“Për shkak të ‘Pandës’ ndodhi Reçaku”, nëna e viktimës së rastit “Panda”: Do ta padis shtetin, Vuçiçi të tregojë të vërtetën
Ljubica Trifoviq, nëna e Dragan Trifoviqit, 17-vjeçarit të vrarë në sulmin ndaj kafenesë “Panda” në Pejë në vitin 1998, ka bërë thirrje që të zbulohet e vërteta për këtë rast, duke akuzuar shtetin e Serbisë se fshihet pas krimit.
Në një intervistë, ajo deklaroi se është e gatshme ta padisë shtetin serb, por theksoi se për të është më e rëndësishme që opinioni publik të mësojë të vërtetën.
“Do ta padis shtetin. Por le ta thonë të vërtetën. Vuçiçi ka deklaruar se publiku do të tronditet kur ta mësojë të vërtetën. Nuk ka rëndësi kush i kreu vrasjet, por kush dha urdhrin”, tha Trifoviq.
Ajo tha se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i di të gjitha rrethanat e rastit dhe i bëri thirrje që t’i bëjë ato publike.
“Ne dimë gjithçka, fjalë për fjalë dimë gjithçka, por ai që është në krye hesht. Tri herë tha se do të na ftonte dhe nuk e bëri. Unë thosha të shkonim të gjithë para Qeverisë, nuk do të na kthenin mbrapsht. Do të uleshim, do të merrnim një batanije dhe aty do të qëndronim. Por kjo nuk ndodhi. Mendoj se tashmë dihet gjithçka, vetëm se të gjithë heshtin”, theksoi ajo.
Në deklaratat e saj, Trifoviq hodhi poshtë pretendimet se autorë të sulmit kanë qenë shqiptarët, duke thënë se familjet e viktimave e kanë ditur prej kohësh versionin që, sipas saj, është fshehur nga autoritetet serbe.
Një nga deklaratat më të forta të saj ishte lidhja që ajo bëri mes masakrës në kafenenë “Panda” dhe ngjarjeve që pasuan në Kosovë.
“Po të mos kishte qenë ‘Panda’, nuk do të kishte ndodhur as Reçaku. Të gjithë e dimë këtë. Për shkak të ‘Pandës’ ndodhi Reçaku, i cili, sipas mendimit tim, nuk ishte ashtu siç u paraqit”, u shpreh ajo.
Sipas Trifoviqit, pyetja kyçe mbetet se kush e dha urdhrin për vrasjen e gjashtë të rinjve në Pejë, ndërsa kritikoi institucionet serbe për heshtjen që, sipas saj, ka vazhduar për gati tre dekada.
Ajo deklaroi gjithashtu se familjet e viktimave nuk janë pritur asnjëherë nga presidenti Vuçiç, pavarësisht premtimeve të tij, dhe shtoi se është e gatshme të protestojë para Qeverisë së Serbisë derisa të zbulohet e vërteta.
“Nuk e kam zhvarrosur djalin, ai ka mbetur në Pejë. As të tjerët nuk i kanë zhvarrosur. Nuk do ta zhvarros as unë. Tokë atje, tokë këtu. Ai ishte vetëm 17 vjeç e gjysmë kur u vra. Më i riu ishte 14 vjeç. Vetë Slobodan Millosheviqi, kur ishte në Hagë, tha: ‘Është hedhur një bombë.’ Çfarë bombe? Ata u bënë shoshë nga më shumë se 50 plumba. Shteti i Serbisë i vrau fëmijët tanë. Aleksandar Vuçiç e fsheh të vërtetën; ai në atë kohë ishte ministër i Informimit. Ai e di”, tha më tej ajo.
Ajo mendon se udhëheqësit aktualë do të largohen nga pushteti përpara se ta publikojnë të vërtetën për atë që ndodhi në “Panda”. Sipas saj, ky rast u përdor ose pati ndikim në zhvillimet politike dhe ushtarake që pasuan në Kosovë më vonë.
“I kuptoj edhe prindërit e tjerë. Por le të sqarohet më në fund kjo çështje. Po të mos kishte qenë ‘Panda’, nuk do të kishte pasur as Reçak. Të gjithë e dimë këtë. Për shkak të ‘Pandës’ ndodhi Reçaku… Atje poshtë mbretëronte kaosi. Këtë nuk mund ta kuptojë askush që nuk ka jetuar atje,” tha Ljubica.
Rasti “Panda” mbetet një nga ngjarjet më të debatueshme të periudhës së para luftës në Kosovë. Në sulmin e 14 dhjetorit 1998 në kafenenë “Panda” në Pejë u vranë gjashtë të rinj serbë. Përgjegjësia për këtë sulm nuk është zbardhur plotësisht, ndërsa ndër vite janë dhënë deklarata të ndryshme nga zyrtarë serbë lidhur me autorësinë e krimit, por vetë presidenti serb, Aleksandër Vuçiç pati deklaruar se e vërteta nuk është ashtu siç ishte thënë më herët, se gjoja shqiptarët i kishin vrarë serbët.
Lidhur me këtë Vuçiç ishte pyetur para disa vjetësh por as atëherë, dhe asnjëherë deri më sot ai s’ka dhënë një përgjigje se çfarë ka nënkuptuar me këto deklarata.
Konjufca i bën thirrje Gjykatës së Hagës: Mos merrni vendim politik, por të drejtësisë
Kosova kujton Adem Demaçin në tetëvjetorin e ndarjes nga jeta, Reçica: Simbol i qëndresës dhe lirisë
Kurti nga veriu i Kosovës: Asnjë kriminel nuk do të lejohet të mbijetojë i pandëshkuar
- 15:13 Ukraina godet me dron rajonin e Rostovit, 5 të vrarë dhe 8 të plagosur
- 15:04 PD kërkon mbledhje urgjente të Këshillit për Legjislacionin për vlerësimin e marrëveshjes së huasë me SHBA
- 14:54 Sulm me thikë në Paris, plagosen rëndë tre gra! Arrestohet autori
- 14:42 Sekuestrohen 2.6 tonë kokainë në Atlantik, pranë brigjeve të Portugalisë. Arrestohen 4 persona, mes tyre një shqiptar
- 14:28 Kryeministri Burnham pret në Britani Zelenskyyn në vizitën e tij të parë ndërkombëtare
- 14:15 PD bojkoton seancën e orës 15:00 për huanë 302 milionë dollarë me SHBA