjes së mjeteve ujëhedhëse, qytetarët po bëjnë rezistencë të fortë dhe refuzojnë të largohen nga ambientet e Parlamentit, duke e mbajtur situatën tejet të tensionuar.
Konferenca e Kryetarëve, opozita debat për mosrealizimin e Reformës Territoriale
Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve është shoqëruar me debata të ashpra mes përfaqësuesve të opozitës dhe mazhorancës, ku në qendër të diskutimeve ka qenë e ecuria dhe e ardhmja e Reformës Territoriale.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka ngritur shqetësime të forta lidhur me një dokument të mbërritur në adresë të deputetëve, duke vënë në dyshim legjitimitetin dhe origjinën e tij.
Gjatë fjalës së tij, Bardhi akuzoi drejtuesit e Kuvendit për papërgjegjshmëri në administrimin e dokumenteve zyrtare, duke theksuar se Komisioni i Posaçëm për Reformën Territoriale nuk ka miratuar asnjë raport përfundimtar.
Bardhi shtoi se një dokument nuk mund të protokollohet apo të shqyrtohet në Kuvend pa kaluar më parë në filtri-n e komisionit përkatës, duke ironizuar procedurën e ndjekur.
“Na ka ardhur dje një e-mail me një raport për reformën territoriale. Ne nuk e dimë se nga vjen ky dokument dhe nuk sqarohet askund origjina e tij. Kuvendi nuk mund ta trajtojë në këtë mënyrë. Nuk mundet që Kryetari i Kuvendit të sjellë dokumente për të cilat nuk dihet se nga vijnë.
Prandaj e pyes Kryetarin e Kuvendit: ku e ka marrë këtë dokument? Komisioni për Reformën Territoriale nuk ka miratuar asnjë dokument. Prandaj duhet të bëhemi seriozë. Nuk mund të marrim një dokument, sikur Arbi Mazniku të ketë shkruar një doktoraturë, dhe ta sillni ju këtu. Si mund të vijë një dokument në Kuvend pa kaluar më parë në komision?
Po ju them se komisioni nuk e ka kryer punën. Ka pasur shtatë detyra dhe janë realizuar vetëm dy. Në planin e punës janë 16 pika, nga të cilat janë realizuar vetëm tre. Komisioni nuk ka kryer as konsultat e parashikuara. Prandaj kemi kërkuar shtyrjen e afatit të komisionit”, tha ai.
Tensionet para Kuvendit, shtohen masat e policisë. Mbërrin edhe një makinë ujëhedhëse
Tensionet e para kanë nisur të regjistrohen në protestën e kësaj të enjte të protestuesve para Kuvendit. Pas tensioneve me policinë për çarjen e kordonit dhe heqjes së gardhit metalik, mësohet se pranë Kuvendit ka mbërritur edhe një makinë ujëhedhëse.
Protestuesit gjithashtu kanë hedhur vezë dhe domate në drejtim të policisë ndërsa në minutat në vijim pritet të mbërrijnë edhe deputet të cilët në orën 10:00 do të marrin pjesë në seancën plenare në Kuvend.
Protestuesit bllokojnë rrugën e Elbasanit, tensione me shoferët. Ndërhyn policia
Pasi nuk arritën të çajnë kordonin e dytë të sigurisë të vendosur nga Policia e Shtetit pranë Parlamentit, protestuesit kanë ndryshuar strategji në shenjë revolte. Dhjetëra qytetarë janë zhvendosur duke bllokuar tërësisht qarkullimin e mjeteve në Rrugën e Elbasanit, një nga akset kryesore hyrëse dhe dalëse të kryeqytetit.
Kjo lëvizje ka shkaktuar menjëherë kaos dhe radhë të gjata trafiku në të gjitha rrugët lidhëse të kësaj zone. Gjatë bllokimit nuk kanë munguar as përplasjet verbale e tensionet direkte mes drejtuesve të mjeteve të mbetur në bllokim dhe protestuesve. Për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të incidenteve dhe për të rikthyer normalitetin, në aksin e bllokuar kanë ndërhyrë menjëherë forcat e Policisë së Shtetit.
Protesta para Kuvendit, ambasada e SHBA thirrje qytetarëve amerikanë: Shmangni demonstratat
Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka dalë me një reagim lidhur me protestën e kësaj të enjte nga qytetarët para Kuvendit.
Sipas njoftimit, protestat dhe tubimet e mëdha shpesh fillojnë në mënyrë paqësore por më pas situatat mund të ndryshojnë shpejt.
Ambasada shkruan se protestat mund të zgjerohen në zonat e afërta, duke përfshirë ndërtesa të tjera qeveritare. Ata kanë këshilluar personelin e qeverisë amerikane të shmangin zonat e protestave.
Ambasada u bën thirrje qytetarëve amerikanë që të shmangin demonstratat, të jenë të kujdesshëm, të kufizojnë shpërqendrimet si përdorimi i telefonit apo kufjeve në vende publike dhe të ndjekin mediat lokale për informacion të përditësuar.
Njoftimi i plotë:
Vendndodhja: Tiranë, përballë ndërtesës së Parlamentit, e vendosur në rrugën George Ë. Bush
Data/Ora: E enjte në mëngjes në orën 08:00, 23 korrik
Ngjarja: Një protestë është planifikuar përpara ndërtesës së Parlamentit, e vendosur në rrugën George W. Bush. Kjo protestë lidhet me protestat e natës që vazhdojnë përpara ndërtesës së Kryeministrit, e vendosur në Bulevardin Dëshmorët e Kombit midis Sheshit Nënë Tereza dhe Sheshit Skënderbej. Protesta të tjera mund të ndodhin në ditët në vijim.
Ndërsa protestat dhe tubimet e mëdha shpesh fillojnë në mënyrë paqësore, situatat mund të ndryshojnë shpejt. Protestat mund të zgjerohen në zonat e afërta, duke përfshirë ndërtesa të tjera qeveritare. Prani e shtuar e policisë, mbyllje rrugësh, devijime dhe ndërprerje të trafikut mund të priten në orët para dhe gjatë protestave. Personelit të qeverisë amerikane këshillohet të shmangë zonat e protestave.
Forconi qëndrimin tuaj të sigurisë duke praktikuar zakonet e mëposhtme:
Veprimet që duhen ndërmarrë:
Qytetarëve amerikanë u këshillohet të shmangin demonstratat
Ji i vetëdijshëm për mjedisin përreth
Kufizoni shpërqendrimet si telefonat ose kufjet në publik
Monitoroni mediat lokale
Gjithmonë keni një plan emergjence ose strategji daljeje
Mbani një profil të ulët
Protestuesit çajnë kordonin e policisë para Parlamentit, godasin me vezë efektivët
Situata para Parlamentit është përshkallëzuar ndjeshëm gjatë orëve të mëngjesit të kësaj të enjteje, ku protestuesit e mbledhur kanë arritur të çajnë rrethimin e parë të sigurisë. Në ndjekje të tensioneve të para, qytetarët kanë ushtruar presor mbi barrierat mbrojtëse, duke arritur të heqin gardhin metalik të vendosur nga Policia e Shtetit.
Pasi kapërcyen barrierën e parë, protestuesit kanë vijuar marshimin duke u afruar edhe më shumë pranë godinës së Kuvendit, ku ndodhen përballë perimetrit të dytë të sigurisë. Gjatë këtij momenti, drejt efektivëve të rendit janë hedhur vezë dhe sende të tjera.
Pas incidentit, Policia ka afruar pranë Parlamentit edhe autobotin me ujë për ndërhyrje të mundshme.
PD kërkon zgjatjen me 3 muaj të Komisionit të Posaçëm të Reformës Territoriale
Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, Luçiano Boçi këtë të enjte i ka drejtuar një kërkesë zyrtare Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, dhe Konferencës së Kryetarëve për zgjatjen me 3 muaj të Komisionit të Reformës Territoriale.
Sipas dokumentit zyrtar të depozituar pranë Kuvendit, kërkesa arsyetohet me nevojën për të vijuar punën edhe gjatë muajit gusht, me qëllim përmbushjen e plotë të detyrimeve dhe objektivave të përcaktuara në projektkalendarin e punës.
Boçi argumenton se një pjesë e konsiderueshme e aktiviteteve thelbësore nuk janë realizuar ende. Dy kërkesat kryesore janë zgjatja e mandatit me 3 muaj, në mënyrë që puna e Komisionit të vijojë edhe gjatë muajit gusht dhe marrja e opinionit zyrtar nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës mbi rekomandimet dhe sugjerimet e Komisionit përpara se projektpropozimi përfundimtar të kalojë për votim në Kuvend.
Protestë para Kuvendit, qytetarët marshojnë drejt Parlamentit. 500 forca policie në gatishmëri
Ashtu siç është paralajmëruar ditë më parë, protesta e kësaj të enjteje po zhvillohet paralelisht me seancën plenare në Kuvend. Grumbullimi i qytetarëve ka nisur që në orët e para të mëngjesit në sheshin “Skënderbej”, nga ku do të marshojnë drejt godinës së Parlamentit. Tubimi përkon me nisjen e punimeve parlamentare në orën 10:00, çka ka sjellë edhe një mobilizim të gjerë të strukturave të rendit.
Për të garantuar mbarëvajtjen e protestës, Policia e Shtetit ka shtuar masat e sigurisë duke angazhuar rreth 500 punonjës policie në terren. Organet e rendit kanë zgjeruar perimetrin e sigurisë, i cili shtrihet nga zona e “Toptanit” deri te rruga e Elbasanit. Gjithashtu, rreth godinës së Kuvendit është vendosur edhe gardhi metalik për të parandaluar çdo incident të mundshëm gjatë zhvillimit të tubimit.
Seanca e fundit plenare e sesionit parlamentar, rendi i ditës. Qytetarët protestë para Kuvendit
Këtë të enjte do të zhvillohet seanca e fundit plenare në Kuvend për këtë sesion parlamentar. Kuvendi pritet të nisë në orën 10:00 ndërsa këtë të enjte është njoftuar edhe një protestë nga qytetarët para Parlamentit.
Rendi i ditës është i ngjeshur ndërsa pritet të raportohen në Kuvend raportet vjetore të institucioneve të drejtësisë, përfshirë Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Prokurorinë e Përgjithshme, Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Në seancë pritet të shqyrtojnë projektrezolutat për vlerësimin e veprimtarisë së këtyre institucioneve gjatë vitit 2025. Gjithashtu pritet të zhvillohen interpelanca dhe seanca pyetje-përgjigje me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputetët e opozitës.
Rend i ditës:
Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 23.7.2026, ora 10:00. II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë: 1
1.Miratimi i procesverbaleve të seancave plenare të datave 16.7.2026 dhe 20.7.2026.
2. Njoftime.
3. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2025”.
4. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë të Prokurorisë për vitin 2025”.
5. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2025″.
6. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Prokurorisë së Përgjithshme për vitin 2025”.
7. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vitin 2025”.
8. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Avokatit të Popullit për vitin 2025″.
9. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për vitin 2025”.
10. Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Blendi Himçi.
11. Seancë pyetje – përgjigje me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Bujar Leskaj.
12. Seancë pyetje – përgjigje me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Erald Kapri.
13. Akt normativ nr. 2, datë 30.6.2026, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026″
14. Akt normativ nr. 3, datë 6.7.2026, “Për financimin e pjesshëm të organizimit të një aktiviteti kulturorturistik me përmasa ndërkombëtare”.
15. Projektligji “Për grupimet ekonomike me interes evropian”.
16. Projektligji “Për shoqëritë evropiane të bashkëpunimit (SHEB)”.
17. Projektligji “Për statutin e shoqërive evropiane (SE)”.
18. Projektligji “Për mbylljen e shoqërive tregtare me kapital shtetëror në likuidim”.
19. Projektligji “Për kërkesat e transparencës për emetuesit e titujve”.
20. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 48/2014, “Për pagesat e vonuara dhe detyrimet kontraktore dhe tregtare”, të ndryshuar”.
21. Projektligji “Për shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7850, datë 29.7.1994, “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
22. Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 93/2015, “Për turizmin”, i ndryshuar”.
23. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9251, datë 08.07.2004, “Кodi Detar Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”.
24. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10018, datë 13.11.2008, “Për Avokaturën e Shtetit”, të ndryshuar”.
25. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10093, “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile”””.
26. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 25/2018, “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”
27. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9947, datë 07.07.2008, “Për pronësinë industriale”, të ndryshuar”.
28. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 173/2014, “Për disiplinën në Forcat Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.
29. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 82 datë 26.07.2024, “Рër Policinë e Shtetit”.
30. Projektvendim “Për emërimin e Kryetarit të Komisionit të Prokurimit Publik”.
31. Projektvendim “Për emërimin e një anëtari të Komisionit të Prokurimit Publik”.
32. Projektvendim “Për emërimin e një anëtari të Komisionit të Prokurimit Publik”.
33. Projektvendim “Për emërimin e një anëtari të Komisionit të Prokurimit Publik”.
34. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
Protesta jashtë Parlamentit, shoqërohen 5 persona. Momenti kur policia merr protestuesen (VIDEO)
Tabaku: Provoni të shkoni në protestë, Balla: Kuvendi duhet të dënojë ashpër dhunën kundër policisë
Protestuesi ndihet keq, humbet ndjenjat në mes të turmës! Mbërrin ambulanca
- 11:58 Protesta jashtë Parlamentit, shoqërohen 5 persona. Momenti kur policia merr protestuesen (VIDEO)
- 11:53 Tabaku: Provoni të shkoni në protestë, Balla: Kuvendi duhet të dënojë ashpër dhunën kundër policisë
- 11:50 Protestuesi ndihet keq, humbet ndjenjat në mes të turmës! Mbërrin ambulanca
- 11:46 Kuvendi e miraton, më 30 korrik seanca e ardhshme plenare
- 11:25 Refuzohet kërkesa e PD për reformën territoriale, Berisha: Raporti juaj është i paligjshëm
- 11:20 U burgos me foshnjën 1-vjeçare, Gjykata e Tiranës urdhëron lirimin e Dorina Sejdinit nga burgu i Pojskës